Veprat e papërfunduara të Kutelit më në fund do të shohin dritën e botimit. Në ciklin “Prozë dhe Vargje te zgjedhura” do të vij vëllimi i katërt i një nga ikonave të letërsisë shqipe të shekullit të njëzetë. E bija e Kutelit e cila ruan edhe dorëshkrimet origjinale tregon se në botimin e ri nga Kuteli do vij me një nivel më të lartë të gjuhës i cili do të meritoj një studim më vehte.
“Do të jenë poezitë e fundit, kurse për pjesën e prozës, janë prozat e pambaruara që ai kishte filluar ti punonte që në vitet ’40, i mbajti në dorë, i ripunoi, i botoi disa fragmente dhe nuk arriti ti përfundojë sepse kohën e kishte të copëtuar ndërmjet përkthimit me normë dhe shkrimit. Babai kishte kujdes që gjuha e tij ti përshtatej jo vetëm kohës kur veprojnë personazhet po dhe kohës kur iu drejtohet lexuesve”, tha Atalanta Pasko, e bija e Kutelit.
Pas ciklit “Prozë dhe vargje të zgjedhura”, përkthimeve dhe shënimeve letrare, e bija e shkrimtarit ka edhe një peng tjetër. “Është një domosdoshmëri një përmbledhje e poezive, sepse dergjen poezi të pa botuara asnjëherë, dergjen fletëve të fletoreve. Janë më shumë të trishtuara, megjithatë janë poezi që kanë mesazhe të caktuara dhe është mirë që të jepen, të shkojnë atjë ku janë nisur”, u shpreh ajo.
Mitrush Kuteli, apo Dhimitër Pasko përvecse doktor i shkencave ekonomike, arriti të hidhte themelet letërsisë moderne shqipe. Proza, vargjet, përkthimet dhe studimet nuk kanë zënë ende vendin merituar në historinë e letërsisë shqipe.