Home Politike PD dorezon listen e kandidateve. Perzgjidhen emra te rinj nga forumi rinor

PD dorezon listen e kandidateve. Perzgjidhen emra te rinj nga forumi rinor

1282
0
Rudina Hajdari, vajza e Azem Hajdarit

Në tejkalim të afatit kohor të parashikuar në paktin politik Rama-Basha dhe duke shmangur Kryesinë, Partia Demokratike ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit.

Kjo është lista e parë që mban vulën e kryetarit Lulzim Basha, ndonëse ka një perceptim të fortë, sipas të cilit, pas emrave dhe renditjes fshihet dora e Sali Berishës. Kryetari i PD Lulzim Basha do të kryesojë listën në Tiranë.

Ndërkaq, ish-kryeministri Sali Berisha, rezulton i shtati po në Qarkun e Tiranës. Në Elbasan drejtues do të jetë Edmond Spaho, në Durrës Oerd Bylykbashi, në Shkodër Romeo Gurakuqi, në Vlorë Agron Shehaj, në Berat Eduard Halimi, në Fier Enkelejd Alibeaj, në Korçë Valentina Duka, në Lezhë Aldo Bumçi, në Kukës Flamur Noka, në Dibër Dhurata Çupi dhe në Gjirokastër Tritan Shehu. Ndërkaq, befasi është mungesa e kreut të FRPD, Belind Këlliçi në listën fituese.

Kujtojmë këtu që Lulzim Basha pati premtuar se 35 për qind e listës fituese do të përbëhej nga përfaqësues të forumit rinor.

Kandidatët e rinj në listë
Pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike është bërë edhe rrethi i ri i të besuarave të Lulzim Bashës. Kështu, sipas listës, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Grida Duma do të garojë e pesta në listë në në Qarkun e Tiranës. Po në Tiranë, pjesë e listës fituese edhe vajza e Azem Hajdarit, Rudina Hajdari.

Ndërkaq, e dyta në listën e Tiranës, është edhe Oriola Pampuri, një emër i panjohur në skenën politike. Ndërkaq, pjesë e listës fituese është ish-shefi i shtabit, Xhemal Gjunkshi. Pjesë e listës në Tiranë rezultojnë edhe Flamur Hoxha, Fatbardh Plaku, Dorjan Teliti dhe Besnik Fucia.

Ndërkaq, i gjashti në Durrës është Vullnet Topalli anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Në Shkodër, përpos Romeo Gurakuqi, në listë rezultojnë edhe Izmira Ulqinaku dhe Lorenc Luka. Ndërkaq spikat edhe pedagogia e historiania e njohur Valentina Duka.

Beteja për listën
Listat e mbyllura të kandidatëve për deputetë janë përcaktuese për t’i ndërprerë apo ngritur cilitdo karrierën politike. Beteja për t’u bërë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë është zhvilluar mes disa grupeve kryesore në Partinë Demokratike.

Së pari, garda e vjetër e Partisë Demokratike, e cila dominon aktualisht grupin parlamentar demokrat, ka lëvizur çdo gur për të siguruar një vend në listën fituese, për të t’u bërë pjesë e parlamentit të ri. Shkëndijat publike, por edhe në prapaskenë, mes grupit të të vjetërve dhe rrethit të ri të Lulzim Bashës, kanë nisur që prej dy vitesh. Të pasigurt nëse do të ishin pjesë e listës, xhaketat e vjetra të PD kanë ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj Lulzim Bashës, duke kritikuar mënyrën se si ai e ka drejtuar partinë. Megjithatë, vetëm disa prej tyre u bënë pjesë e listës.

Grupet e tjera
Grupi i dytë është ai që përbëhet nga rrethi i ri i besnikëve të Lulzim Bashës, të katapultuar nga ky i fundit në forumet e larta të PD. Baza e këtij grupi ka qenë Bashkia e Tiranës, kur drejtohej nga Lulzim Basha. Kjo linjë, herë pas herë ka bërë thirrje që të vjetrit në PD t’u hapin rrugë të rinjve, se janë ata përgjegjës kryesor për humbjet etj. Grupi i tretë përbëhet nga krerët e degëve të Partisë Demokratike, të cilët duke shfrytëzuar influencat në bazë, kanë ushtruar presion ndaj drejtuesve të lartë të partitë, për t’u bërë pjesë e listës. Një tjetër grup është ai i përfaqësuesve të FRPD, të cilëve Lulzim Basha u ka premtuar se do të dominionin listën fituese të kandidatëve në masën 35 %. Këto ditë, në zyrën e Bashës, për të siguruar një vend në listë, kanë hyrë edhe aleatë, mbështetës të çadrës, biznesmenë etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here