Home Edmond Tupja Frika

Frika

1706
0

Ka shumë mundësi që frika të ketë qenë njëra ndër ndjenjat e para të njeriut të shpellave, këtu e disa milionë vjet të shkuara: frikë se mos vdiste nga uria, nga etja e nga të ftohtët, frikë se mos e shqyenin kafshë të tilla si mamutët e të tjerë të ngjashëm me këta. Frika, sipas Fjalorit të gjuhës shqipe, Tiranë, 2006, është një “ndjenjë shqetësimi të thellë para një rreziku, një fatkeqësie etj.”, kurse fjalori frëngjisht-frëngjisht, “Le Petit Robert”, e përkufizon atë si “dukuri psikologjike me karakter afektiv të theksuar, e cila e shoqëron njeriun kur ndërgjegjësohet për një rrezik ose kërcënim real a të përfytyruar (përkthimi ynë E.T.).

Te frika e kanë zanafillën ndjenja të tilla si ankthi dhe stresi, aq karakteristike veçanërisht për njeriun e kohëve moderne. Pikërisht për frikën po diskutoja një ditë, para gati dy dekadash, me një mik frankobullgar, sociolog që jepte mësim herë pas here në një universitet të Francës.

Nuk më kujtohet më se si rrodhi biseda, kur e pamë veten duke krahasuar proverbat shqiptarë me ata bullgarë dhe anasjelltas; gjithsesi, vërejtëm se lidhur me nocion “frikë” kishim disa shprehje e proverba thuajse të njëjtë, ndër të cilët edhe proverbi “Frika ruan vreshtin”, sigurisht për shkak se të dy vendet tona, Shqipëria e Bullgaria, janë vende ballkanike, me histori, doke e zakone fort të ngjashme.

Mirëpo, ndonëse të dy e flisnim rrjedhshëm frëngjishten, kishim përshtypjen se lidhur me analizën e këtij proverbi, sikur nuk po merreshim vesh mirë: na dukej sikur nocioni “frikë” për një shqiptar si puna ime nuk përputhej plotësisht me nocionin “frikë” për një bullgar si puna e bashkëfolësit tim. Atëherë, e lamë përkohësisht mënjanë nocionin “frikë” dhe u morëm me nocionin “vresht” për të cilin ishim krejtësisht të të njëjtit mendim.

Pastaj, me të sqaruar se kush e thotë këtë proverb dhe në ç’rrethana, e kuptuam se si qëndronte çështja dhe ia plasëm gazit hidhurëmbël, sidomos unë, shqiptari: për bullgarët, “frika ruan vreshtin” do të thotë se pronari i vreshtit, nga frika se mos falimenton e detyrohet ta shesë vreshtin, kujdeset për atë që të prodhojë rrush sa më shumë e sa më të mirë, kurse për shqiptarin i njëjti proverb do të thotë se dikush ka dëshirë të futet në vreshtin e tjetrit për të ngrënë fshehtas rrush, por ka frikë se mos atje vigjilon me çifte në dorë pronari, që mund t’ia mbushë hajdutit prapanicën, në mos kokën, me saçme. Kur e kujtoj sot këtë bisedë me mikun tim franko-bullgar, mendja më shkon te psikoza e frikës që mbizotëron aktualisht te shtresat e varfra të shoqërisë shqiptare.

Unë e kuptoj fort mirë vullnetin e qeverisë Rama në vënien e gjobave për ata që nuk paguajnë faturat e energjisë elektrike apo ato të ujit të konsumuar, për ata që nuk paguajnë tatimet, që shesin pa i dhënë blerësit kuponin tatimor etj., etj.

Po, e kuptoj fort mirë, por në kushtet e një papunësie tashmë kronike, me gjithë premtimin elektoral ende të pambajtur të hapjes së 300 000 vendeve pune, unë nuk e përtyp dot mënyrën se si vepron kjo qeveri duke marrë sanksione të shpërpjestuara të tipit, bie fjala, aq e kaq milionë gjobë për dy çamçakëzë, për një paketë cigare apo për një sapun, nuk e kuptoj dot kërcënimin me dënime me burgim për ata që vërtet s’kanë se me çfarë të paguajnë, çka ka shpënë deri në vetëvrasje njerëz të ndershëm, por të varfër, shumë të varfër.

Së fundi, le t’i kthehemi edhe një herë proverbit të lartpërmendur, variantit shqiptar, sigurisht.

Po, frika ruan vreshtin, por vreshti me rrush të pjekur, madje nganjëherë gjysmë të pjekur, nga ana e tij, e thërret, e josh, e tundon atë që ka etje e uri bashkë, që ka një familje me shumë gojë për të ushqyer, por që nuk ka punë e do të vazhdojë të mos ketë edhe për shumë vite të tjera, ndërkohë që pronarë të mëdhenj vreshtat “bankare” hanë çdo ditë rrush të thatë e pinë çdo natë verë nga më e mira, nga ajo vera krejt e kuqe që të kujton ngjyrën e gjakut, pronarë për të cilët nuk jam fort i bindur nëse i paguajnë plotësisht tatimet dhe faturat e energjisë elektrike e ato të ujit të konsumuar realisht.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here