Një situatë e dhunshme është zhvilluar sot në mesditë në zonën e Tiranës së Re pasi përmbaruesi privat tentoi të nxjerrë jashtë një godine disa familje. Rreth 14 familje janë konfliktuar me policinë private dhe përmbaruesin pasi nuk pranuan të lirojnë godinën që e pretendon një familje, se e gëzon me dokumenta origjinale.
“News 24” mëson se 14 familje që banojnë në një objekt tek rruga “Margarita Tutulani”, pranë shkollës ‘Petro Nini Luarasi” janë kundra një personi që pretendon se ka dokumenta mbi objektin që prej vitesh ata jetojnë.
Sipas banorëve që u nxorrën jashtë nga objekti, pronari që pretendon të marrë godinën, ka falsifikuar dokumentat sepse sipas tyre, është person me pushtet.
Rreth orëve të mbrëmjes situata u tensionua sërish, kur banorët tentuan të hyjnë me forcë në godinë. Ata u konfrontuan sërish me policinë private që kërkon largimin e tyre përfundimtar, më qëllim që sipas tyre ndërtesa t’i kthehet pronarit të ligjshëm.
Në konfrontim e sipër, dy prej banorëve kanë shfaqur probleme me shëndetin, ndërsa familjarët kanë lajmëruar autoambulancën për t’i shoqëruar në spital. News 24 ka fokusuar momentin ku njëri prej banorëve humbi ndjenjat, si dhe rastet e ndalimit të disa banorëve të tjerë.
Avokati i banorëve në një prononcim për “News 24”, deklaroi se është e pafalshme që 75 persona të lihen të kalojnë natën në qiell të hapur.
Mësohet se policia ka shoqëruar në komisariat edhe 2 banorë të tjerë të banesës, të cilët janë konfrontuar me ta.
Vetë banorët deklarojnë se do ngenë cadrat në rrugë tashmë u dëbuan nga kjo godinë, ku jetonin që nga viti 1944, pasi nuk kanë se ku të shkojnë.