Home Kulture Nderon jete aktori i njohur Fatos Sela

Nderon jete aktori i njohur Fatos Sela

857
0

fatos selaNdërron jetë aktori i njohur shqiptar Fatos Sela. Aktori u nda nga jeta sot pasdite në moshën 65-vjeçare nga një sëmundje e rëndë. Fatos Sela ishte një aktor i kudogjendur i skenës dhe i ekranit, me një karrierë të pasur artistike. Roli më i fundit i tij ka qenë roli i Salierit në dramën “Amadeus”, që u ngjit në skenën në skenën e Teatrit Kombëtar me regji të Altin Bashës në pranverën e 2013-s.

Brenda harkut kohor të një viti, kjo ka qenë vepra e dytë në të cilën interpretonte aktori i njohur Fatos Sela, sepse në nëntor të 2012-s në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë ai u prezantua me rolin e Ismail Qemalit në dramën “Ëndrra e Ismail Qemalit”, që u dha me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Fatos Sela ka interpretuar në shumë vepra të njohura të dramaturgjisë kombëtare dhe botërore. Ka kryer studimet e larta në Akademinë e Arteve Tiranë, ku është diplomuar si aktor. Karrierën e ka nisur si regjisor ne RTV Shqiptar (1972-1975). Nga viti 1975-1995 punoi si aktor e regjisor ne teatrin Bylis të Fierit. Ndër rolet më të spikatura të kësaj periudhe janë: “Dy krisma në Paris”, “Zoti godet me putër”, “Kush e vrau Kastinen”, “Shtrigat e Salemit”, “Një letër e humbur” etj.

Ndër interpretimet që ka bërë si aktor i Teatrit Kombëtar, ku nisi të punonte që nga viti 1995, më të spikatura janë rolet te “Armiku i Popullit”, “Xhaxha Vanja”, “Portreti i Dorian Greit”, “Pulëbardha”, “Streha e të harruarve”, “Tiranosauri”, “Pamje nga ura”, “Magjia e madhe”, “Franku i V” etj. Interpretimi i tij është vlerësuar me diploma dhe çmime Republike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here