Nën thirrjet dhe pankartat “Duam punë dhe dinjitet” mijëra simpatizantë dhe militantë demokratë, të udhëhequr nga kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe ish-lideri Sali Berisha, janë bërë pjesë e protestës së kësaj force politike përpara kryeministrisë kundër kushteve ekonomike dhe sociale të qeverisë aktuale.
Në protestën e katërt të opozitës në një vit qeverisës PS-LSI, simpatizantë, të ardhur nga të gjitha qytetet e vendit me fugonë dhe autobusë, u mblodhën sot në sheshin Skënderbej, ku marshuan deri përballë Kryeministrisë. Simpatizantëve iu bashkuan edhe punonjës të bashkisë, me në krye Kreu i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Vendor, Florenc Hoxha.
Edhe krerët e pushteteve lokale, mes të cilëve Dasho Aliko, kreu i komunës së Lazaratit, kanë qenë sot në bulevardin qendror të kryeqytetit për u bërë pjesë protestës së demokratëve. Ashtu siç ishte paralajmëruar protesta nisi rreth orës 12:00, dhe zgjati përr rreth 1 orë.
Në fjalën e tij, Kreu i PD, Lulzim Basha, akuzoi qeverinë shqiptare dhe konkretisht dyshen Rama-Meta, për gjendjen e rëndë ekonomike, që sipas tij po e çojnë gjithnjë e më tepër në kolaps shoqërinë shqiptare. Sipas Bashës, qeveria ka shkelur të gjitha premtimet e bëra me të cilat erdhi në pushtet dhe se nuk e dëgjon më zërin e qytetarit, por vetëm interesin personal të pushtetarëve.
Madje, referuar prezencës së kryeministrit në hapjen për herë të parë të bunkerit antibërthamor të ish-diktaturës komuniste, për Kreun e demokratëve, kjo është një tregues se kryeministri Rama është fshehur në bunkeret e diktaturës për të mos dëgjuar dhe shikuar sipas tij 200 mijë shqiptarët e mbledhur në protestë.
Dhe sipas Bashës, përballë një situate të tillë të rënduar ekonomike të qytetarëve shqiptarë, zgjidhja e vetme është rrëzimi i kësaj qeverie. Në këtë kontekst, Basha u shpreh se protestat e opozitës nuk do të ndalen deri sa qeveria të kthehet në realitet ose në rrëzimin e plotë të saj.
Kemi ardhur të mbrojmë të drejtat tona dhe ti kthejmë të mirën këtij vendi. Kemi ardhur, sepse nuk ka ardhur dhe nuk vjen më Edi Rama tek ju. Nuk i llogarit më qytetarët ky kryeministër. Sot është futur në bunkerin e Enver Hoxhës për të mos ju shikuar ju. Është futur aty se mendon se nuk ju dëgjon dot, se nuk e ndjen forcën e bashkimit të një populli të tërë. Është futur në bunkerin e izolimit kryeministri që mashtroi, por jemi këtu sot për t’i kujtuar turet e mashtrimit, dhe ta pyesim se pse nuk qeveris por do të sundosh. Opozita i ka bërë thirrje qeverisë të kthehet në realitet dhe të vendosë në interes të gjithëve jo të oborrtarëve të tyre. Vendi është në gropë dhe gropën e ka krijuar qeveria. Këta thonë zgjidhe ti o popull shtrëngoje rripin. Nuk bie populli, nuk dorëzohet qytetari, por rrëzohet qeveria. Në emër të 200 mijë shqiptarëve të mbledhur sot këtu ne nuk do të pranojmë këtë qeveri, por ne do të ju largojmë. Prandaj mos kini shpresë se do të ndalemi. Ne nuk do të pushojmë për të kërkuar liritë e qytetarëve. ” theksoi Basha
Për mbarëvajtjen e saj rreth 3000 efektivë policie, mes të cilëve 4 repartë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, ishin vënë në gadishmëri. Po ashtu edhe një njësi speciale e Gardës së Republikës ishte e vendosur mbi tarracat e ndërtesave për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.
Policia: E pavërtetë, askush nuk është penguar të marrë pjesë në protestë
Policia e Shtetit ka mohuar akuzat e ngritura nga kreu i Partisë Demokratike në Shkodër Ramiz Çobaj se po bllokohen simpatizantët demokratë për tu bërë pjesë e protestës së opozitës për shkak të mungesës së kartave të identitetit nga ana e tyre.
Përmes një komunikate për shtyp, policia e shtetit, thekson se një lajm i tillë nuk është aspakt i vërtetë, duke nënvizuar se nuk ka asnjë që qytetar që është penguar për të marrë pjesë në protestën e PD.
“Policia e Shtetit, sqaron opinionin publik se, lajmet e publikuara nё disa media mbi ndalimin nga policia tё qytetarёve pjesёmarrёs nё tubimin e organizuar nga subjekti PD, pёr mungesё tё dokumentacionit tё identitetit, nuk janё tё vërteta. Nga strukturat e Policisё sё Shtetit nё asnjë rast nuk ёshtё ndaluar apo penguar ndonjë qytetar, pёr tё marrё pjesё nё kёtё tubim, pёr kёtё shkak apo edhe pёr shkaqe tё tjera. Policia e Shtetit, garanton qytetarёt se janё marrё tё gjitha masat pёr tё siguruar mbarёvajtjen e tubimit.”
Shkodër, policia kthen simpatizantët pa dokumente identifikimi
Policia e qytetit të Shkodrës ka kthyer pas simpatizantët demokratë të cilët ishin pa karta identiteti për sigurinë e protestës në Tiranë. Por për kreun e Partisë Demokratike të Shkodrës, Ramiz Çobaj kjo situatë nuk është aspak normale dhe se sipas tij policia nuk duhet të ngrejë postblloqe kur opozita ka protestë.
Nisen 4 autobusë me simpatizantë nga Berati
Rreth 200 simpatizantë demokratë nga qyteti i Beratit janë nisur mëngjesin e sotëm për t’iu bashkuar protestës. Ata janë organizuar të nisen bashkarisht me autobusë.
12 autobusë nga Korça… militantët frikë për vendin e punës!
Rreth 12 autobusë me simpatizantë të Partisë Demokratike janë nisur mëngjesin e sotëm drejt kryeqytetit për t’iu bashkuar protestës së PD-së. Dhjetëra simpatizantë janë mbledhur në orën 06:00 të mëngjesit të kësaj të shtune në pika të ndryshme të qarkut të Korçës ndërsa më pas janë nisur drejt kryeqytetit. Nga pamjet e filmuara nga kamera e A1 REPORT vihet re një pjesëmarrje e vakët, por drejtues të Partisë Demokratike pohojnë se janë gjithsej 12 autobusë, të cilët do nisen prej rajonit juglindor për të marrë pjesë në protestë. Jashtë kamerës simpatizantë të kësaj force politikë kërkojnë të mos publikohen në media pasi kjo rrezikon seriozisht vendin e tyre të punës. Teksa shmangen ndaj kamerës mes debateve të tyre vihet re edhe mospjesëmarrja e shumë simpatizantëve të tjerë, të cilët gjatë komunikimit në telefon ne përfaqësues të degës së Partisë Demokratike thonë se pjesëmarrja në protestë do të rrezikonte vendin e punës ndaj nuk kanë preferuar t’i bashkohen kësaj proteste.
Dibër, 1 mië militantë drejt Tiranës
Rreth 1 mijë simpatizantë të Partisë Demokratike janë nisur nga Dibra për t’iu bashkuar protestë. Shumica të organizuar bashkarish me autobusë, e shumë të tjerë me automjetet e tyre personale.
Vlorë, 200 simpatizantë të PD nisen për të protestë
Vlora duket se ka edhe numrin më të vogël të simpatizantëve që do t’i bashkohen protestës së demokratëve në Tiranës. 3 autobusë janë nisur këtë mëngjes nga qyteti bregdetar, me rreth 200 militantë të PD-së.