Rrefimi per gazeten tri dite pas krimit: Vrasesi zbriti nga nje makine e zeze, ishte me mjeker dhe me syze.
Hetuesit: Verifikim jetës së biznesmenit pas ‘97-s. Vitet e fundit ndërpreu kontaktet me bandën e Durrësit.
Autori i vrasjes së biznesmenit Gentian Zguri (Gashi) nuk ka qenë i vetëm në momentin kur ka kryer krimin. Ai ka qenë në krahun e pasagjerit kur ka zbritur nga një autoveturë me ngjyrë të zezë, vetëm pak metra nga vendi ku mbeti i vrarë Gentian Zguri. Një dëshmitar ka rrëfyer për gazetën sekondat e fundit para se të ekzekutohej në mënyrë mafioze 35-vjeçari. Ai ka qenë pranë makinës së autorit, duke i rikthyer në memorie ato çaste vetëm pasi mësoi se pikërisht ky person është ndër më të kërkuarit në vend.
Dëshmia
“Autori, pasi ka qëlluar, është larguar me hapa të shpejtë nga vendi i krimit. Ishte i gjatë rreth 180 cm, trup i mbushur, me mjekër, veshur me një xhaketë treçerekëshe të zezë, syze ngjyrë kafe dhe në kokë mbante një kapele ngjyrë blu, me vija të bardha”, e ka përshkruar ngjarjen, që tri ditë më parë tronditi qytetin e Durrësit dëshmitari, i cili në momentin kur ndodhi krimi ka qenë duke kaluar në trotuarin tjetër. “Isha duke ardhur nga shëtitorja “Taulantia”, në drejtim të qendrës tregtare “Blu Star” dhe, kur u afrova afër Drejtorisë së Tatimeve, pashë një person që doli nga një makinë me ngjyrë të zezë. Pasi qëndroi rreth 10 sekonda duke parë në trotuarin tjetër, kaloi rrugën dhe iu afrua personit që mbeti i vrarë. Nuk është se i vura shumë rëndësi, pasi me dhjetëra persona zbresin nga makina në rrugë. Dëgjova vetëm një zhurmë sikur u shpua një gomë makine dhe pastaj pashë djalin që ra në tokë. Ndërsa personi tjetër, pasi qëlloi, futi armën brenda xhaketës, ktheu disa herë kokën majtas-djathtas dhe u largua me hapa të shpejtë. Nuk e pashë më se nga iku, pasi po shikoja personin tjetër që ishte i shtrirë. Pastaj u mblodhën shumë qytetarë dhe pas dy minutash mbërriti policia”, është shprehur dëshmitari, i cili nuk dëshiron të identifikohet.
Hetimet
Në fakt, e kaluara e biznesmenit nga Tirana që mbeti i vrarë me plumb në kokë tri ditë më parë në Durrës, ua ka vështirësuar shumë punën oficerëve të Policisë Gjyqësore, të cilët po hetojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë. Jeta kriminale e biznesmenit të njohur nga kryeqyteti Gentian Zguri (Gashi), që pas vitit ’97 ka qenë ka qenë mjaft e komplikuar dhe vetë 35-vjeçari ka qenë një person i njohur për Policinë. Ndaj dhe këta të fundit nuk kanë një pistë kryesore për të hetuar, por i kanë shtrirë ato në shumë drejtime. “Nuk kemi një pistë të vetme për të hetuar. Jeta e 35-vjeçarit ka qenë shumë problematike. Prandaj që nga viti 1997 e më pas, çdo gjë që ka të bëjë me biznesmenin tiranas do të hetohet. Do të zbardhen të gjitha aktivitetet e tij qofshin të reja, apo të vjetra”, janë shprehur për gazetën burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit. Të njëjtat pohime bëhen dhe nga Prokuroria. Nga kjo e fundit mësohet se nuk ka një pistë konkrete ku të jenë fokusuar. Sipas tyre po hetohet në shumë drejtime, po asaj që i mëshohet është fakti që biznesmeni 35-vjeçar mund të jetë ekzekutuar për larje hesapesh për hakmarrje apo për motive që lidhen me aktivitetin e tij të përditshëm.
Lidhja me bandën e Durrësit
Grupi i hetimit përjashton mundësinë që vrasja e Gentian Gashit të ketë lidhje me problemet që ai ka pasur me bandën e Durrësit, referuar të penduarit të kësaj organizate kriminale, Adriatik Coli. Sipas hetuesve, 35-vjeçari rezulton se “i ka ndërprerë” prej vitesh kontaktet me të njohurit e tij, pjesë e bandës dhe po ashtu, pas arrestimit të shumicës prej tyre ai nuk ka pasur ndonjë raport me ta. Hetimi është përqendruar më tepër në çështje personale të 35-vjeçarit, përfshi edhe biznesin e tij. Dyshimet e Policisë janë përqendruar më tepër në probleme biznesi apo droge, për shkak se atë ditë Gentian Gashi ka shkuar në Durrës, edhe pse në një ditë pushimi dhe qëllim dyshohet se ka pasur takimin me personin që kreu vrasjen. Sipas Policisë, pistat janë se viktima e ka njohur autorin dhe ka shkuar në takim me të pa e ditur çfarë e priste, ndërsa varianti tjetër është se Gentian Zguri (Gashi) kishte lënë takim dhe pritësit e tij, duke e ditur se ai do të shkonte, i kanë ngritur pritën e vrasjes.
Shoqërimet
Kur kanë kaluar tri ditë nga ekzekutimi i biznesmenit tiranas 35-vjeçarit Gentian Zguri (Gashi), Policia ndonëse ka shoqëruar në komisariat më shumë se 25 persona, nuk ka asnjë të dyshuar. Policia dhe Prokuroria e qytetit të Durrësit ende nuk kanë një autor apo një version zyrtar për arsyet e kësaj vrasjeje.
Krimi
Viktima Gentian Zguri (Gashi), 35 vjeç, u ekzekutua me një plumb në kokë mesditën e së shtunës, rreth orës 12:45 minuta, në Lagjen numër 4 të qytetit bregdetar. Krimi ndodhi vetëm disa metra larg Drejtorisë Rajonale të Tatim-Taksave, në prani të shumë kalimtarëve.
Telefonata e fundit, me një mik
Grupi hetimor që po merret me zbardhjen e vrasjes së 35-vjeçarit Gentian Zguri (Gashi), ka zbardhur telefonatën e fundit që është bërë nga celulari i viktimës. Mësohet se personi i fundit ka qenë një mik i Zgurit, i cili është marrë në pyetje nga ana e Policisë. Ai ka pohuar se vetëm pak minuta para krimit ka pirë kafe me Gentin për t’u ndarë më pas. Gjatë dëshmisë së dhënë, nga burime të këtij grupi bëhet e ditur se miku i 35-vjeçarit ka deklaruar se Gentiani i kishte pohuar se kishte ardhur në Durrës për punë personale të tij, por pa i treguar se për çfarë bëhet fjalë. Ndërsa misteri vazhdon ta mbulojë krimin, hetuesit ende nuk dinë se ku të bazohen për të zbardhur ngjarjen e rëndë.