Home Aktualitet Clinton viziton Tiranen nen masa te rrepta sigurie

Clinton viziton Tiranen nen masa te rrepta sigurie

558
0

Avioni i Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton u ul në Aeroportin e Rinasit rreth orës 10:30, ndonëse pritej të mbërrinte më herët në orën 09:30. Sekretarja Clinton zbriti nga avioni duke e mbajtur vetë çadrën, për shkak të reshjeve të shiut që kanë përfshirë Tiranën. Kryeqyteti sot është zgjuar “i blinduar” nën masa të rrepta sigurie.
Zonja Clinton takoi me radhë krerët e shtetit, kreun e opozitës, duke finalizuar vizitën në Tiranë me një fjalë përshëndetëse që u dëgjua me vëmendje në Parlamentin shqiptar.
Sekretarja Amerikane dha disa mesazhe, në kuadër të plotësimit të reformave me qëllim integrimin në BE, Clinton garantoi se SHBA do mbështesë Shqipërinë. Numri 2 i shtetit amerikan kërkoi që qeveria shqiptare të luftojë korrupsionin, të punojë seriozisht për zgjedhjet ndërsa apeloi që partitë politike të bashkëpunojnë për të mirën e qytetarëve që e kanë besuar me votë.
Por, a ka përgjigje nëse Shqipëria do të plotësoje kërkesat e bëra nga ndërkombëtarë? “Unë nuk kam përgjigje, por kam besim tek ju”, tha Clinton.
Më poshtë zhvillimet minutë për minutë dhe orë për orë sot rreth vizitës së Clinton në Tiranë.

CLINTON MBYLL VIZITEN NE SHQIPERI
Ora 15:00– Në fund të axhendës së saj në Tiranë Sekretarja Amerikane e Shtetit u takua dhe me kryetarin e opozitës shqiptare, Edi Rama ndërsa është larguar rreth orës 15.00 nga Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit, duke përmbyllur kështu turin ballkanik 3 ditor.

CLINTON TAKON RAMËN

ORA 13:30-Pas fjalës në Parlament, Clinton takoi kryetarin e PS, Edi Rama në hotelin “Sheraton”. Pas takimit me Ramën, Clinton u largua nga Tirana drejt aeroportin e Rinasit.

iken hillary klinton

CLINTON: PUNONI PËR ZGJEDHJET, LUFTONI KORRUPSIONIN DHE BASHKËPUNONI PËR VENDIN
Ora 13:00 –
 Ndërsa shprehu bindjen se Shqipëria ka potenciale për të ecur përpara, Sekretarja Amerikane Clinton theksoi në Kuvend se muajt e ardhshëm janë kritike për shqiptarët. Clinton porositi klasën politikë shqiptare që të punojë për zgjedhje të suksesshme në të ardhmen, të luftojë korrupsionin dhe të bashkëpunojë për të mirën e vendit.

“Si mikeshë dhe admiruese e Shqipërisë, unë shpresoj se do të ketë disa objektiva që do të arrini: Punoni që zgjedhjet e ardhshme të jenë të hapura dhe të balancuara, që populli shqiptar të ketë besim tek ju si udhëheqës. Konsolidimi i demokracisë kërkon jo vetëm zgjedhje, por edhe institucione të forta dhe degë juridike të paanshme. Ju bëj thirrje që të punoni për një problem që shumë demokraci kanë sot, korrupsioni. Është një kancer që konsumon shoqërinë, mbron udhëheqësit që nuk kanë vlera morale dhe ndëshkon popujt që mundohen të përmirësojnë jetën e tyre. Eliminimi i korrupsionit kërkon bashkëpunim pavarësisht bindjeve partiake. Të gjithë duhet të punojnë se bashku për të luftuar këtë kërcënim. Pika e fundit që doja të përmendja është se udhëheqësit shqiptarë duhet të krijojnë një kulturë bashkëpunimi. Ky është një synim që disa vende nuk e arrijnë dot, por unë besoj se shqiptarët mund t’ia arrijnë më së miri.”- u shpreh sekretarja amerikane.

Sekretarja Clinton theksoi më tej se bashkëpunimi i saj me ish-rivalin Obama është i mundur bazuar në dashurisë që kanë për vendin.
“Unë jam sekretare shteti për ish-rivalin tim. Ne punojmë bashkë si partnerë, kur luftuam kundër njëri-tjetrit në zgjedhje. Unë bëra çdo gjë për të fituar ne zgjedhje, por ai fitoi. Është shumë e thjeshtë, ne punojmë bashkë sepse të dy e duam vendin tonë. Dhe unë e di që nuk ka asnjë në Shqipëri që nuk e do Shqipërinë. Shpresoj që edhe ju do të gjeni rrugën tuaj për një bashkëpunim të sinqertë dhe të vazhdueshëm. Ju duhet ti keni pikëpamjet tuaja politike, por në fund të fundit interesat politike duhet të vihen pas interesave kombëtare.”- vijoi Clinton.

Sekretarja Amerikane e Shtetit theksoi se ka besim se reformat në Shqipëri do të kryhen.
“A do të vazhdojë qeveria juaj të fitojë mirëbesimin popujve, a do lini mënjanë diferencat politike për të mirën e vendit, a do mbështesni reformat për ekonominë, a do luftoni korrupsionin, por jo shumicën e popullit, a do punoni për të hyrë në BE, si një rrugë për një paqe afatgjatë për qytetarët tuaj, a do vazhdoni të jeni model për rajonin. Ju duhet ta përdorni në favor karakterin e veçantë dhe unik të këtij vendi. Këto janë pyetje të vështira, unë nuk kam përgjigje. Vij këtu me një shpresë të thellë besimi tek ju”.

Znj. Clinton vuri në dukje mbështetjen e patundur të SHBA në këto misione të rëndësishme të Shqipërisë.
“Më lini të them, që siç punoni për të marrë vendime të vështira të duhura për progresin tuaj, për të hyrë në BE, SHBA, do ju mbështesin fort për këto vendime të vështira që do merrni. Ne jemi partneri juaj, SHBA janë së bashku, ne e dimë çfarë bote duam për fëmijë tanë dhe brezat që vijnë. Ajo është një botë tolerance dhe përfshirëse dhe të drejta njerëzore që mbështesin gjithë popullin, dhe si udhëheqës të demokracive është që ti japim këto rezultate për popujt tonë që na kanë dhënë besimin e tyre. Unë besoj se do kapërceu vështirësitë që shekulli ju ka dhënë dhe unë do jem mbështetësja juaj dhe do u them kujtdo që na dëgjon, nëse doni të shihni shembullin e mirë, shkoni në Shqipëri. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe Shqiptarët!”.
HILARY NE PARLAMENTIN SHQIPTAR
CLINTON FJALIM NE KUVEND: SHBA MIQTE TUAJ HISTORIKE
Ora 12:40 –
 Pas fjalës përshëndetëse të kryetares së Kuvendit, Sekretarja amerikane nisi fjalimin përpara deputetëve dhe personaliteteve të pranishëm në Kuvend, duke theksuar se SHBA do të mbetet partner i përhershëm për Shqipërinë.
“Unë jam sot këtu në këtë pikë të rëndësishme të historisë suaj me një mesazh për popullin, SHBA kanë qëndruar ju për 100 vjetët e para dhe do qëndrojnë me ju dhe për 100 vjet, e për 100 vjet të tjera pas tyre, e pas tyre”, u shpreh e emocionuar sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton para parlamentit shqiptar.

Clinton u shpreh e lumtur për vizitën në Shqipëri, sidomos sic theksoi ajo, kjo vizitë kryhet në vigjilje të 100 vjetorit të pavarësisë.
“Jam e nderuar e lumtur që flas para një Shqipërisë të lumtur e demokratike. z president, znj. kryeparlamentare, z kryeministër, anëtarë të parlamentit, është në nder veçanërisht i madh që ju festoni jubileun e 100 vjetorit të pavarësisë. Kjo ka qenë një fitore e madhe për të cilën ju keni investuar shumë. Kur po vija më znj. Topalli pashë fotot e paraardhëseve tuja. Kaq shumë ka ndryshuar çdo gjë në këto 100 vjet, por diçka që ka mbetur njësoj është se SHBA kanë qenë dhe mbeten partnerë tuaj dhe do vijojnë të jenë”.
Clinton vlerësoi karakteristikat e përbashkëta që sipas saj kanë dy popujt, ai amerikan dhe ai shqiptar.

“Kjo nuk është vetëm mes politikës, por dhe mes 2 popujve tanë. Popujt tanë kanë të njëjtën aftësi për të trajtuar me vendosmëri, ju sikurse ne keni qenë të vendosur për të ndërtuar një demokraci të gjallë dhe ekonomi për t’u vlerësuar. Ashtu sikurse ne, ju keni dëshirë për të lënë mënjanë mbrapa konfliktet, për të krijuar paqe. Unë jam e lumtur për marrëdhëniet tona historike sikurse jam mirënjohëse për kontributet që shqiptarët i kanë bërë vendit tonë. Shqiptarët janë sipërmarrës, ushtarakë, mësues dhe ata kanë restorantet më të mira në botë. Kultura shqiptare është një pasuri për jetën amerikane. Unë e di këtë si senatore në Nju Jork”.

CLINTON MBËRRIN NË PARLAMENT
Ora 12:25
Clinton pritet në hyrje të Kuvendit nga Kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli. Sekretarja amerikane e shtetit pritet të mbajë edhe një fjalim në Kuvend. Në një sallë të zbukuruar me simbole kombëtare dhe të mbushur plot me të ftuar , Sekretarja e Shtetit të SHBA znj.Hillary Cllinton përshëndeti përzemërsisht shqiptarët me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Sekretarja Clinton ndodhet në Shqipëri, si ishte parashikuar, me ftesë të të Kryeministrit të vendit z.Sali Berisha. Në fjalën e saj të mirëseardhjes , Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë , Jozefina Topalli e quajti vizitën e zonjës Clinton si xhevahiri në kurorën e 100 vjetorit të Pavarësisë.

Kryetarja e Kuvendit, në fjalën e saj tha: 
Padyshim, është moment i shënuar, vizita në Shqipëri e sekretares amerikane te shtetit, por vizita e zonjës Hillary Clinton është ngjarje historike, e përveçse e bukur shumë emocionuese. Sot, në këtë dite, në këtë vit, e nderuar zonjë, në këtë jubile, vizita juaj është edhe lumturi, është edhe privilegj për ne Shqiptarët.
Përvjetorët janë gjithmonë te rëndësishëm, ky është edhe me i veçanti, dhe si i tillë ai festohet me mikun, me atë që të gjendet ne dite të mirë e të vështirë, festohet me miqtë e mëdhenj, me miqtë e jetës. Vendi juaj është miku i madh i shqiptarëve, ju personalisht zonjë, jeni për ne shqiptarët mike shumë e çmuar dhe e veçantë e jona. Celebrojmë 100-vjetorin e shtetit, i cili ndoshta nuk do ishte sot, apo nuk do kishte këtë moshë, nëse Presidenti Wilson nuk do kishte ngritur zërin në një moment vendimtar për ekzistencën tonë. Sot të gjithë shqiptarët, kudo ku jetojnë, janë të lirë, e festojnë 100-vjetorin, çka mbase nuk do kishte qenë e mundur nëse Presidenti Clinton në 1999, të mos kishte vendosur të çlironte gjysmën e kombit.
Kombi ka disa data të rëndësishme.
• Historia e krijimit të shtetit shqiptar është e lidhur me SHBA-në.
• Historia e rrëzimit te sistemit represiv në 1990 është e lidhur me SHBA-në.
• Historia e çlirimit të Kosovës është e lidhur me SHBA-në.
• Anëtarësimi në NATO është i lidhur me SHBA-në.
Sot festojmë jubileun, si qytetarë të lirë, në një Shqipërie demokratike, anëtar e të NATO-s. Kjo nuk do kishte qenë e mundur në qofte se Presidenti Bush nuk do kishte mbështetur Shqipërinë për të marrë ftesën në NATO, ne vitin 2008.
Sot, ky komb i lirë, krenar në vendin e tij, jep kontributin e vet në çdo pikë të globit, ku SHBA janë të angazhuar për paqen globale, e vlerat universale të demokracisë. Kjo do kishte qenë e pamundur, pa ndihmën e bashkëpunimin e paçmuar, e të përditshëm mes administratës të Presidentit Obama, Juve personalisht zonja Clinton, me shtetin Shqiptar. Për mua personalisht është një arsye më shumë, që në këtë ditë të shënuar me kaq shumë simbolika brenda tij, kam nderin që si grua parlamentare, në krye të Kuvendit të Shqipërisë t’i uroj mirëseardhjen me gjithë zemër një gruaje të madhe, të admiruar në vendin e saj e kudo ne bote, modelit të çdo gruaje, të çdo vajze në botë; lideres, që është kthyer në fuqi emancipimi, inspirueses të miliona grave kudo në botë, por jo vetëm të grave, ajo frymëzon burra dhe popuj të shumtë që luftojnë për liri e dinjitet. Ju, ju keni ndryshuar botën, për mua, zonja Clinton. Dhe kjo është mahnitëse. Mirëserdhe në Shqipëri zonja Clinton. Me këtë rast, në emër të Kuvendit të Shqipërisë, Kryetarja Jozefina Topalli i dhuroi Sekretares Klinton botimin special të Kuvendit të Shqipërisë me Aktet e Themelimit të Shtetit Shqiptar.
“Më lejoni që në emrin tuaj të falenderoj nga zemra, zonjën Klinton, Sekretaren Amerikane të Shtetit, për fjalën e saj, për lidershipin e saj, për mbështetjen e saj, për inkurajimin e saj, për përgëzimet që i bëri vendit tonë dhe kombit tonë në këtë përvejtor të jashtëzakonshëm të jubileut të pavarësisë. Ky Parlament ka pritur dhe ka patur fjalën e shumë liderëve të ndryshëm në botë, por kjo e sotmja, në këtë ditë, në këtë vit, e Sekretares amerikane të Shtetit, zonjës Hilari Klinton ishte xhevahiri me kurorën e historisë sonë kombëtare. Duke i’u marrë leje, do të më lejoni që në emrin tuaj në shenjë mirënjohjeje, me modesti, t’i dhurojmë Botimin e Kuvendit të Shqipërisë, Dokumentetet e Themelimit të Shtetit Shqiptar.

Edhe njëherë faleminderit!
topalli clinton
CLINTON-BERISHES: BASHKEPUNIM TË NGUSHTE PER 100 VITE TE TJERA
Ora: 12:20
 – Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton zhvilloi një takim me kryeministrin Berisha në selinë e qeverisë, ku shprehu urimet e saj për 100-vjetorin e pavarësisë dhe siguroi shefin e qeverisë shqiptare për vijimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona.

“Zoti Kryeministër, është një nder i madh të jem këtu, sot, në ditën e parë të muajit që shënon përvjetorin e 100 të pavarësisë suaj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenarë të jenë partnerët dhe miku juaj, ndërsa ju keni vazhduar të bëni progres, të konsolidoni demokracinë, të hapni ekonominë e të krijoni mundësi për të gjithë popullin tuaj. Ne ju urojmë përzemërsisht për 100 vitet e para dhe presim të çojmë përpara bashkëpunimin e ngushtë për 100 vitet e ardhshme.”- u shpreh sekretarja Clinton.

Nga ana e tij, Kryeministri vlerësoi vizitën e sekretares amerikane të Shtetit në këtë vit historik për Shqipërinë.
“Çdo vizitë e një Sekretari të Shtetit në Shqipëri është një vizitë historike, por vizita juaj është më historike, sepse përkon me një përvjetor të madh të vendit e kombit tim, 100 vjetorin e pavarësisë. Në këtë kontekst, ju siguroj se për çdo shqiptar prezenca juaj, sot, është një margaritar në kurorën e këtij përvjetori të madh. Shqiptarët i janë shumë mirënjohës vendit tuaj, juve, qeverisë suaj, sepse gjatë 100 viteve ja dolëm të triumfojmë në situatat më të vështira dhe ne jemi sot, një komb i lirë se kemi pasur privilegjin të kishim rolin përcaktues të kombit tuaj, qeverisë dhe vendit tuaj. Edhe një herë ju uroj mirëseardhjen më të ngrohtë. Kjo është një ditë e madhe për shqiptarët.”- theksoi kryeministri Berisha.

FJALIMI NË KUVEND, LLOZHAT MBUSHEN ME PERSONALITETE TË NDERUARA
Ora 11:50
– Hillary Clinton pritet të mbajë një fjalim para Kuvendit. Ndërkohë në lozhat e parlamentit shqiptar përveç deputetëve dhe anëtarëve kanë mbërritur ambasadorë të huaj të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të besimeve fetare në vend, kryetarë të Bashkive më të mëdha në vend si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

HILLARY DEKOROHET ME “URDHRIN E FLAMURIT”, PËRFUNDON TAKIMI ME PRESIDENTIN NISHANI
Ora 11:40 –
 Ka zgjatur rreth 30 minuta takimi mes sekretares Clinton dhe kryetarit të shtetit shqiptar në Pallatin e Brigadave. Presidenti Nishani e ka dekoruar sekretaren amerikane të Shtetit me “Urdhrin e Flamurit”, titulli më i lartë shqiptar. Vetëm pesë personalitete janë nderuar me Urdhrin e Flamurit deri sot. Dy janë shqiptarë dhe dy janë ish-Presidentët Amerikanë Bill Clinton dhe George W. Bush.

Në vijim të axhendës së saj, Sekretarja amerikane nisi menjëherë takimin me kryeministrin Berisha.
hilary dhe nishani

ISH-TË DËNUARIT POLITIKË, TUFA: POLICIA NUK NA LEJOI TË PRESIM CLINTON, ARRESTOI 14 ANËTARË
Ora 11:40
-Ish-të përndjekurit politikë kanë tentuar të protestojnë para Kuvendit, por nuk janë lejuar nga policia. Këtë bëri të ditur, kreu i shoqatës së ish-të burgosurve politikë, Skënder Tufa.
“Janë arrestuar 14 anëtarë të tubimit që po organizonim. Dëshironim ti bënim pritje Hillary Clinton dhe kishim vetëm 2 parulla me vete”, tha Tufa. Sipas tij, policia mes të arrestuarve ka shoqëruar në komisariat dhe 2 vajza nga Shkodra.

CLINTON MBËRRIN NË PALLATIN E BRIGADAVE, TAKON NISHANIN
Ora 11:10 –
 Sapo mbërriti në Tiranë, sekretarja amerikane e Shtetit iu drejtua Pallatit të Brigadave, ku u prit nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.

Më pas, sekretarja amerikane do të zhvillojë takime me kryeministrin Berisha dhe liderin e opozitës Edi Rama dhe në fund pritet edhe një fjalim në Kuvend.
HILLARY NE TIRANE ESKORTA
ULET NË RINAS AVIONI I SEKRETARES CLINTON
Ora 10:30 –
 Avioni i Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton u ul në Aeroportin e Rinasit rreth orës 10:30, ndonëse pritej të mbërrinte më herët në orën 09:30. Sekretarja Clinton zbriti nga avioni duke e mbajtur vetë çadrën, për shkak të reshjeve të shiut që kanë përfshirë Tiranën.

Në Aeroportin e Rinasit, sekretarja Clinton u prit nga ministri i Ja
shtëm, Edmond Panariti. Shefi i diplomacisë shqiptare i uroi kryediplomates amerikane mirëseardhjen në Shqipëri. Ministri Panariti sipas protokollit të shtetit ishte i pari që priti përzemërsisht Clinton në vendin tonë.
clinton ne aeroport
Rruga nga aeroporti drejt kryeqytetit është tërësisht e boshatisur, ndërsa policia ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e vizitës së parë të Sekretares Amerikane në vendin tonë.

VIZITA E KLINTON NË TIRANË, E KATËRTA E NJË ZYRTARI TË LARTË AMERIKAN PAS VITEVE ’90
Sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton, që do të vizitojë Tiranën të enjten, është e katërta e një drejtuesi të Departamentit të Shtetit që viziton Shqipërinë, pas viteve ’90. I pari që shkeli në Tiranë, në 1991-n ishte sekretari i atëhershëm Xhejms Bejker, të cilit iu rezervua një pritje madhështore në Shqipërinë e sapo dalë nga izolimi komunist.

Vizita e dytë do të ishte në 2000-n, e znj. Madelein Albright, ndërsa pak vite më vonë në 2003-n do të vinte sekretari i atëhershëm Kolin Pauwll, vizita e të cilit do të vendoste bazat e anëtarësimit të mëvonshëm të Shqipërisë në NATO.
Ngjarja më kulmore në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane është vizita në vitin 2007 e presidentit të atëhershëm George W. Bush, i cili nga Tirana paralajmëroi pavarësinë e Kosovës.

HILLARY CLINTON 4 ORË NË TIRANË, “BLINDOHET” KRYEQYTETI
Ora: 07:10 –
 Vizita e Clinton në Tiranë vjen në kuadër të turit ballkanik, që pas Kosovës e Shqipërisë, do të mbyllet me vizitën në Kroaci. Rreth orës 09:30 minuta, Clinton do të zbresë në aeroportin e “Rinasit”, nga ku më pas do t’i drejtohet Pallatit të Brigadave, ku pritet të zhvillojë takimin e parë me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Më pas mësohet se takimi i radhës do të jetë me shefin e qeverisë, Sali Berisha në ambientet e Kryeministrisë, rreth orës 11:45.

Prej disa ditësh administrata e Këshillit të Ministrave ka marrë të gjitha masat për ceremoninë e pritjes. Madje vëmendje jo pak e veçantë u është kushtuar edhe ambienteve të jashtme, ku janë mbjellë me qindra lule dekorative, ndërkohë që është lyer edhe fasada në një nga hyrjet e ndërtesës qeveritare. Ndërkohë gjatë ditës së sotme për shkaqe të sigurisë, nëpunësit e administratës së kryeministrisë nuk do të lejohen të shkojnë në punë pas orës 09:00. Pas takimit me Berishën, Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton do të drejtohet për në Kuvendin e Shqipërisë, ku gjithashtu do të pritet në një ceremoni nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Gjatë pjesëmarrjes në seancën e së enjtes, Clinton do të mbajë edhe fjalën e saj, e cila do të jetë edhe deklarata e vetme për këtë vizitë në Shqipëri. Ende i pakonfirmuar mbetet edhe vendi i takimit mes Clinton dhe shefit të opozitës, Edi Rama, që sipas disa burimeve do të zhvillohet në rezidencën amerikane në Tiranë, shkruan sot Gazeta Shqiptare.

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, do të jetë e vetmja rrugë, ku qytetarët mund të përshëndesin nga larg Sekretaren amerikane të Shtetit. Kjo vizitë është shoqëruar me masa të rrepta sigurie, ku 1500 policë të reparteve RENEA, FNSH, efektivë të 6 komisariateve dhe asaj rrugore do të jenë në gatishmëri që nga aeroporti “Nënë Tereza”, për të vazhduar më pas nga kthesa e “Rinasit” për në Tiranë, rruga e “Durrësit” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.

Në të gjitha këto akse do të ketë bllokim të përkohshëm të trafikut deri në orën 17:00, kur Clinton pritet të largohet nga Shqipëria. Forcat e rendit dhe agjencitë e inteligjencës janë në gatishmëri të lartë për të siguruar një vizitë të qetë të kryediplomates amerikane. Policia e Kryeqytetit ka planifikuar dhe ka ndërmarrë një sërë masash për të garantuar mbarëvajtjen e vizitës së delegacionit të sekretares Clinton. Policia bëri të ditur, se në këtë kuadër janë planifikuar dhe disa masa kufizuese në drejtim të lëvizjes dhe parkimit të automjeteve në disa akse rrugore.

Masat kufizuese në drejtim të lëvizjes dhe parkimit të automjeteve në akset rrugore:
Nga ora 22:00 e datës 31.10.2012 deri në orën 17.00’ të datës 01.11.2012 do të ndalohet parkimi dhe ndalimi i automjeteve në këto akse rrugore.

– Rinas – Qafë Kashar;
– Qafë Kashar- Rreth Rrotullimi i Doganës;
– Rreth Rrotullimi i Doganës-Unaza e Re-Pallati me Shigjeta;
– Pallati me Shigjeta-Bulevardi Barjam Curri-Ura e Lanës tek Hotel Dajti;
– Ura e Lanës tek Hotel Dajti-ETC- Rruga e Elbasanit;
– Rruga e Elbasanit-Pallati i Brigadave;
– Rruga Ismail Qemali-Bulevardi Dëshmorët e Kombit deri tek Hotel Sheraton;
– Bulevardi Dëshmorët e Kombit – Bulevardi Xhorxh Bush;
– Bulevardi Zhan Dark deri tek Pallati me Shigjeta.

2. Nga ora 10:00 të datës 01.11.2012 deri në orën 17.00’ të kësaj date do të këtë ndalim të qarkullimit të automjeteve në akset rrugore të mëposhtme:
– Rinas – Qafë Kashar;
– Qafë Kashar- Rreth Rrotullimi i Doganës;
– Rreth Rrotullimi i Doganës-Unaza e Re-Pallati me Shigjeta;
– Pallati me Shigjeta-Bulevardi Barjam Curri-Ura e Lanës tek Hotel Dajti;
– Ura e Lanës tek Hotel Dajti-ETC- Rruga e Elbasanit;
– Rruga e Elbasanit-Pallati i Brigadave;
– Rruga Ismail Qemali-Bulevardi Dëshmorët e Kombit deri tek Hotel Sheraton;
– Bulevardi Dëshmoret e Kombit – Bulevardi Xhorxh Bush;
– Bulevardi Zhan Dark deri tek Pallati me Shigjeta.

3. Nga ora 10:00 deri në orën 17.00’ të datës 01.11.2012 do të këtë kufizime të ndalimit si dhe të parkimit të automjeteve në akset rrugore:
– Bulevardi Dëshmorët e Kombit-Sheshi Skënderbej;
– Rruga e Durrësit deri tek Rreth Rrotullimi i Doganës.

“Policia e Kryeqytetit shpreh besimin në mirëkuptimin e qytetarëve për zbatimin e këtyre kufizimeve të domosdoshme për të siguruar mbarëvajtjen e vizitës shumë të rëndësishme të Sekretares së Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë.”- theksohet në njoftimin e policisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here