Home Edmond Tupja Nostradamusi & Nastradini

Nostradamusi & Nastradini

1965
0

tupja-150x150I pari, pra Nostradamusi, dhe i dyti, pra Nastradini, njihen edhe në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike. I pari ka lindur dhe jetuar në shekullin XVI dhe është botërisht i njohur me dhjetë librat e tij të famshëm me 1000 strofa katërvargëshe, me titull “Centuries” (Qindëshet), në të cilat parashikoi 1000 ngjarje të tilla si vdekjen e mbretit Henrik II të Francës, ekzekutimin e Karlit I të Anglisë Revolucionin Francez, ardhjen në fuqi e Napoleonit, diktaturën e Hitlerit, zbulimin e shkrimeve të vjetra në Detin e Vdekur, vdekjen e J.F.Kenedit në Dallas, 11 shtatorin 2001, shpërbërjen e Jugosllavisë, islamizmin dhe cunamin e disa viteve më parë, të paktën siç mëtojnë përkthyesit dhe interpretuesit e veprës së tij profetike.

Ajo çka më bën përshtypje te ky njeri me aftësi të pazakonta parashikuese është se diku dhe në njëfarë mënyre më ka prekur në sedrën time patriotike, duke mos parashikuar bëmat e Skënderbeut tonë të lavdishëm që u bëri ballë për gati një çerekshekulli hordhive të turqve osmanllinj dhe mbrojti kështu gjithë arritjet historike të qytetërimit të atëhershëm europian dhe, ndoshta, vetë Francën, atdheun e Nostradamusit.

Të këtij mendimi janë absolutisht edhe miqtë mi të vjetër Aqif Qifa, Françesk Armadhi dhe Vangjel Lezeti, tashmë aq të njohur nga lexueset e lexuesit e mi të kësaj rubrike, që të tre atdhetarë të përkryer, të cilët u zhgënjyen nga parashikuesi i famshëm, aq më tepër që ky mund të ishte hedhur edhe deri në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike, duke parashikuar të paktën diçka nga historia e saj e shekullit XX e XXI (diktaturën komuniste, ardhjen e vonuar të demokracisë, flamën e firmave piramidale, gurgulenë e Gërdecit dhe, sot e kësaj dite, kolapsin korruptiv apo dramën e drogës depërtuese).

Por, për fat befasisht të mirë, dikush që kishte lindur e jetuar në Turqi (1208-1284), pra, gati tre shekuj para Nostradamusit, i njohur që nga Shqipëria e vendet e tjera ballkanike deri në Mongoli e në Sinkiang të Kinës, pa harruar vendet arabe të Magrebit, Egjiptin, Afganistanin, Iranin e Azerbajxhanin, pra dikush me emrin Nasr Edin Hoxha, d.m.th., në shqipe të mirëfilltë, Nastradin Hoxha, parashikoi, me përvojën e me mençurinë e tij popullore, disa gjëra fort interesante që po ndodhin aktualisht në shtetin tonë të rilindur në drejtimin e duhur dhe, për rrjedhojë tmerrësisht demokratik, duke ia marrë kështu në kthesë edhe vetë Nostradamusit.

Ky personazh, i cili, sipas “nastradinologut” francez Jean-Louis Maunoury, shfaqej herë si njeri dinak dhe herë si budalla (ose gjoja budalla), i cili ishte i zoti të bënte arsyetime logjike absurde po aq sa t’ua mbyllte gojën kundërshtarëve të tij me batuta të goditura, ndoshta edhe më të goditura se ato të kryeministrit tonë aktual. Aventurat e tij kanë ardhur deri më sot përmes lloj-lloj historish të shkurtra: herë serioze dhe herë vërtet komike, secila syresh ka një moral ose ngre një çështje filozofike objekt përsiatjeje.

Kështu, për shembull, tre miqtë e mi atdhedashës të lartpërmendur pretendojnë se Nastradini ka pasur parasysh, që në shekullin XIII, Shqipërinë e sotme tmerrësisht demokratike, atë ditë kur, ende i ri, dha një provim në medrese për t’u bërë hoxhë. Kur mullai i bëri pyetjen se ç’ishte për atë materia, ai u përgjigj se Allahu i kishte dhënë kësaj aq shumë forma saqë ishte e pamundur ta përkufizoje. Mirëpo, sërish mullai e pyeti nëse materia ishte e tejdukshme apo nuk ishte e tillë. “E tejdukshme”, u përgjegj djaloshi Nastradin.

Mullai, duke ironizuar, i tha: “Interesant, përgjigjja jote! Pra, ti mendon se mund ta këqyrim botën përmes gjërave materiale, apo jo?” dhe, me të marrë një përgjigje pohuese, shtoi: “Atëherë, jam kureshtar të më japësh një shembull”. Nastradini, pa pikë ngurrimi, i dha këtë përgjigje: “Shumë e thjeshtë, efendi: vrima e çelësit”. Vrima e çelësit! Shyqyr Zotit të plotfuqishëm e përdëllimtar që Frojdi ende nuk ekzistonte asokohe, sepse do të ishim ngatërruar sot nëpër labirintet e psikanalizës së tij dhe do të kishim anashkaluar një të vërtetë të madhe: me përgjigjen që dha, Nastradini parashikoi, pa e ditur as vetë, se çfarë do të ndodhte pas shtatë shekujsh në vendin tonë.

“Si kështu?” mund të hidhen e të pyesin, të habitura e të habitur, lexueset dhe lexuesit e mi kureshtarë. Po, po, kështu, sepse gjithçka jo vetëm abstrakte, por edhe materiale është kaq e tejdukshme në vendin tonë saqë jo vetëm korrupsioni, kriminaliteti, papunësia, pasiguria, varfëria e dëshpërimi, por edhe droga, paraja e pistë e pronat e përvetë- suara padrejtësisht, ndër të tjera gjëra materiale, janë aq të tejdukshme, saqë vrima e çelësit të Nastradinit është kthyer në një vrimë kozmike, përmes së cilës po shohim qartas të ardhmen e sigurt e të lumtur të Shqipërisë sonë tmerrësisht demokratike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here