Home Aktualitet Video 2, Prifti: Ja çfarë kam regjistruar për 35 minuta

Video 2, Prifti: Ja çfarë kam regjistruar për 35 minuta

715
1

Deputeti Dritan Prifti ka dalë publikisht dhe ka sqaruar videon që ka zbuluar Prokuroria ku akuzohet për afera korruptive. Sipas tij në atë video janë 35 minuta regjistrim dhe ai e posedon të plotë atë video dhe do ta bëjë publike në një moment që do e shohë të arsyeshëm. Në video tha Prifti, tregohet qartë se si Ilir Meta i bënte presion për të përfituar në mënyrë të paligjshme. Veç të tjerave ai tha se është i gatshëm që të shkojë në Prokurori dhe në një seancë të vetme të hedhë poshtë akuzat që i janë ngritur. Ish nënkryetari i LSI deklaroi me vendosmëri se do të vijojë denoncimin e korrupsionit në vend edhe sikur kjo ti kushtojë shtrenjtë. Në fjalën e tij Prifti ka deklaruar se është i gatshëm që të dorëzojë imunitetin e deputetit për t`i hapur rrugë hetimit të Prokurorisë në lidhje me video-përgjimin. Deklarata e Priftit u bë në Këshillin e Rregullores dhe Imunitetit në Kuvend.
Deklarata e Priftit
Dritan Prifti pohoi para organit të Kuvendit se videon, në të cilën Prokuroria bazon akuzën kundër tij për korrupsion e ka xhiruar ai vetë me të njëjtin qëllim si videon e parë, të bërë tashmë publike. “Dua të deklaroj se videoja për të cilën më akuzojnë është filmuar prej meje për të provuar presionet, joshjet për korrupsion apo korrupsionin e Ilir Metës. Kjo video është mbi 35 minuta filmim dhe në të dalin një tufë faktesh të reja, që provojnë pothuajse të gjitha ato që unë kam thënë për të”, është shprehur Prifti. Ai sqaroi pozicionin e tij rreth kësaj videoje, për të cilën Prokurorja e Përgjithshme thotë në kërkesën e saj për procedim penal se është fshirë dhe tregon Dritan Priftin duke këmbyer me ish zëvendësministrin e Ekonomisë 70 mijë euro.
Akuzat
Sipas Priftit, akuza ndaj tij për korrupsion pasiv do të ishte shmangur, nëse prokurorët do ta thërrisnin më parë në një seancë pyetjesh. “Për dyshimin që shprehet në shkresën e Prokurores se unë kam përfituar një sasi eurosh në mënyrë korruptive, ju them të gjithëve me garanci se më duhet vetëm një seancë e vetme në Prokurori për ta zbërthyer dhe vërtetuar çështjen dhe për të vërtetuar se faktet janë të gjitha ndryshe. Asnjëherë nuk kam marrë para për shkak të detyrës, asnjëherë nuk kam shpërdorur detyrën shtetërore. Unë jam larguar si ministër, sepse nuk kam pranuar të firmos ato që kërkonin të fortët, favore të jashtëligjshme dhe gjëra të tjera si këto”, tha Prifti. Ndërsa konstatimit të Prokurores së Përgjithshme se videoja është fshirë nga kompjuteri i dorëzuar si provë prej Dritan Priftit dhe që u rikuperua nga eksperti amerikan, nëpërmjet sistemit kompjuterik, zoti Prifti i përgjigjet kështu: “Kur kam dorëzuar këto mjete në Prokurori, posaçërisht orën me kamera, prokurorëve, dhe ata mund të jenë dëshmitarë, nëse duan, u kam sqaruar se në atë kamer-orë ka patur video të tjera të regjistruara, të cilat për shkak të memories së kufizuar të kësaj kamere, janë fshirë për të regjistruar të reja. Por, sigurisht, që unë e kam në arkivin tim këtë video për të cilën më akuzojnë dhe nuk më ka shkuar në mendje kurrë për ta zhdukur atë, përveçse prisja momentin e duhur për ta shfaqur atë”. Seanca me zotin Prifti zgjati vetëm 15 minuta përfshirë edhe dy pyetjet e vetme që iu bënë atij nga deputeti demokrat Ilir Rusmajli. Ndërsa 5 përfaqësuesit e Partisë Socialiste nuk i drejtuan asnjë pyetje zotit Prifti, i cili në një nga përgjigjet për Ilir Rusmalin tha se, videoja ku bazon akuzën kundër tij Prokurorja e Përgjithshme, përveçse, provon ato që ka thënë më herët për Ilir Metën, në gjykimin e tij nuk ka asnjë kundravjatje dhe asnjë vepër penale.

Jep dorëheqjen edhe Leonard Beqiraj
Leonard Beqiraj ish –zëvendësministër i Ekonomisë për të cilin përflitet se është protagonist i videos së dytë të filmuar nga Dritan Prifti, ka thënë dorëheqjen e pa revokueshme nga posti që mbante në një drejtori vartëse të Ministrin e Ekonomisë. Beqiraj ia ka komunikuar këtë fakt dhe kryeministrit Sali Berisha dhe Ministrit te METE, Nasip Naço me anë të një shkrese të firmosur nga vetëm Beqiraj. Në media u përfol se në videon e dytë të regjistruar nga vetë Dritan Prifti, në sekuencat e saj, ky i fundit së bashku me zv. ministrin e tij ndanin një shumë të majme parash, plotë 70 mijë euro. Ky fakt u hodh poshtë nga Dritan Prifti, që e cilësoi si absurd pohimin se ka filmuar vetë veten, por për të provuar fajësinë e Ilir Metës. Për rrjedhojë dhe ish numri dy i Ministrisë së Ekonomisë ka kërkuar zbardhjen e rrethanave dhe është vënë në dispozicion të Prokurorisë, nga e cila ka kërkuar që të hetojë ngjarjen në fjalë.

Kuvendi sot vendos për imunitetin e Metës dhe Priftit
Nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli u mblodh Konferenca e Kryetarëve, me pjesëmarrjen e kryetarëve të grupeve parlamentare, nënkryetarëve dhe kryetarëve të komisioneve parlamentare. Gjatë saj u diskutua nisma e një grupi deputetësh të mazhorancës për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektvendimit për ndryshimet në Rregullore, lidhur me modifikimin e dispozitës për ndryshimin e rendit të ditës, si dhe një aneks shtesë të Rregullores për imunitetet. Konferenca e Kryetarëve vendosi që në seancën e sotme plenare, ora 10:00, të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë për dhënien e autorizimit për fillimin e procedimit penal ndaj deputetit Ilir Meta, si dhe projekt-vendimin për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të propozimit të shtesave dhe ndryshimeve të Rregullores së Kuvendit dhe aneksit të saj për kufizimin e imunitetit dhe kushtet e autorizimit të ndjekjes penale. Përfaqësuesit e opozitës u shprehën kundër.

Socialist vendosin sot nëse do të marrin pjesë në votim apo do të bojkotojnë

Grupi i PS, dilemë për heqjen e imunitetit të Metës dhe Priftit

Mbledhja e Grupit Kuvendor të PS-së ka kaluar me diskutime dhe debate të forta për shkak të qëndrimit që do të mbajnë sot në Kuvend, nëse do të votojnë për heqjen e imunitetit të Metës dhe Priftit apo do të qëndrojnë pa votuar si zakonisht. Burime nga grupi i PS-së bëjnë të ditur se deri në mbledhjen e djeshme ka mbizotëruar ideja se nuk do të merret fare pjesë në votim por do të veprohet si në çdo seancë që kur të votohet, deputetët të largohen nga salla. Ky vendim ka hasur në vështirësi të mëdha nga disa deputetë të cilët kanë dashur që të votohet për heqjen e imunitetit për shkak të qëndrimit që PS ka ndaj korrupsionit. Pritet që sot në mëngjes të jetë dhe vendimi përfundimtar.
Mbledhja e Grupit
Një kohë të gjatë të diskutimit në mbledhjen e Grupit ka zënë dhe çështja e ndryshimit të Rregullores së Kuvendit. Çështjen e rregullores e ngriti dhe deputeti Tahiri në një konferencë por shtyp. “Grupi parlamentar i PS shpreh shqetësim për degradimin deri në mosekzistencë të parlamentarizmit përmes shuarjes së funksioneve themelore kushtetuese të Kuvendit nga pushteti abuziv”, u shpreh Tahiri. Sipas tij, Parlamenti sot nuk është më i pavarur, por i nënshtruar ndaj mazhorancës. “Represioni ndaj opozitës dhe deputetëve të saj si dhe eliminimi i të gjithë instrumenteve që garantojnë demokracinë parlamentare dhe ushtrimin e të drejtave e funksioneve kushtetuese të deputetëve të opozitës, është qëllim dhe pasojë e drejtpërdrejtë dhe ekskluzive e abuzimit të Sali Berishës me pushtetin”, u shpreh ai.
Rregullorja
Duke shtuar se Rregullorja e Kuvendit e miratuar dhe ndryshuar vetëm konsensualisht deri në vitin 2005, është ndryshuar në mënyrë të njëanshme për të pestën herë duke kufizuar të drejtën e pjesëmarrjes së opozitës në Parlament përmes ndëshkimeve të njëanshme si ekzekutime politike, duke hequr të drejtën e fjalës dhe duke zhdukur çdo hapësirë për shprehjen e lirë të qëndrimeve politike të opozitës, duke zhdukur votën e fshehtë dhe manipulimin e votimit në Parlament.

Numri 2 i PS priti delegacionin e OSBE për situatën në vend

Ruçi: 21 Janari, zhvillim tragjik për vendin

Kryetari i Grupit Parlamentar të PSSH njëkohësisht Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PSSH-së priti në një takim një delegacion nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së, kryesuar nga Përfaqësuesi Special për Europën Juglindore i kësaj Asambleje, deputeti Roberto Batelli. Qëllimi i këtij ishte kriza politike në vend dhe zhvillimet dramatike të 21 Janarit. Gjatë takimit, Ruçi shprehu mirënjohjen për angazhimin dhe asistencën e OSBE-së lidhur me proceset demokratike në Shqipëri. Ndër të tjera, Kryetari i Grupit Parlamentar e cilësoi ngjarjen e 21 Janarit si një zhvillim tragjik pas një krize politike e cila zgjat prej më shumë se një viti e gjysmë. Ruçi renditi si probleme kryesore që sollën në këto zhvillime me pasojën e humbjen e jetës së katër qytetarëve të pafajshëm të vrarë nga Garda e Republikës, vjedhjen e votave të 28 qershorit, kapjen e shtetit nga pushteti dhe korrupsionin qeveritar që kulmoi me publikimin e video-skandalit. Duke folur për përdorimin nga opozita të gjithë instrumenteve demokratike për të kërkuar hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, Ruçi risolli në vëmendjen e bashkëbiseduesve rrëzimin arbitrar nga ana e maxhorancës të rezolutës së Parlamentit Europian, ku rekomandohej ngritja e komisionit hetimor parlamentar për hetim të materialeve zgjedhore të zgjedhjeve të fundit të përgjithshme. Zoti Ruçi ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e respektimit të procedurave parlamentare dhe shkeljet flagrante e të përsëritura të çdo ligji dhe rregulloreje në fuqi nga ana e maxhorancës në funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë.

Ndoka: Opozita kërkon zgjedhje të lira
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, tha dje se opozita vazhdimisht ia ka zgjatur dorën për bashkëpunim mazhorancës. Sipas tij, opozita në vetvete ka si qëllim shkurtimin e viteve të qeverisë dhe ka si detyrë që ta largojë atë nga pushteti. Me një argument të tillë, ai ka justifikuar gjithë aksionin e ndërmarrë prej opozitës. “Opozita kërkon zgjedhje të lira dhe ndaj është përballur me mënyra nga më të ndryshmet me një mazhorancë, e cila ka vjedhur zgjedhjet e 28 qershorit”, tha ai. Sa u përket zgjedhjeve lokale, Ndoka pranoi se opozita nuk ka deklaruar se do të kryejë bojkot më 8 Maj. “Por problemi është se mazhoranca kërkon të hyjë në këto zgjedhje pa kryer reformë zgjedhore”, shtoi ai, duke dashur të gjejë problemin e këtij procesi zgjedhor, pikërisht te mazhoranca.

Ina Rama diskuton me Hammarberg respektimin e të Drejtave të Njeriut

Rama: Hetimi do të jetë profesional dhe i paanshëm

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, zhvilloi dje një takim me Komisionerin për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Thomas Hammarberg. Duke patur si qëllim të vizitës së tij në Tiranë konstatimin e situatës së mbrojtjes së të drejtave të njeriut, në vijim të ngjarjeve të 21 Janarit 2011, Hammarberg u interesua për punën e Prokurorisë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe pasojave të saj, pistat në të cilat po zhvillohet hetimi si dhe për marrëdhëniet midis institucioneve të ndryshme të zbatimit të ligjit. Prokurorja e Përgjithshme bëri një pasqyrë të punës së Prokurorisë në hetimin e kësaj ngjarjeje, theksoi angazhimin dhe seriozitetin e plotë të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore që në hapat e parë të hetimit si dhe dha shpjegime për disa nga pistat e hetimit. Njëkohësisht, duke e vlerësuar këtë ngjarje të rëndë si shumë sensitive në opinionin publik e më gjerë, Ina Rama, theksoi se Prokuroria mbetet e vendosur që në mbështetje të kompetencave që i jep Kushtetuta dhe ligji të zbatojë detyrën e saj për një hetim profesional dhe të gjithëanshëm. Komisioneri i KE, Hammarberg, shprehu vlerësimin për rolin kyç të Prokurorisë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje, si dhe ofroi mbështetjen e tij për institucionin e akuzës.

1 COMMENT

  1. kta njerzi si ti nuk ka qa i vyn as jeta trathar pa dashje i pa bes pa moral njeri dy ftyresh idiot un nuk di politik por logjik esht kshtu un me qen ne vend te metes te kisha jap &100pl ne kok burg te per jetshem ose ta kisha prish jeten per gjithmon direkt per arsue qe nuk kam pa aq trathatar rekord ke thyer

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here