Home Ekonomi Rritet perseri siguracioni i makinave

Rritet perseri siguracioni i makinave

611
0

siguracioni-makinaveKompanitë e sigurimit rritën dje njëkohësisht çmimin e sigurimit motorik të mjeteve TPL, duke e çuar atë në një nivel prej 14 600 lekësh. Ashtu siç ka ndodhur gjithmonë, rritja është bërë në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën vlerë. Kjo rritje prek direkt si qytetarët që kanë një makinë me kapacitet motorik deri në 1.6 kubik, ashtu dhe ata mbi 1.6 kubik. Një lëvizje e tillë e çmimit e njëkohshme dhe në të njëjtën vlerë tregon se kompanitë nuk kanë marrë parasysh kërkesën e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për caktimin e primit të riskut për secilën kompani në mënyrë të veçantë.

ÇMIMET
Liberalizimi i tregut të sigurimit të makinave e ka futur këtë të fundit në kaos, pasi duke filluar që nga viti 2011 asnjëherë çmimet nuk kanë ruajtur stabilitet për më shumë se dy apo tre muaj. Mjafton t’i referohemi vetëm vitit 2013, ku në gjashtë muaj janë ndryshuar tarifat 4 herë dhe kompanitë kanë pasur lëvizjet e çmimeve në të njëjtën ditë dhe pak a shumë kanë zbatuar të njëjtin nivel. Kështu, nga dje një makinë me kapacitet motorik deri në 1.6 kubik paguan 14 600 lekë, dhe po kaq edhe një makinë me kapacitet mbi 1.6 kubik. Deri dy ditë më parë tregu funksiononte sipas çmimeve që kompanitë vendosën në dhjetëditëshin e fundit të majit, ku një makinë me kapacitet motorik deri në 1.6 kubik sigurohej me një tarifë nga 7000-8600 lekë. Kurse një makinë me kapacitet mbi 1.6 kubik sigurohej me një çmim nga 11 000 deri në 11 900 lekë. Por çmimet e majit nuk ishin të parat e këtij viti. Në fakt, kompanitë zbatuan çmime të tjera në mars të këtij viti, ku niveli i tyre ishte tejet i ulët, aq sa u reflektua më vonë në uljen e pagesës së dëmeve. Në mars një makinë me kapacitet deri në 1.6 kubik mund të sigurohej me një çmim nga 5500- 6000 lekë, kurse një makinë me kapacitet mbi 1.6 kubik mund të sigurohej me një çmim nga 6000-7000 lekë. Në fakt, çmimet e marsit erdhën pas atyre të vendosura në janar. Fiks më 21 janar, kompanitë, në mënyrë të njëkohshme e çuan primin e TPL-së në 16 000 lekë, ndërsa në fillim të janarit ishte vetëm 6000 lekë.
AMF
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, pas liberalizmit të tregut, ka deklaruar se nuk mund të ndërhyjë në treg, pasi tarifat përcaktohen nga vetë kompanitë. Gjithsesi, ky institucion që mbikëqyr tregun, në dy raste ka caktuar primin minimal të riskut për operatorët e tregut si një mënyrë orientimi që çmimet të mos bien poshtë këtij niveli. Një prim minimal risku u miratua në tetor të vitit 2012 dhe një tjetër në prill të këtij viti, ku Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare uli tarifat krahasuar me tetorin. Kështu, sipas tabelës së fundit të miratuar nga AMF më 24 prill, primi mesatar i riskut për kompanitë në mënyrë që të sigurohet pagesa e dëmeve është 6500 lekë për makinat me kapacitet motorik deri në 1.6 kubik dhe 9400 lekë për makinat me kapacitet motorik mbi 1.6 kubik.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here