Rritet masa e dredhjes së kontributeve për ushtarakët aktivë. Kështu, sipas ndryshimeve të reja, të ligjit për pensionet suplementare të ushtarakëve, nëse ushtarakët aktivë deri më tani derdhin 2 për qind të pagës referuese, tashmë, tani e tutje do të jenë të detyruar të derdhin si kontribute 5 për qind të pagës referuese. Ndryshimet e reja të qeverisë në ligjin për pensionet, konsistojnë edhe në ndryshimin e mënyrës së llogaritjes. Po ashtu, personat që përfitojnë pension të parakohshëm, nga 50 për qind të pagës mesatare referuese mujore, do të marrin 1.5 për qind të kësaj page.
Ndryshon përllogaritja
Paga referuese neto është paga që rezulton pas zbritjes, nga paga referuese, të kontributit të detyrueshëm të sigurimit shoqëror dhe shëndetësor plus tatimin mbi të ardhurat personale plus kontributin suplementar, sipas këtij ligji, të cilat mbahen nga paga. Ndërkohë që në ligjin aktual paga referuese përbëhet nga paga bazë mujore sipas viteve të shërbimit dhe shtesave mbi pagë.
Paga mesatare referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese sipas periudhave të qëndrimit në atë gradë apo funksion. Ndërsa, Paga mesatare referuese neto, është paga e barabartë me pagën referuese mesatare, pasi i zbritet shuma e kontributit të sigurimit shoqëror shëndetësor, tatimit mbi të ardhurat dhe kontributit suplementar, sipas këtij ligji, të cilat mbahen nga paga.
Pensioni i parakohshëm
Me ndryshimet e reja, qeveria ul masën e pensionit të parakohshëm, çka do të thotë që pensionistët do të përfitojnë më pak lekë nga çfarë përfitonin. Kështu, pensioni i parakohshëm, për personat që plotësojnë kushtet e përfitimit, është 1.5 për qind e pagës mesatare referuese mujore neto, për çdo vit shërbimi. Ndërkohë që me ligjin që ende është në fuqi, pensioni i parakohshëm për këtë kategori personash është 50 për qind e pagës mesatare referuese mujore. Në çdo rast, masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e ulët se pensioni bazë, i përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. Kërkesa për përfitim, sipas përcaktimeve të pikës 1, të nenit 28, të ligjit nr.10.142, datë 15.5.2009, nga personat që e drejta u ka lindur por nuk është ushtruar, mund të ushtrohet deri më 31.12.2010 dhe përfitimi do të jepet nga data e hyrjes në fuqi të ligjit të sipërpërmendur. Shumat e pensioneve të parakohshme, të rillogaritura, kur rezulton shtesë mbi shumat e përfituara më parë, i paguhen përfituesit me këste, sipas përcaktimeve, me vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me parashikimet në buxhetin e vitit përkatës.
AKT NORMATIV
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10142, DATË 15.5.2009, “PËR SIGURIMIN SHOQËROR SUPLEMENTAR TË USHTARAKËVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA, TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT, TË GARDËS SË REPUBLIKËS, TË SHËRBIMIT INFORMATIV TË SHTETIT, TË POLICISË SË BURGJEVE, TË POLICISË SË MBROJTJES NGA ZJARRI DHE TË SHPËTIMIT E TË PUNONJËSVE TË SHËRBIMIT TË KONTROLLIT TË BRENDSHËM NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në ligjin nr.10.142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të Punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në pikën 2 të nenit 4, paragrafi i dytë dhe i tretë ndryshohen, si më poshtë vijon:
1. Në pikën 2, paragrafi i dytë dhe i tretë, ndryshohen si më poshtë vijon:
“Për efekt të llogaritjes së përfitimeve:
a) Paga referuese neto është paga që rezulton pas zbritjes, nga paga referuese, të kontributit të detyrueshëm të sigurimit shoqëror dhe shëndetësor plus tatimin mbi të ardhurat personale plus kontributin suplementar, sipas këtij ligji, të cilat mbahen nga paga.
b) Paga mesatare referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese sipas periudhave të qëndrimit në atë gradë apo funksion.
c) Paga mesatare referuese neto, është paga e barabartë me pagën referuese mesatare, pasi i zbritet shuma e kontributit të sigurimit shoqëror shëndetësor, tatimit mbi të ardhurat dhe kontributit suplementar, sipas këtij ligji, të cilat mbahen nga paga.
Pagat referuese të njësuara, rregullat e llogaritjes së pagës referuese neto dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese neto, për të gjithë karrierën, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
2. Pas pikës 4, të nenit 4, shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
“5. Kudo ku, në këtë ligj, për efekt të llogaritjes së përfitimeve, përdoret shprehja “pagë mesatare referuese”, do të zëvendësohet me shprehjen “pagë mesatare referuese neto”, ndërsa shprehja “pagë referuese” zëvendësohen me “pagë neto referuese”.
Neni 2
Në nenin 5, pika 3, shifra “…2 %…” bëhet “…5 %…”.
Neni 3
Pikat 1 dhe 2, të nenit 14, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“1. Pensioni i parakohshëm, për personat që plotësojnë kushtet e përfitimit, është 1.5 për qind e pagës mesatare referuese mujore neto, për çdo vit shërbimi.
2. Në çdo rast, masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e ulët se pensioni bazë, i përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.”.
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 4
Kërkesa për përfitim, sipas përcaktimeve të pikës 1, të nenit 28, të ligjit nr.10.142, datë 15.5.2009, nga personat që e drejta u ka lindur por nuk është ushtruar, mund të ushtrohet deri më 31.12.2010 dhe përfitimi do të jepet nga data e hyrjes në fuqi të ligjit të sipërpërmendur.
Shumat e pensioneve të parakohshme, të rillogaritura, kur rezulton shtesë mbi shumat e përfituara më parë, i paguhen përfituesit me këste, sipas përcaktimeve, me vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me parashikimet në buxhetin e vitit përkatës.
Neni 5
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë, botohet në “Fletoren Zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare, si më poshtë:
a) Për përfitimet, nga data e hyrjes në fuqi të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009;
b) Për ndryshimin e normës së kontributit, nga data 1.1.2011.