“Janë gjëra që nuk duhet të diskutohen, s’kam asnjë vepër penale në Shqipëri përvec një armëmbajtje pa leje”, tha Ilir Kupa sot në seancën gjyqësore në Tiranë.
Në këtë seancë të parë gjyqësore për masën e sigurisë, pati debat tepër të madh ku më i irrituar ishte Ilir Kupa që nga kafazi i hekurt duke folur me revoltë e rebelim në momentin që gazetarët duhet të linin sallon e gjyqit.
Ai kërkoi zbardhjen e vrasjes së dy shokëve të tij në Greqi pas kërkimit të tyre nga arratisja nga burgu.
Kupa pretendon se ai nuk ka lidhje me asnjë ngjarje kriminale, qoftë në Shqipëri, qoftë dhe në Greqi.
Prokuroria do të kërkojë masën e sigurisë burg pa afat për Kupën. Armët janë dërguar ndërkaq për ekspertizë balistike për të verifikuar nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale.
Në Shqipëri Kupa akuzohet vetëm për armëmbajtje pa leje. Ai duhet të ekstradohet në Greqi, për llogari të shtetit grek që e akuzon për krime Ilir Kupën, por dhe këtu ka një pengesë ligjore. Gazetarja Klodiana Lala bën me dije se shteti shqiptar nuk ka marrëveshje ekstradimi me shtetin grek, pala shqiptare mund ta dorëzojë këtë shtetas për shkak të sensibilitetit në shtetin grek mbi ngjarjen e arratisë.
27 vjecari Ilir Kupa ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga autoritetet greke si pjesëtar i një organizate kriminale dhe i arratisur nga burgu në Greqi, në Mars 2013.
Arratia
Më 22 mars 2013 Ilir Kupa, së bashku me 7 shqiptarë të tjerë arriti të arratisej nga burgu i Trikalas në Greqi. Gjatë arratisë së tij ai ishte nën shoqërinë e të arratisurit tjetër Marian Kola, deri të dielën e 21 korrikut, kur Kola u vra në përleshje me policinë, ndërsa Kupa arriti të largohet. Policia greke vazhdoi ndjekjen e tij, deri në 6 gusht kur njoftoi se 27-vjeçari mund të ketë kaluar kufirin dhe të ketë hyrë në Shqipëri.
Me arrestimin para pak ditesh i jepet fund arratisë gati 1-vjeçare të Ilir Kupës, ndërkohë që nga 8 shqiptarët që arritën të arratisen nga burgu i Trikalas, Ermal Lita u arrestua në muajin maj pas grabitjes në supermarket në Greqi.
Admir Murataj dhe Klement Cala, të dyshuar për grabitjen e 1 mln eurove në Bankën e Larisas, mendohet se janë larguar nga Greqia. Për Fatos Sulaj u tha se ka mundur të shkojë në Kosovë, ndërsa Florent Luli dyshohe se fshihet në Athinë. Ermir Sinani dhe Flamur Sinani u vranë në përleshje me policinë në Koniska, ndërsa Marian Kola u vra nga të shtënat e policëve grekë, gjatë shkëmbimit të zjarrit, pranë fshatit Vrosina të Sulit.