Buxhet historik e ka quajtur kreu i qeverisë buxhetin e vitit 2011 që do të miratohet në mbledhjen e sotme të qeverisë.
Duke folur në fillim të mblehdjes, Berisha ka theksuar se ky buxhet do të jetë më i madhi i historisë së vendit, me një rritje të ndjeshme krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar.
“Jemi para një projekti thellësisht realist, projekt i cili do të ruaj stabilitetin makroekonomik si mekanizmin më thelbësor për zhvillimin ekonomik të vendit. Buxheti mbështet fuqishëm rritjen ekonomike për vitin që vjen, edhe ky një kusht i dytë i rëndësisë, i zhvillimit të shpejtë të vendit. Buxheti mbështet tërësisht përparësitë e programit të qeverisë”, tha Berisha.
Sipas tij, përparësi ka infrastruktura me mbi 80 miliardë lekë, pra rreth 1 miliardë dollarë do të jetë investime në rrugë, ujësjellës, shkolla, qendra shëndetësore, etj. Nga këto, 50 miliardë lekë janë përcaktuar për sistemin rrugor të vendit.
Ai theksoi se 500 milionë dollarë do të shpërndahen në akset rurale dhe kombëtare, por përparësia kryesore është tuneli Tiranë-Elbasan, tuneli i boshtit të Jugut dhe të Korridorit 8.
Më tej Berisha premtoi rritje pagash e pensionesh, për të cilat tha se do jen ëmë të mëdhatë në gjithë historinë.
Pensionet në fshat, sipas tij do të rriten me 10% ndërkohë që në qytet kjo rritje do të jetë 7-8%. Rritje do të ketë edhe në pagat e administratës me 5-10%.