– Komuna e Loretos në Itali, është në zi. Vajza e vrarë dy ditë më parë në Elbasan, Giulia Baldassarri, është e bija e kryetarit të komunës e cila ndodhet në rajonin Macerata. Lajmi është konfirmuar nga burime të besueshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, ndërkohë që pala italiane ka kërkuar të dhëna rreth ngjarjes së rëndë natën e krimit. Vrasja me kallashnikov e vajzës së re nga vjehrri i saj është pasqyruar edhe në mediat locale italiane. Në gazetën e Maceratës thuhet, se Giulia Baldassarri u qëllua për vdekje së bashku me bashkëshortin, në shtëpinë e vjehrrit të saj në Elbasan, pas një konflikti familjar. Ajo kishte studiuar në liceun e Recanatit dhe ishte diplomuar në degën e Shkencave të Arsimit, në Universitetin e Maceratës. Dyshohet se edhe prindërit e saj, Giovanni dhe Mirella Baldassarri, kishin qenë kundër lidhjes mes të rinjve.
Ndërkohë, grupi hetimor i ngritur në lidhje me ngjarjen, ka vijuar hetimet dhe disa orë pas vrasjes së dyfishtë, policia e Elbasanit ka dalë me një version zyrtar, ku sipas tyre shkak i konfliktit familjar kanë qenë motivet ekonomike. Deklarata zyrtare e policisë ka qenë në kundërshtim me atë çka deklaroi natën e krimit autori 65-vjeçar Engjëll Ucaj. Burime të besueshme policore thanë se, pas arrestimit dhe shoqërimit të tij në komisariati, burri ka marrë përsipër autorësinë e krimit dhe ka rrëfyer se motiv i ngjarjes ishte bërë fakti, se nuk i pëlqente një nuse e huaj në shtëpi. “Djalin e kisha si dritën e syve, por nuk desha një vajzë të huaj në shtëpi. Grindeshim shpesh dhe ai ushtronte dhunë sistematike ndaj meje”, mësohet të jetë shprehur ai përpara oficerëve policorë.
Rreth orës 19:45 të datës 30 janar, policia e qytetit mori njoftimin nga një grua, se bashkëshorti i saj donte të vriste djalin dhe nusen e tij, në një pallat të ri në lagjen “Sul Paprri”. Por, pak caste para se policia të mbërrinte, kryefamiljari Engjëll Ucaj, kishte shkrehur armën, duke lënë të vdekur në vend djalin e tij dhe nusen italiane. Nga këqyrjet e para në vendngjarje rezultoi se me anë të një kallashnikovi, armë të cilën e mbante pa leje që nga viti 1997, ai kishte ekzekutuar të birin dhe nusen e tij. Sokol Ucaj, 27 vjeç, si dhe italiania 24-vjeçare Giulia Baldassarri, për të cilën pati dyshime se ishte 4-muajshe shtatzënë, gjetën vdekjen e menjëhershme si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit. Hetimet e vazhdueshme nxorrën në dritë faktin, se mes babait dhe të birit ekzistonte një konflikt afro një-vjeçar, që nga momenti që Sokol Ucaj ishte kthyer të jetonte në Shqipëri me gruan e tij të huaj. I moshuari nuk është mësuar me këtë ide, dhe vazhdimisht drejtonte sharje dhe fyerje drejt vajzës. Konfliktet e herëpashershme dhe dhuna sistematike që djali ka ushtruar ndaj të atit, degjeneroi mbrëmjen e së mërkurës, ngjarje e cila përfundoi me dy viktima.
Trupi i vajzës ka qenë dje në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku dhe i është bërë autopsia, ndërsa sot pritet të niset drejt Italisë.