Zyrtarët në Maqedoni po akuzojnë qeverinë në Tiranë se po përfshihet në punët e brendshme maqedonase, vetëm për faktin se qeveritarët dhe politikanët tanë reaguan kundër frymës diskriminuese ndaj shqiptarëve të Maqedonisë.
Ishte Kryeministri Edi Rama që reagoi të mërkurën pas vendimit të Presidentit maqedonas, George Ivanov, për të mos i dhënë mandatin askujt që mbështet platformën e partive shqiptare të Maqedonisë, e cila sipas tij është formuluar nga Tirana.
Rama shkroi në faqen e tij se “Zoti Ivanov, gjuha shqipe s’është e armikut po e një populli shtetformues në Maqedoni. Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni, i dashur President!”.
Qëndrimi i Ramës është pasuar nga të gjithë politikanët e tjerë në Shqipëri, pa marrë parasysh anësinë politike, në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në vendin fqinj. Shqiptarët në Maqedoni janë më shumë se 25 për qind e popullsisë.
Por gjithnjë nuk kanë pasur të drejta të barabarta me qytetarët e tjerë maqedonas dhe janë diskriminuar, si nga ana sociale, ashtu edhe ajo ligjore. Prej 16 vitesh eksiton një marrëveshje për të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë,
Marrëveshja e Ohrit, e cila u negociua nga ndërkombëtarët dhe i dha fund konfliktit etnik në atë vend, por ende tani, pas kaq shumë kohësh, ajo marrëveshje për të drejtat e një të katërtës së popullsisë në Maqedoni nuk është përmbushur.
Vetë autoritetet në Maqedoni, megjithëse prej shumë vitesh u është dashur të bashkëqeverisin me parti shqiptare, e shohin etninë e shqiptarëve në vend si një rrezik për ta. Dhe turbullohen sa herë që ka ndonjë zë nga Tirana zyrtare në mbrojtje të tyre.
Kryeministri teknik i Maqedonisë, Emil Dimitriev, i ka dërguar një letër Edi Ramës, ku i ka kërkuar që të mos ndërhyjë në punët e Maqedonisë, duke theksuar se do ta gjejë një zgjidhje edhe pa këshillat e tij.
“I nderuar z. Rama, përzierja e përhershme në punët e brendshme të Maqedonisë bën një dëm të madh në raportet fqinjësore dhe vlerat europiane. Besoni se kjo nuk i ndihmon askujt, nuk i ndihmon as Shqipërisë, ku qytetarët presin nga ju që të kapeni me të metat e pushtetit dhe ekonomisë; nuk i ndihmon as BE-së sepse edhe atyre u është e qartë se kërkoni shkas për grindje jashtë për atë çfarë keni bërë brenda vendit. Kjo nuk i ndihmon as Maqedonisë, ku qytetarët duan vend të pavarur me kufijtë e tanishëm, ata qytetarë e paguajnë çmimin e ambicieve tuaja që të ridefinojnë Maqedoninë, në vend që të reformojnë Shqipërinë në kufij aktualë. Nuk i ndihmon as partitë në Maqedoni ndaj të cilave silleni me kushtëzime”, shkruan Dimitreiv.
Ndërkohë VMRO-DPMNE-ja ka premtuar se do ta mbështesë qeverinë e LSDM-së dhe se do e bëjnë Zaevin Kryeministër, nëse ky i fundit heq tërësisht dorë nga “shantazhet dhe platforma shqiptare”.
Sipas partisë së ishkryeministrit Nikolla Gruevski, realizimi i platformës nga Tirana do të thotë ridefinim i plotë i Republikës së Maqedonisë, shndërrimi i saj nga shteti multietnik në binacional, i cili në fazat e vona do të federalizohet, kantonizohet dhe ndahet. Gruevski kërkon patjetër zgjedhje të reja.
Ndërsa Presidenti i Maqedonisë, George Ivanov, pas takimit me përfaqësuesen e lartë të BE-së për punë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, tha se nuk do të emërojë asnjë mandatar që negocion platformat e vendeve të tjera që shantazhojnë Maqedoninë dhe janë rrezik për sovranitetin, pavarësinë dhe unitetin e shtetit.
“Platforma postzgjedhore dëmton Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, Kushtetutën dhe Maqedoninë e vë në një pozitë të nënshtrimit dhe varësisë ndaj një vendi tjetër. Qytetarët votuan në zgjedhjet për reforma europiane, dhe jo për një platformë të një shteti tjetër”, ka thënë Ivanov.