Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pas mesnatës në fshatin Thumanë. 3 persona nga e njëjta familje janë qëlluar për vdekje me armë zjarri pranë banesës së tyre, në një pritë të ngritur nga persona të paidentifikuar.
Si pasojë e breshërisë së armës mësohet se ka mbetur i plagosur dhe një person i katërt, anëtar i së njëjtës familje. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se viktimë e sulmit ka mbetur 70 vjeçari Fran Ceku, i biri i tij Arben Ceku 46-vjeç, si dhe nipi i familjes së tyre Enea Rama 18-vjeç.
Gjithashtu bëhet me dije se e plagosur ka mbetur gruaja e Franit, Lucie Ceku 65-vjeç. Menjëherë sapo janë lajmëruar për lajmin tragjik, efektivët e policisë dhe forcat speciale kanë mbërritur në vendin e krimit dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe identifikimin e autorëve.
Sipas burimeve policore, në atentat ka qënë i përfshirë më shumë se një person. Viktimat janë qëlluar për vdekje nga dy armë, një ‘Kallashnikov’ dhe një pistoletë. Nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes, mendohet se sulmi mund të jetë shkaktuar pas një sherri banal.