Home Edmond Tupja Poçi prej balte dhe poçi prej hekuri

Poçi prej balte dhe poçi prej hekuri

1739
0

Që në krye të herës u kërkoj ndjesë lexueseve dhe lexuesve dashamirës, por të paanshëm të këtij shkrimi, që sot do t’i referohem La Fontenit, këtij fabulisti të njohur frëng të shekullit XVII, për t’u përpjekur të kuptoj e, në qofsha i denjë, të shpjegoj përse fabula e tij “Le Pot de terre et le pot de fer”  (pra, “Poçi prej balte dhe poçi prej hekuri”) hedh një dritë shumë interesante mbi zgjedhjet e sotme dhe klimën e krijuar në zgjedhoratin shqiptar këto javët e fundit e që kulmon sot mistershëm me këto zgjedhje pjesërisht të mezipritura. Gjithsesi, nuk është hera e parë që do t’i referohem fabulistit në fjalë, i cili, tashmë, me fabulën e tij të famshme “La grenouille qui veut se faire aussi grosse que le bœuf”, të shqipëruar nga Çajupi me titullin “Bretkosa që do të trashet sa një ka”, përshkruan për mrekulli, që katër shekuj më parë, edhe tipin e kryepolitikanit shqiptar që do të duket si më i rëndë- sishmi e më i pazëvendësueshmi në Shqipëri, prandaj edhe fryhet sa mundet, pavarësisht kurave të dobësimit, deri sa plas si tullumbace. Edhe fabula me të cilin do të merrem sot më duket si e shkruar (dhe e shqipëruar) thuajse enkas për situatën e sotme.

Në këtë fabul, poçi prej hekuri i propozon poçit prej balte të ndërmarrin së bashku një udhëtim; poçi prej balte ngurron se e di veten mjaft të brishtë dhe ka frikë se thyhet, por poçi prej hekuri e siguron që do ta mbrojë dhe nuk do ta lërë të thyhet, kështu që të dy poçat miq nisen; mirëpo rruga është e vështirë, ata përplasen shpesh me njëri-tjetrin, sigurisht pa dashur, dhe vjen një moment kur poçi prej hekuri, gjithnjë pa dashur, përplaset poçin prej balte duke e thyer atë. Në fund të fabulës, morali është ky: “Lidhuni vetëm me të barabartët tuaj, / Ndryshe ruheni se mos pësoni / Fatin e njërit prej dy poçave”. O i madhi La Fonten! Po si e paske parashikuar kaq bukur çka po ndodh në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike të këtyre tetë viteve të fundit: Në vitin 2009 poçi në dukje prej hekuri i quajtur Partia Demokratike u lidh e nisi një udhëtim katërvjeçar me poçin në dukje prej balte të quajtur Lëvizja Socialiste për Integrim; në vitin 2013 (sigurisht duke dalë nga skema lafonteniane) poçi në dukje prej balte e nxori jashtë loje poçin në dukje prej hekuri, duke e flakur këtë në opozitë dhe duke u lidhur me një poç tjetër në dukje prej hekuri me emrin Partia Socialiste; sot, në vitin 2017 (pra, gati njëqind vjet pas ngadhënjimit në Rusi të të ashtuquajturit Revolucion i “Madh Socialist i Tetorit), Partia pikërisht Socialiste e Shqipërisë, me mbështetjen e heshtur të poçit tjetër, në dukje prej hekuri, me emrin Partia Demokratike, lufton ta thyejë poçin në dukje prej balte, me emrin Lëvizja Socialiste për Integrim, që e mban veten për shkëmb graniti. Ah, në këtë pikë, La Fonteni nuk arriti të parashikonte se në Shqipëri të paktën ishin tre poça që u nisën për udhëtim dhe se poçi në dukje prej balte, pra LSI-a, me pesë deputetët e saj, do të hynte, në 2009, në koalicion me Partinë Demokratike, nga i cili koalicion do të dilte tashmë me shtatëmbëdhjetë deputetë në vitin 2013 për t’u lidhur, ashtu si qengji i urtë që pi dy nëna, me Partinë Socialiste me qëllim, ndër të tjera, që ta çonte numrin e deputetëve të vet deri në dyzet.

Për të mos e zgjatur e për të mos i lodhur më tepër lexueset e lexuesit dashamirës, por të paanshëm të rubrikës sime të së dielës, do t’u them tani se frëngu La Fonten, me shumë gjasë, po nxjerr në këtë çast kokën nga dritarja e tij e Parajsës ku prehet, aq shumë kureshtar është për të mësuar si do të përfundojë aventura e tre poçave, dy në dukje prej hekuri dhe një në dukje prej balte.

Me siguri që, me të mësuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, ai do të marrë penën për të shkruar një fabul me tre poça që janë duke udhëtuar prej vitesh të tëra sipas skemës “dy poça në pozitë dhe një poç në opozitë”. Me siguri, ai do të përpiqet ta ndriçojë misterin e kësaj dialektike të çuditshme që – le t’ia njohim këtë meritë të veçantë – kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, në dukje poç prej balte, e ka METAmorfozuar në trialektikë. (Sa për informacion La Fontenit atje lart, në gjuhën shqipe “poç” i thonë edhe oturakut, me nder atij!).

Së fundi, do t’u rekomandoja tre kryetarëve të poçave shqiptarë, qofshin këta prej hekuri apo prej balte, të lexojnë edhe një herë me shumë vëmendje dhe, sidomos, me mendje të hapur fabulën “Poçi prej balte dhe poçi prej hekuri”, pa harruar veçanërisht të rilexojnë fabulën “Bretkosa që do të trashet sa një ka”, në mënyrë që, qofshin në pozitë apo në opozitë, të mendojnë e të veprojnë në interes të vendit, të mos u marrë koka erë (se pastaj populli do të thotë që s’ua pret poçi për asgjë), të mos ia fusin popullit në emër të popullit dhe të mos hiqen sikur kanë pjerdhur në një poç (qoftë ky prej hekuri apo prej balte) me vetë Perëndinë e amëshuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here