Barack Obama është rizgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë me shumicën e votave elektorale. Sipas rezultateve të fundit paraprake Obama ka fituar 303 vota elektorale dhe Romney 206. Një kandidati i duhen 270 vota për të fituar zgjedhjet. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka shënuar fitore në disa shtete kyçe, ku gara për Shtëpinë e Bardhë me kandidatin republikan, Mitt Romney, ka qenë mjaft e ngushtë. Fitorja e Obamës ka ardhur nga shtetet e “lëkundura” si Ajova, Miçigen, Pensilvani dhe Uiskonsin. Fjalimi i fitores 4 vjet më parë OBAMA: KTHEHEM MË I FORTË NË SHTËPINË E BARDHË Presidenti Obama e nisi fjalimin duke falënderuar votuesit dhe duke ia atribuar fitoren mbështetësve të tij. “Detyra për ta bërë të përsosur SHBA, ka shkuar përpara dhe arsyeja jeni ju”- u shpreh Obama. “Ju kam dëgjuar dhe prej jush jam bërë një president më i mirë. Përpjekjet tuaja më bëjnë të kthehem në Shtëpinë e Bardhë më i fortë dhe më i frymëzuar se më parë.”- theksoi presidenti. Ndërsa bëri të ditur se kishte folur me rivalin e tij dhe e kishte përgëzuar për fushatën e fortë, Obama theksoi se do të gjejë mundësitë për të punuar më Mitt Romney, për të çuar përpara vendin. “Ne e duam shumë këtë vend dhe kujdesemi për të. Shpresoj që ta takoj Romneyn, që të flas me të dhe të kuptoj më shumë se si mund të punojmë së bashku’- tha Presidenti amerikan. FJALIMI I OBAMES Sonte më shumë se pas 200 vjet që një koloni e mori fatin në duart e veta për të udhëhequr unionin drejt Së ardhmes. Dhe ju jeni ata që keni ndihmuar për të çuar përpara ëndrrën e madhe amerikane. Sonte në këto zgjedhje, ju populli amerikan, keni ndihmuar që rruga jonë edhe pse ka qenë e gjatë, e kemi luftuar këtë rrugë, dhe e kemi ditur që SHBA-të do të ecin përpara.Dua të falënderoj të gjithë amerikanët që kanë votuar. Nëse keni votuar për herë të parë dhe nëse keni pritur gjatë, do ta rregullojmë këtë gjë. Kemi pasur një luftë të ashpër sepse ne të dy e duam shumë këtë shtet. Dua të falënderoj familjen Romney. Në javët në vazhdim do të takohem me Romneyn që të bisedojmë se si mund të bashkëpunojmë për të quar Amerikën përpara. Falënderoj bashkëpunëtorin më të ngushtë dhe mikun tim, zëvendëspresidentin amerikan, Joe Biden. Dua ta falënderoj gruan, e cila para 20 vitesh pranoi të martohej me mua. Nuk do të isha këtu pa gruan time. Michelle kurrë nuk të kam dashur më shumë se sot. Unë dashurohem në ty edhe më shumë, kur shoh se si populli amerikan dashurohet në ty. Dhe ju vajzat e mija. Unë jam shumë krenar me ju dhe jeni duke u bërë sikur nëna e juaj dhe besoj që mjafton që të keni vetëm një qen në Shtëpinë e Bardhë. Dua të falënderoj ekipin e fushatës zgjedhore, ekipin më të mirë të të gjitha kohërave. Ju jeni ata që më keni ngritur në rrugën time. Ne besojmë në një Amerikë zemërgjerë e cila është e hapur për fëmijët e emigrantëve, që të realizojnë ëndrrat e tyre. Ekonomia jonë është rimëkëmbur. E kemi përfunduar një epokë të luftës. Edhe një herë dua të ju falënderoj të gjithë popullin amerikan dhe të gjithë ata që votuan, sepse ju më keni bërë një president më të mirë dhe më të vendosur. Nuk ka rëndësi a jeni a i bardhë a po me ngjyrë, nuk ka rëndësi prej nga vini dhe çfarë orientimi seksual keni: Ju jeni amerikanë. Dhe unë besoj që së bashku mund ta shohim këtë një të ardhme më të ndritur amerikane. Zoti e bekoftë Amerikën! OBAMA PERPARA MBESHTETESVE ME FAMILJEN Presidenti i rizgjedhur Barack Obama doli përpara mbështetësve të tij në Chicago, bashkë me familjen e tij. Me një kostum blu dhe i buzëqeshur, presidenti amerikan mbajti fjalimin e fitores, duke shprehur bindjen se më e mira për amerikanët duhet ende të vijë. ROMNEY: I UROJ GJITHË TË MIRAT PRESIDENTIT DHE ZONJËS SË PARË “Dua të falënderoj Pol Ryan, gruan Ann, do të kishte qenë një zonjë e parë e mrekullueshme, falënderoj djemtë e mi për sakrificën që kanë bërë, falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët për përpjekjet e tyre. Të gjithë vullnetarët edhe jashtë vendit. Vendi është në një moment kritik, liderët të bëjnë detyrën e tyre sa më mirë. Unë besoj tek njerëzit dhe tek Amerika vetë. Garova për president sepse jam i shqetësuar për Amerikën, besoj për një zgjidhje ekonomike, dëshiroja të përmbushja dëshirën tuaj, por vendi zgjodhi një drejtues tjetër. Zoti e bekoftë Amerikën”, – u shpreh në fjalën e tij ish-kandidati për president të Shtëpisë së Bardhë. OBAMA NË “TWITTER”: I FALENDEROJ TË GJITHË PËR FITOREN Presidenti i SHBA, Barack Obama mesazhin e parë për fitoren e ka dhënë në Twitter. “I falënderoj të gjithë për fitoren. Faleminderit. Katër vjet më shumë”, u shpreh Obama, duke postuar edhe një foto me gruan e tij Michelle. SHBA, NJË ZGJEDHËS FILMON VOTEN, APARATI ELEKTRONIK ZGJEDH ROMNEYN NË VEND TË OBAMËS PENSILVANI- Padyshim që ishte një rast i izoluar, por bëri shumë zhurmë në faqet e internetit. Një zgjedhës amerikan filmoi votimin e tij në një qendër votimi në Pensilvani. Në aparatin elektronik ai zgjidhte Obamën, por aparati seleksiononte Romneyn. Para se të konfirmonte votën ai provoi sërish, por i njëjti rezultat. Sipas NBC News, aparati i elektronik i votimit kishte dalë jashtë funksionit. Një zëdhënës konfirmoi në faqen e internetit ”Mother Jones” se aparati i elektronik i votimit ishte riparuar dhe mund të përdorej sërish nga zgjedhësit. BOB DILAN: PRESIDENTI OBAMA DO TË FITOJË NJË ‘LUMË VOTASH’ Këngëtari i famshëm Bob Dilan ka uruar ditën e sotme që fitoren ta marrë Obama. “Presidenti Obama do të fitojë lumë votash”, deklaroi Dilan gjatë një koncerti në Wiscons. VIJON VOTIMI, OBAMA NË CIKAGO LUAN BASKETBOLL ME YJË TË NBA Edhe pse vijon ankthi i votimeve për presidencialet në SHBA, Presidenti Barack Obama zgjedh të vizitojë Cikagon dhe të luajë një lojë basketboll. Mediat amerikane pohojnë se Obama duket i qetë teksa luan me 2 ish-lojtarët të famshëm të NBA. Për të kaluar kohën, në pritje të rezultateve të zgjedhjeve, Barack Obama zhvilloi një lojë basketbolli me të afërmit dhe disa anëtarë të qeverisë në kompleksin sportiv “Attack Athletics”, në bastionin e tij, Çikago. Kjo është një traditë për presidentin në ikje, i cili kishte organizuar një lojë të ngjashme dhe në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008. Ndërkohë që në orën tonë në 24:00 pritet të mbyllet votimi për zgjedhjet. OBAMA: MENDOJ SE I KAM VOTAT Por edhe kandidati tjetër për presidencën e SHBA, Barack Obama duke folur para vullnetarëve në një komitet të vogël të tij tha se “besim se i kam votat për fitore. Mezi po pres momentin që do lexohen votat dhe më pas rezultati. Më pret një mbrëmje e mbarë. Më tej ai ka shtuar se “Cfarëdo gjëje që mund të ndodhë, unë dëshiroj të përshëndes vullnetarët. Përtej spoteve, duelit, ata që vlejnë janë njerëzit”. ROMNEY: SOT ËSHTË NJË DITË E MADHE PËR NJË NDRYSHIM TË MADH Në drekë duke iu drejtuar vullnetarëve të një prej komiteteve të Republikanëve, Romney nënvizoi se “ Kjo është një ditë e madhe për një ndryshim të madh”. OBAMA: UROJ ROMNEY PËR FUSHATËN E FORTË, MEZI PO PRES REZULTATIN Presidenti amerikan Barack Obama në ditën e zgjedhjeve e ka uruar sfiduesin e tij republikan, Mitt Romney për “fushatën e forte”. Gjatë vizitës në zyrën e fushatës së Partisë Demokratike në Çikago, Obama i falenderoi vullnetarët dhe mbështetësit dhe shfaqi besimin se do të fitojë, por, i dërgoi një sinjal ekipit të kundërshtarit të tij. “Dua ta uroj guvernatorin Romney për fushatën e tij”, ka thënë Obama. “E di që mbështetësit e tij janë po aq të zënë dhe entuziastë dhe se po punojnë shumë në ditën e sotme”, ka thënë ai. ROMNEY VOTON Kandidati republikan, Mitt Romney ka hedhur votën e tij në shtetin e Masaçusets në zgjedhjet presidenciale të Shteteve te Bashkuara. Cifti Romney votoi në orën 9:00 të mëngjesit me orën lokale ndërkohë që menjëherë pas kësaj ai u nis drejt Bostonit për të takuar mbështetësit e tij. Miliona zgjedhës në mbarë vendin kanë hedhur votat e tyre në votimet e hershme. Por shumica dërrmuese e elektoratit do të shkojë në qendrat e votimit sot të ngritura në shkolla, stacionet e zjarrfiksave, apo në kisha. SONDAZHET FAVORIZOJNË OBAMËN Në ditët e fundit të fushatës së ngjeshur për të dyja ekipet elektorale, projeksionet kanë treguar se Presidenti Obama ka përparësi të lehtë, por asnjëri prej dy kandidatëve nuk e ka të sigurt fitoren. Gjithçka varet nga shtetet e lëkundura. Që një kandidat të fitojë Presidencën, duhet të marrë të paktën 270 kolegje elektorale. Kolegjet elektorale kanë numër të ndryshëm në shtete të ndryshme dhe janë në varësi të numrit të popullsisë. VOTAT E PARA Fletët e para të votimit të këtyre zgjedhjeve u hodhën mëngjesin e së martës në qytetin e vogël të New Hampshire, në Dixville Notch, ku secili nga kandidatët mori nga pesë vota. Gara e ngushtë presidenciale ngre shqetësime të diskutueshme gjithnjë e në rritje, dhe ngjan me zgjedhjet e vitit 2000 mes republikanit Xhorxh W.Bush dhe demokratit Al Gore, rezultatet e së cilës u vendosën nga Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara. Në të dyja fushtatat janë grumbulluar ekipe ligjore për t´u marrë me probleme të mundshme gjatë votimeve, sfida apo rinumërime. Multimilioneri Romney, ish-drejtues i një fondi kapital privat, do të ishte presidenti i parë mormon dhe një nga amerikanët më të pasur që do të drejtonte Shtëpinë e Bardhë. Obama, presidenti i parë më ngjyrë, po konkurron për një mandat të dytë. Në komunitetin tjetër, Hart’s Lokation që numëroi 33 vota në pesë minuta e 42 sekonda, Obama fitoi 23 vota ndërsa Romney 9 vota. Këto dy fshatra gjithmonë kanë votuar të parat pasi gëëzojnë një status special që nga viti 1948. Edhe pse në dukje nuk është shumë, këto vota janë vendimtare. Pikërisht nga ky shtet e pësoi Al Gore në vitin 2000 kur fitoi votat popullore, por humbi në Kolegjin Zgjedhor përballë Xhorxh Ë. Bush. Nëse do të kishte fituar në Nju Hemsher, AL Gore do të ishte shpallur president. OBAMA APO ROMNEY? Pas një fushate që ka zgjatur më shumë se një vit, populli amerikan tani do të vendosë se kush do të shërbejë si president dhe zv/president i ardhshëm i vendit. Votimi është një nga të drejtat dhe detyrat më të rëndësishme të qytetarit. Kushtetuta amerikane u rezervon 50 qeverive shtetërore autoritetin për të përcaktuar kualifikimet e votuesve dhe mënyrat e votimit në shtetin e tyre. Kur u miratua Kushtetuta dy shekuj më parë, votimi ishte i kufizuar mes burrave të bardhë dhe në shumë shtete njerëzve u kërkohej të kishin një pronë me vlerë të caktuar për të patur të drejtë për të votuar. Por ndërsa amerikanët gjithnjë e më shumë filluan të kërkonin të drejtën e votës, qeveritë shtetërore i ndryshuan këto dispozita. Kushtetuta u përditësua në vitin 1870 për të mbrojtur të drejtat e skllevërve të sapo çliruar, duke përfshirë edhe të drejtën e tyre për të votuar. Shtojca e 15-të e Kushtetutës thekson se e drejta për të votuar nuk duhet të mohohet për shkak të racës apo ngjyrës së lëkurës. Në vitin 1920, qeveritë shtetërore ratifikuan amendamentin apo shtojcën e 19-të për garantimin e votës për gratë. Sepse disa shtete përdornin padrejtësisht listat e taksave, provimet e alfabetizmit dhe kufizime të tjera për të përjashtuar nga votimet pakicat. Kongresi amerikan miratoi aktin e së drejtës së votës në vitin 1965. Ky akt fuqizoi zyrtarët federalë për të marrë përsipër regjistrimin e votuesve në disa juridiksione ku zyrtarët vendorë kishin diskriminuar votuesit e pakicave. E drejta e votës u zgjerua më tej në vitet 1970. Mosha ligjore për të votuar në shumicën e shteteve ka qenë 21 vjeç. Amendamenti i 26-të vendosi që mosha ligjore për të votuar në të gjithë vendin të jetë 18 vjeç. Sot shumica e amerikanëve të cilët mund të votojnë, e të bëjnë këtë. Për shumë njerëz, votimi është një akt i rëndësishëm e gjithashtu i thjeshtë i detyrës qytetare, që merret si e dhënë, por kryhet me krenari dhe seriozitetin e qëllimit. Edhe pse tani të njohura për amerikanët, zgjedhjet demokratike sot ende mungojnë në shumë pjesë të botës. Demokracitë si kjo e Amerikës, janë themeluar në besimin se njerëzit kanë të drejtë dhe urtësi të vendosin se kush do t’i qeverisë ata. Siç e kanë treguar zgjedhjet e kaluara, pasi vendimi është marrë, amerikanët e respektojnë atë. Zgjedhjet e vitit 2012 pritet të jenë me rezultat nga më të ngushtët deri më sot, dhe me sfida e probleme të mundshme si ato në votimet e vitit 2000, mund të duhen ditë para se të dalë se kush ka fituar. Por siç ka thënë Presidenti Abraham Linkoln, nuk mund të ketë ankesa të suksesshme ndaj një zgjedhjeje të drejtë, përveçse në zgjedhjet e ardhshme.