Home Aktualitet Tiranë, i jepet lamtumira e fundit komisar Skurës

Tiranë, i jepet lamtumira e fundit komisar Skurës

625
0

skura“Lamtumirë i shtrenjti dhe i paharruari ynë”, me këto fjalë është përcjellë në banesën e fundit në ‘Varrezat e Dëshmorëve’ komisari i Burrelit Musa Skura.

Pas ceremonisë së homazheve në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë ku morën pjesë personalitetet më të larta të vendit, kryeministri Berisha, krerë të partive politike, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit trupi i tij i mbuluar nga flamuri kuq e zi u varros në Varrezat e Dëshmorëve.

Vëllai i Musa Skurës pas falenderimeve të rastit, u shpreh se ai tani ai nuk do njihet më vetëm vëllai i tij, por si djali i të gjithë Matit. “Na la krenarinë, kujtimi i Musait do jetë me ne përjetë”, tha ai.

Banda frymore përcolli nota funebre për të krijuar solemnitetin e nevojshëm, të shoqëruara në fund me të shtëna topi për të krijuar nderimin e duhur për një dëshmor.

HOMAZHET
Ceremonia e homazheve nisi më vonë se sa orari i parashikuar rreth orës 11:45, për shkak të vonesave që pati mbërritja e trupit në portin e Durrësit. Në ceremoni përvec familjarëve e të afërmve, ndodhen për të nderuar figurën e Musa Skurës edhe autoritete shtetërore e ushtarake.

Kryesocialisti Edi Rama, i shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruci dhe deputetë të qarkut të Dibrës e Shkodrës homazhe për nder të Musa Skurës. Në homazhe edhe kreu i LSI-së Ilir Meta, e pak pas tij kryebashkiaku Lulzim Basha. Homazhe në nder të Musa Skurës edhe ministri i Brendshëm Flamur Noka.

Në ceremoni mbërriti edhe kryeministri i vendit Sali Berisha rreth orës 12:30. Pas tij komisari u nderua nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli.

Pas ceremonisë komisar Musa Skura do të përcillet në Varrezat e Dëshmorëve, që do jetë edhe banesa e tij e fundit. Ceremonia e varrimit do të zhvillohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.

TOPI: DUHEN FORCUAR MASAT NDËSHKUESE
Edhe kreu i FRD-së Bamir Topi ka qënë në një linjë me politikanët e tjerë, kur është shprehur se mashat ndëshkuese ndaj atyre që godasin uniformën e policisë duhet të rriten.

“Ndiejmë sot shumë dhimbje për një njeri që i ka shërbyer shtetit, ngushëllim për familjen dhe dëshirë që këto krime të mos ndodhin më. Duhet forcuar ligji, masa ndëshkuese për autorët”, tha shkurt Topi.

BERISHA: DREJTËSIA DO VEPROJË FORCËRISHT
Kryeministri Berisha pas homazheve, vlerësoi lart figurën e komisarit Musa Skura. Ai, tha kryeministri dha jetën në krye të detyrës, duke u bërë shembulli i sakrificës për të vendosur siguri.

“Erdha të shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin e qeverisë famljes së komisarit Musa Skura që ra në krye të detyrës, në përballje me falangat e krimit, të shpreh ngushëllimet për efektivat e policisë së shtetit për këtë humbje të madhe. Ishte një nga komisarët më të shkëlqyer, më trima, më të vendosur, qytetar shembullor e prind i shkëlqyer. Shembull do të mbetet sakrifica sublime e komisar Skurës, burrëria e tij do jenë frymëzim për të garantuar sigurinë e jetës”, tha ai.

Kreu i qeverisë nënvizoi më tej se drejtësia do veprojë forcërisht për cdo rast kur krimi godet uniformat blu.

“Do merret cdo lloj hapi ligjor brenda kuadrit demokratik kushtetues, qeveria e gatshme ta marrë, por nga ana tjetër në të dyja rastet drejtësia po vepron dhe do veprojë forcërisht”, shtoi Berisha duke iu referuar edhe rastit të komisarit të Shijakut, Adem Tahiraj, i cili ashtu si Skuraj humbi jetën në krye të detyrës.

META: PROPOZIMI I LSI, BURG PËRJETË KUJTDO QË NGRE DORË MBI POLICËT
Pas homazheve, kryetari i LSI-së Ilir Meta tha edhe njëherë se LSI do kërkojë forcimin e ligjit për të ndëshkuar këdo që ngre dorë mbi policët.

“Natyrisht që sot është një ditë e trishtë për të gjithë, jo vetëm për familjarët e kolegët. Krimi ka goditur përsëri shtetin, ka marrë jetën e një punonjësi shembullor. Ne duhet të marrim masa të forta dhe konkrete për forcimin e ligjit, për goditjen e krimit. Ne do propozojmë ashpërsim të Kodit Penal, do propozojmë që kushdo ngre dorë mbi policët, të dënohet vetëm me burgim të përjetshëm”, tha ai.

RAMA: POLICIA E TRADHTUAR
Pas homazheve, kryesocialisti Rama ka deklaruar për mediat se koha kur policia të fitojë terren ndaj krimit është e afërt. Ai u shpreh edhe njëherë se sot policia është tradhtuar.

“Fatkeqësisht pasi erdhëm këtu para pak kohësh për t’i dhënë lamtumirën një komisari kurajoz, sot jemi prapë këtu për një tjetërkomisar kurajoz. Janë dëshmorë në një lufte ndaj krimit që ka fituar një epërsi të frikshme në kushtet kur policia është tradhtuar, braktisur dhe po rrënohet dita ditës. Duke ngushëlluar këto familje, këto gra, këta fëmijë, dëshiroj që në nderim të kujtimit të këtij komisari dhe të tjerëve të angazhohem solemnisht për ditën e një përballje kur policia të marrë terrenin e vetë dhe krimi të zmbrapset”, tha Rama.

MBERRIN NE ATDHE TRUPI I PAJETE I MUSA SKURES
Trupi i pajetë i komisarit të Burrelit, Musa Skura, i cili u plagos rëndë në krye të detyrës, e më pas vdiq në një spital në Itali, mbërriti sot rreth orës 10:00 në portin e Durrësit. Trageti që solli trupin e tij në portin e Durrësit, ishte parashikuar të ankorohej në orën 09.00 të mëngjesit, por për shkak të motit të keq dhe detit me dallgë ai u vonua rreth 1 orë.

Familjarët, por edhe autoritete shtetërore e forca të shumta policie e pritën atë në portin e Durrësit. Një eskortë e policisë e shoqëroi drejt Tiranës trupin e pajetë të Skurës, për ta vendosur në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë në Tiranë.

MUSA SKURA DESHMOR I ATDHEUT
Ai u shpall dje “Dëshmor i Atdheut”, nga Komisioni Qendror për Statusin, i kryesuar nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Ndërkohë që qeveria miratoi dje një ndihmë financiare prej 5 milionë lekësh ( të vjetra) për familjen e të ndjerit.

Shefi i krimeve të Burrelit, Musa Skura, u qëllua në befasi nga disa trafikantë armësh, gjatë një operacioni policor të zhvilluar mbrëmjen e datës 13 janar, në vendin e quajtur “Përroi i Kecit”, në fshatin Suç të Matit. Ai qëndroi për dy ditë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirugjikale. Mjekët thanë se u detyruan ti hiqnin shpretkën dhe njërën veshkë, ndërsa nga plumbat ishin dëmtuar rëndë edhe tre organe të tjera. Dy ditë pas ngjarjes, kreu i krimeve të Burrelit u dërgua për një ndihmë më të specializuar në spitalin “Padre Pio”, të Foggias në Itali, por fatkeqësisht ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here