Llogaritë bankare të personave fizikë dhe juridikë tashmë do të jenë të mbikëqyrura nga një strukturë e cila ka si qëllim të parandalojë pastrimin e parave dhe akumulimin e parave në mënyrë të jashtëligjshme. Drafti i hartuar nga qeveria ka marrë dje votat e deputetëve të mazhorancës në Komisionin e Sigurisë dhe tashmë pritet miratimi i tij në seancën parlamentare.
Miratimi
Komisioni i Sigurisë ka miratuar pa votat e opozitës ndryshimet në ligjin për parandalimin dhe pastrimin e parave dhe terrorizmit. Në këtë draft parashikohet ngritja e një njësie të posaçme hetimi, që do të funksionojë si strukturë e specializuar në varësinë e Këshillit të Ministrave. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, si autoriteti përgjegjës për parandalimin e veprimtarive të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, është njësia e inteligjencës financiare shqiptare, që ka për detyrë të kërkojë, pastrojë, kapë dhe konfiskojë të gjitha produktet e krimit dhe financimet e terrorizmit duke krijuar një bazë të dhënash unike për identifikimin e numrit të llogarive të personave fizik dhe juridik. Po ashtu, personat e huaj që duan të hapin një llogari bankare në Shqipëri apo të realizojnë trasaksione në bankat e nivelit të dytë tashmë duhet që të raportojnë në detaje të dhënat e tyre. Bankat në Shqipëri tashmë do të kenë më tepër kujdes në realizimin e transaksioneve apo hapjen e llogarive për personat e huaj. Sipas relatorit Florian Mima, këto ndryshime do të rrisin mbikëqyrjen e institucioneve përkatëse. Ndërkohë një e rëndësishme sipas drejtorit të drejtorisë së parandalimit të pastrimit të është edhe shtesa që detyron agjencitë valutore për të dhënë të dhënat e personave të cilët realizojnë shkëmbime të valutës deri në masën 200 mijë lekë.
Integrimi
Duke qenë se Shqipëria ndodhet aktualisht në procesin e marrjes së statusit për kandidat në Bashkimin Evropian, qeveria e parë si të nevojshme përafrimin e mëtejshëm i legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit me “acquis communautaire” . Ky vendim u mor pas rritjes së numrit të rasteve të referuara në polici dhe prokurori dhe mospërgjigjes me po të njëjtin ritëm nga ana e këtyre institucioneve. Ndryshimet në projektligj u kërkuan nga drejtoria e parandalimit të pastrimit të parave me rekomandimin e KE-së.