Mund të keni dëgjuar shpesh sot që vajza të reja po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e politikës. Kjo nuk ka të bëjë me Arba Kokalarin që, për të kandiduar si eurodeputete në Parlamentin Europian, nuk u shfaq sot për nesër. Ka lënë mënjanë gjërat e moshës që kur ishte 16 vjeç për t’u marrë vullnetarisht me politikë, po lë aktualisht jetën e saj private për t’u bërë një zë që do të dëgjohet.
Për shumicën prej nesh, për të mos thënë për të gjithë, të aspirosh për një botë më të mirë, duket po aq klishe sa edhe shprehja standarde e miss-eve kur thonë gjatë spektaklit se duan paqe në botë. O sepse nuk besojmë më në të, o sepse jemi tjetërsuar vetë, kur i dëgjojmë, sot, vetëm buzëqeshim. Megjithatë, të thëna nga Arba Kokalari, nga një botë e formim tjetër, ndalesh e vihesh në dyshim me mënyrën tënde të të menduarit. E rritur në Suedi që prej moshës 5-vjeçare, Arba beson vërtet që, nëse e fiton karrigen e saj në europarlament, do të të japë një dorë në demokracinë e botës. Ka qenë pikërisht kjo arsyeja, bashkë me dëshirën për të përmirësuar jetesën, që e ka bërë të mendojë për politikën, që 16 vjeç, si të vetmen rrugë për t’ia arritur. Mbase këto ide i pati edhe halla e babait të saj, Musine Kokalari, kur përpiqej thuajse për të njëjtën gjë, por u pengua. Sot, shqiptaren që jeton prej 22 vitesh në Suedi, nuk e pengon kush të paktën të provojë, të luftojë. Zgjedhjet e 20 majit do të na japin përgjigjen…
Së pari, na flisni pak për veten, shkollimin, lidhjet dhe pozicioni aktual në politikë…
Unë jam 27 vjeç dhe kontribuoj aktivisht në politikën suedeze. Punoj në një fondacion suedez, që promovon vlera demokratike nëpër botë. Jam sekretare ndërkombëtare për rininë e Partisë Moderatore të Suedisë, gjithashtu jam anëtare e këshillit për Këshillin Bashkiak të Stokholmit, ku mbaj pozicionin e kryetares së grupit për komisionin e kulturës. Kam studiuar për Shkenca Politike dhe për Marrëdhënie Ndërkombëtare, gjithashtu kam punuar si këshilltare politike për Ministrinë e Jashtme.
Si u bëtë pjesë e politikës?
U angazhova së pari në Partinë Moderatore dhe forumin rinor të partisë që 11 vjet më parë. Kam qenë shumë aktive qysh atëherë, sidomos në politikat europiane dhe ato të jashtme.
Në një intervistë, keni thënë që jeni përfshirë qysh 16 vjeç. Çfarë e bën një vajzë kaq të re të distancohet nga shoqëria e të marrë angazhime që nuk janë të pakta?
Shtysa ime e madhe ka qenë gjithnjë dëshira që të kontribuoj për një botë më të mirë, më të drejtë dhe të lirë. Lufta kundër shtypjes së popujve dhe njerëzve nëpër botë ka qenë një tjetër kauzë, që më ka ngacmuar gjithnjë për t’u përmirësuar. Fakti që unë jam nga Shqipëria, e bën këtë shtysë më të qenësishme dhe kuptimplotë. E di fare mirë që demokracia dhe liria nuk falen. Këto janë vlera, të cilat ne duhet t’i mbrojmë dhe t’i promovojmë çdo ditë. Kjo është arsyeja pse u angazhova politikisht.
Cilat kanë qenë lidhjet tuaja me Shqipërinë?
Unë kam familjen e shumë miq në Shqipëri dhe mundohem t’i vizitoj sa herë kam mundësi. Përpiqem gjithashtu të ndjek lajmet shqiptare dhe politikën që bëhet aty apo në Kosovë. Në vitet e fundit kam pasur edhe mundësinë që të takoj persona aktivë të politikës së Shqipërisë, Kosovës e të të gjithë Ballkanit, që u përkisnin partive të ndryshme. Kjo gjë ka bërë që njohuritë e mija për mënyrën se si funksionon politika e Ballkanit të rriten ndjeshëm.
Sa kohë ju ngelet për jetën private?
Tani që jam në fushatë zyrtare, më duhet të them që nuk kam fare jetë private. Duhet ta pranojmë se politika nuk është një punë me orare. Shumë nga angazhimi im politik shkon për fushata dhe nisma vullnetare, kështu që edhe koha ime e lirë është e lidhur ngushtë me politikën.
A ka ndonjë moment gjatë të cilit bëheni pishman për rrugën që keni nisur?
Jo. E kaluara nuk mund të ndryshohet, e rëndësishme është të bësh maksimumin për jetën që ke tani dhe për të ardhmen që ke menduar si më të mirë.
Sa e vështirë është në Suedi të jesh pjesë e politikës, të bësh përpara në politikë?
Është e lehtë që të angazhohesh aktivisht dhe të marrësh përgjegjësinë nëse ke vendosmërinë, idetë dhe dëshirën për të përmirësuar shoqërinë. Por duhet një kohë e gjatë të ndërtosh bazën e mbështetjes, besimin me anëtarët e partisë dhe me votuesit e thjeshtë.
Si e shihni veten si eurodeputete, në rast se do fitoni?
Unë dua ta shoh europarlamentin me një zë të fortë, që do të flasë bindshëm si zëri i të rinjve dhe që ka dëshirë të ndërtojë ura bashkëpunimi midis europianëve, nga veriu në jug, e nga lindja në perëndim. Jam e vendosur në këtë angazhim, në mënyrë që të bëj ndryshimin që duam.
Po në të ardhmen, çfarë aspironi më shumë se kaq, nëse marrim të mirëqenë që do të zgjidheni eurodeputete?
Vizioni im është të kontribuoj për krijimin e një bote të lirë dhe më shumë mundësi për njerëzit, qoftë në politikë apo në fusha të tjera.
Ç’rol ka pasur familja juaj në karrierë? A është e domosdoshme aty që të kesh një mbështetje?
Familja ime ka qenë kurdoherë mbështetje për të gjitha zgjedhjet e mia në jetë dhe gjithnjë më kanë inkurajuar që të besoj te vetja. Ata më kanë mësuar të mos dorëzohem kurrë dhe të mos heq dorë nga qëllimet dhe ëndrrat e mia.