PRISHTINE- “Në shtatorin e vitit 2011, Republika e Kosovës do të bëhet shteti i 193 i OKB-së” ka deklaruar kreu i AKR-së, Behxhet Pacolli, në një intervistë për agjencinë e lajmeve INA.
“Shteti i 193-të, i OKB-së, Republika e Kosovës dhe flamuri i saj do të vendoset në shtizat e OKB-së, në shtatorin e vitit që vjen, pra më 2011. Por, nuk do të thotë se këtu përfundon gjithçka. Ne duhet të punojmë edhe më shumë që ta forcojmë dhe konsolidojmë shtetin tonë Kosovën. Të punojmë më shumë për ngritjen e Kosovës ne ekonomi, mirëqenien dhe të forcojmë mbrojtjen e saj në bazë të kushtetutës së saj të shenjtë”, deklaroi Pacolli.
Ai nënvizon se lobimi i tij nuk është për lavdi personale, por për të mirën e Kosovës dhe qytetarëve të saj.
“Kam lobuar fuqishëm, sidomos në ato vende ku unë personalisht kam edhe miqtë e mi, që janë presidentë, mbretër dhe kryeministra të disa vendeve. Gjithçka kam bërë jo për emër, as për përfitime, por e kam bërë gjithçka për vendin tim, shtetin e Kosovës, që emri i saj dhe vendi që e meriton Kosova, të jenë aty ku duhet. Dhe Kosova sa më parë të zërë vendin e saj!”, shtoi kryetari i AKR-së.
(e.n/ina/BalkanWeb)