Debate të forta kanë përfshirë sot komisionin kuvendor të Sigurisë Kombëtare ku ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri kreu një seancë dëgjimore pas një kërkesë të anëtarev të djathtë të këtij komisioni. Nga cështja e vrasjes nga policia greke të dy vëllezërve nga Devolli, cështja kaloi tek shpërthimet me tritol.
Vellezerit Collaku
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri raportoi sot në komisionin e Sigurisë Kombëtare në lidhje me vrasjen e vëllezërve Çollaku nga pala greke.
“Policia kufitar u njoftua mbi ngjarjen në orën 00:30 minuta. Policia greke kishte tërhequr trupat pas ekspertimit. Kjo cështje mbi vrasjen e 2 vëllezërve është jashtë juridiksionit të Shqipërisë, por ne presim që cështja të zbardhet”, u shpreh Tahiri në komision të Sigurisë.
Ministri shtoi më tej se “dy vëllezërit Çollaku qëlluan me armë ndaj policisë greke dhe ata iu kundërpërgjigjën. Ne nuk mund ta kqyrim vendin e ngjarjes, sepse është jashtë juridiksionit tonë. Ministria e Brendshme nuk bën ekspertizë mjeko-ligjore pasi kjo është kompetencë e organeve të tjera. Garantoj, që shteti shqiptar ka ushtruar të gjitha kompetencat për ngjarjen në kufi me Greqinë”.
Ndërsa u shprehu ngushëllime familjes Çollaku, Tahiri kërkoi nga politika të mos abuzojë me këtë ngjarje të rëndë.
I menjëhershëm ka qënë reagimi i deputetit të Partisë Demokratike Flamur Noka, i cili ka theksuar se duhet të zbardhjet e vërteta për vrasjen e dy vëllezërve Çollaku.
“Ngjarja ka një terr informative. Duam të vërtetën e ngjarjes në kufirin me Greqinë ku u vranë dy vëllezërit Çollaku. Policia jonë dha të njëjtin version të ngjarjes në kufi, si policia greke”, tha ai.
Por ministri Tahiri ka përgënjeshtruar deputetin Noka duke theksuar se policia shqiptare ka dhënë versionin e saj zyrtar për ngjarjen.
“Policia jonë në asnjë rrethanë nuk e ka përsëritur deklaratën e policisë greke”.
Tahiri-Noka
Gjatë deklarimeve të ministrit, deputeti i PD-së, Noka akuzoi ministrin Tahiri se nuk ka mësuar ende përgjegjësinë e detyrës që mban. “Ti je karagjoz”- i ka thënë ai Tahirit.
Ndërkohë që ministri Tahiri i është përgjigjur se “Ka ikur koha kur policia vriste dhe bënte ekspertizen po vetë, ashtu si ndodhi më 21 janar”.
Patozi
Ndërsa deputeti i PD Astrit Patozi theksoi se Tahiri duhet të mendojë dorëheqjen nga posti i ministrit.
“Tahiri nuk ka kohë të vijë në komision, pasi është kthyer në një “Star mediash”. A e keni menduar dorëheqjen nga posti apo shkarkimin nga detyra e ministrit?” iu drejtua Patozi ministrit.
Dy vëllezërit Melsi dhe Klevis Çollkaku, u vranë në muajin nëntor në kufi me shtetin grek. Familjarët pretendojnë se të dashurit e tyre nuk kanë ushtruar kurrë aktivitete me trafiqe kriminale dhe se vrasja ka qenë me qëllim nga pala greke. Sipas familjarëve, para se të vriteshin, trupat janë torturuar dhe më pas masakruar me plumba.
Tritoli, Tahiri: SHISH, inaktiv
Ndërkaq po sot në komisionin e Sigurisë, u hap dhe tema e shpërthimeve me tritol. Sipas Tahirit, këto ngjarje janë të karakterit terrorist, ndersa akuzoi kreun e SHISH per inaktivitet.
“Është hapur një fole kriminaliteti që nuk ishte e hapur. Tritoli ka një rritje të pajustifikueshme në asnjë rrethanë. Janë akte akte terroriste që do të hetohen nga policia e prokuroria. Maksimumin që këto ngjarje të ndërpriten. Dje kam zhvilluar një takim me shefin e SHISH. I kam komunikuar inaktivitet dhe mosmarrje të informacionit nga ana e SHISH”.
Tahiri theksoi se mosmarrja e informacionit të kërkuar cënon sigurinë kombëtare.