I ftuar në Tiranë për shenjtërimin e Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, së bashku me drejtuesit e tjerë më të lartë të fesë ortodokse, Patriarku i Serbisë, Fortlumturia e Tij Irenej, në një intervistë ekskluzive për Top Channel komenton reagimet lidhur me vizitën e tij në Shqipëri.
Duke iu referuar rolit të Kishës serbe në marrëdhëniet e shtetit për çështjen e Kosovës, ai thekson se krahina e Kosovës është pjesa më e shenjtë për popullin serb.
“Në këto vise jetojnë një numër shumë i madh shqiptarësh, por kjo nuk është vetëm tani. Ne më shqiptarët kemi jetuar në shekuj. Asnjëherë nuk kemi pasur probleme midis dy popujve tanë. Ato që po ndodh në këto kohëra midis nesh, pra shkëputja e Kosovës dhe krijimi i një shtetit të pavarura nga Serbia, ne na rëndon shumë. Kosova dhe Metohija për ne serbët është pjesa më e shenjte, aty është zhvilluar e gjithë historia e popullit tonë. Është zhvilluar kultura dhe ana jonë shpirtërore. Numri i madh i shenjtorëve që ne ndërtojmë në Kishën tonë është nga kjo krahinë. Rezidenca e Patriarkanës Serbe faktikisht është në Pejë dhe i bie që Rezidenca e Patriarkanës Serbe të jetë në një shtet tjetër dhe jo në Serbi. Këtë ne nuk mund ta pranojmë dhe ta kuptojmë. Ne jemi të gatshëm që të gjejmë një zgjidhje të drejtë që të dyja palët të jenë të kënaqura. Nëse ne kemi jetuar me shekuj bashkë, pse të mos vazhdojmë të jetojmë përsëri bashkë. Një tjetër problem është se për rreth 200 -250 mijë serbë u është dashur që të lënë shtëpitë e tyre dhe të largohen nga Kosova dhe Metohija dhe nuk e kuptojmë pse ky popull nuk mund të kthehet në shtëpitë e veta, atje ku me qindra vjet kanë jetuar dhe të ketë një jetë normale midis dy popujve tanë”, u shpreh Irenej.
Pa e përmendur në asnjë moment gjurmën më të fundit të dhunës serbe në Kosovë, varrezën masive të Rashkës, por duke cituar vetëm dëmtimet që i janë bërë sipas tij varreve serbe, patriarku Irinej i mëshon idesë së kthimit të të larguarve si një zgjidhje të mundshme të situatës.
“E para do ishte që t’i krijohet mundësia që të gjithë atyre të larguarve të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të gjendet mënyra që të jetohet përsëri qetë në Kosovë. Ata kanë jetuar momente të vështira, shtëpitë e tyre janë djegur, pronat janë përvetësuar nga banorët shqiptarë dhe nuk i lejohet atyre që të kthehen në shtëpitë e tyre. Tani kemi marr vesh që edhe shumë nga varret tona po humbasin apo po dëmtohen. Me përjashtim të disa vendeve që u ruajtën nga KFOR-i, pjesa tjetër janë të shkatërruara dhe të djegura. Serbët asnjëherë nuk kanë qenë armiqësor në raport me shqiptarët. Në 1912 kur Kosova u çlirua nga Turqia, asnjë shqiptar nuk është përzënë nga Kosova dhe Metohija”, shtoi Irenej.
Edhe në këtë rast, patriarku Irinej shmang komentet e drejtpërdrejta mbi genocidin serb në Kosovë, kur historia e pas Pavarësisë dëshmon krejtësisht të kundërtën në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve dhe ku sërish ka qenë Kisha që ka pasur një rol kyç në prodhimin dhe ekzekutimin e politikave anti-shqiptare.