Home Politike Nga Pango tek Prifti:19 ministrat që ka shkarkuar Berisha

Nga Pango tek Prifti:19 ministrat që ka shkarkuar Berisha

835
0

Për pesë vjet me radhë, nga 3 shtatori i vitit 2005 e deri tani, qeveria “Berisha” ka pritur dhe ka përcjellë plot 19 ministra. Këtu nuk bëhet fjalë për lëvizje nga një ministri në tjetrën, por për shkarkime përfundimtare apo dorëheqje. Arsyet janë sa të ndryshme aq edhe të çuditshme. Pjesa më e madhe e ministrave ka lënë gjurmë të pashlyeshme në qeveri dhe më pas janë larguar për t’i lënë radhë të tjerëve që të ndreqin gabimet e tyre. Duke marrë shkas nga shkarkimi i ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, gazeta boton sot 19 ministrat që ka ndërruar kryeministri Sali Berisha dhe historitë e secilit prej tyre.
Kabineti i parë
U cilësua si kabineti i reformave. Ishte qeveria që mori mandatin në datën 2 shtator 2005 dhe pati edhe bekimin me disa vota të opozitës. Deri para zgjedhjeve lokale, kreu i qeverisë, Berisha, komentonte se nuk kishte nevojë për ndryshime. I vetmi që u detyrua të bënte një dorëheqje morale ishte kandidati për Bashkinë e Tiranës, Sokol Olldashi. Në krye të Ministrisë së Brendshme, Olldashi cilësohej si një nga anëtarët më të suksesshëm të kabinetit. Por për të hyrë në garën për Bashkinë e Tiranës, Olldashi duhet të jepte dorëheqjen dhe nga posti i ministrit, por edhe nga ai i deputetit. Olldashi u zëvendësua nga deputeti i PD-së, Bujar Nishani, për tu kthyer më pas si ministër i Transporteve. Por rezultati i zgjedhjeve lokale në 2007-n kërkoi dhe një rishikim të kabinetit qeveritar të drejtuar nga kryeministri Berisha. Presioni i aleatëve, bilanci i zgjedhjeve, por edhe kritikat e opozitës, ishin një arsye e mirë për të bërë një rifreskim të ekzekutivit. Nga ky ndryshim Aldo Bumçi u largua nga Ministria e Drejtësisë dhe në vendin e tij u emërua Ilir Rusmali. Po ashtu, një tjetër dikaster që u prek ishte dhe ai i Ministrisë së Kulturës. Bujar Leskaj u zëvendësua nga deputeti i PD-së, Ylli Pango. E njëjta gjë dhe me Ministrinë e Integrimit, ku në vend të deputetes së Shkodrës, Arenca Trashani, u emërua zëdhënësja e PD-së për fushatën elektorale, Majlinda Bregu. Kabineti i dytë i qeverisë “Berisha” preku vetëm postet që mbanin deputetët e PD-së. Për të ruajtur balancat mes PD-së dhe aleatëve, kreu i qeverisë, Berisha, u detyrua të mos ndryshonte vendet e partive aleate në qeveri. Vendim që i kushtoi jo pak PD-së, duke qenë se kritikat kryesore për qeverinë vinin në drejtim të aleatëve. I vetmi lëshim që bëri kryeministri Berisha përballë presionit të aleatëve, ishte dhënia e një posti në qeveri Partisë Demokristiane. Ndard Ndoka zëvendësoi në Ministrinë e Shëndetësisë që drejtohej më parë nga ministri Maksim Cikuli. Gjatë gjithë qeverisjes pesë vjeçare të kryeministrit, qeveria “Berisha” ka ndryshuar tetë herë, me gjithë ndryshimet e fundit të bëra aktualisht. Janë ndryshuar mjaft ministra, kanë ardhur figura të reja, janë zëvendësuar sërish dhe tashmë, “fytyra” e qeverisë është me tre ministra të Lëvizjes Socialiste për Integrim,  një ministër të PBDNJ-së, një ministër të PR-së. Për momentin, Berisha ka deklaruar se nuk do të ketë më ndryshime, por gjithsesi asgjë nuk është e sigurtë.

Dy dorëheqjet më të bujshme
Në katër vitet e qeverisjes janë dy dorëheqje që do të mbahen mend në historinë e kabineteve qeveritare. E para, është dorëheqja e ministrit të Jashtëm, Besnik Mustafaj. Një prej njerëzve më me pushtet në PD, por edhe një politikan i djathtë që njihej për miqësinë e tij me kryeministrin Berisha. Një muaj para vizitës historikë të Presidentit Bush në Tiranë, Mustafaj deklaroi dorëheqjen. Një largim që veç vizitës së Bush-it, shtoi pikëpyetjet dhe për përmbajtjen e arsyeve të largimit. Me frazën “jam i lodhur”, pas dy vjetësh në Ministrinë e Jashtme, Mustafaj largohej nga skalioni i parë i qeverisë. Por mungesën e argumenteve bindëse e shtoi më tepër dhe firmosja e menjëhershme e pranimit të dorëheqjes nga kryeministri Berisha. Vendi vakant i Mustafajit u plotësua brenda 24 orëve nga kryeministri Berisha, duke e zëvendësuar Mustafajin me ish-ministrin e Transporteve dhe Punëve Publike, Lulëzim Basha. Dorëheqja e dytë i atribuohet ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediut. Nëse nuk do të kishte ndodhur shpërthimi i Gërdecit, Fatmir Mediu do të ishte një nga ministrat më të suksesshëm. Drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes, që ishte shumë larg debatit të ditës në politikë. Integrimi në NATO dhe përmbushja e reformave i jepnin luksin të ishte një nga ministrat më pak të sulmuar. Por tragjedia e 15 marsit dhe humbja e jetës së 26 personave bënë që dhe karriera e Mediut në qeveri të merrte fund. Tri ditë pas shpërthimit të Gërdecit, Fatmir Mediu dha dorëheqjen nga Ministria e Mbrojtjes. Duke shënuar dhe rastin e parë kur një parti aleate në qeverinë “Berisha” largohej nga kabineti. Mediu qëndroi për një periudhë të gjatë kohe larg qeverisjes.

Dorëheqje për moral
“Jap dorëheqjen mbi bazën e moralit tim për luftën ndaj korrupsionit’. Me këtë frazë ministri Ilir Rusmali, vetëm pak muaj pasi kishte marrë detyrën, deklaronte largimin e tij nga kabineti. Publikimi i një bisede të regjistruar mes vëllait të tij dhe drejtorit të Burgjeve, për lehtësi në procedurat e një tenderi, bënë që Rusmali të jepte dorëheqjen. Edhe pse për largimin e tij u dhanë një sërë arsyesh që kanë të bëjnë me luftën brena PD-së, Rusmali bën pjesë në të paktët ministra që vendosi një standard të ri. Për herë të parë, një ministër dha dorëheqjen, jo se u përmend emri i tij në një aferë korruptive, por një i afërt i tij. Një gjest që edhe me tensionin që kishte opozita ndaj mazhorancës, u vlerësua nga të dyja palët.

Shkarkimet me zhurmë
Shkarkimi i ish-ministrit të Kulturës Ylli Pango, për katër minuta, dhe për më tepër me telefon, bëri jehonë të madhë në mbarë vendin. Shkak i kësaj mase të marrë nga kryeministri u bë një video e publikuar nga “Fiks Fare” e cila e përfshinte ministrin në atë që u cilësua “skandal seksual”. Kryeministri kishte toleruar gjithçka deri në ato momente, por çështje të moralit, nuk i toleronte kurrsesi. Rasti i dytë dhe më i fundit është ai i ministrit të Ekonomisë, Dritan Priftit, i cili nuk u shkarkua nga Berisha, por nga vetë forca që e çoi në krye të këtij dikasteri. Në këtë rast, shefit të qeverisë, i ndodhur ngushtë, i mbetej vetëm të pranonte kërkesën.

Ministrat stabël
Përveç ndryshimeve të herëpashershme, nuk mund të themi që qeveria “Berisha” nuk ka ruajtur asnjë ministër. Kështu, ministri i Financave, Ridvan Bode, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu dhe ministri i shtetit Genc Pollo, janë në këtë qeveri që nga 3 shtatori 2005 e deri më sot. Pavarësisht lëvizjeve të shumta që kanë bërë, nga një ministri në tjetrën, e rëndësishme është që ata kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pjesë e kabinetit qeveritar.
Ministrat e larguar

Arenca Trashani
Një nga prurjet e reja të Partisë Demokratike në legjislaturën e fundit, por që nuk qëndroi shumë gjatë në qeveri. Në krye të Ministrisë së Integrimit, Trashani u largua me ndryshimet e para që kryeministri Berisha i bëri kabinetit qeveritar. Trashani u zëvendësua nga deputetja e PD-së, Majlinda Bregu, e cila vazhdon të jetë ende në këtë detyrë.

Maksim Cikuli

Anëtar i KOP-it dhe një nga figurat e njohura të PD-së u zgjodh në postin e Ministrit të Shëndetësisë në qeverinë e parë të kryeministrit Berisha në vitin 2005. Por Cikuli ishte dhe ndër të parët që u ndryshuan pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007. Maksim Cikuli u zëvendësua në postin e tij si Ministër i Shëndetësisë nga demokristiani Ndoka.

Bujar Leskaj
Pas dorëheqjes së Sokol Olldashit, Leskaj ishte ndër ministrat që kryeministri Berisha u detyrua ta ndryshonte si pasojë e presioneve të aleatëve dhe vetë PD-së. Bujar Leskaj qëndroi një vit e gjysmë në detyrën e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për t’u zëvendësuar më pas nga kolegu i tij demokrat, Ylli Pango.

Aldo Bumçi

Reforma në drejtësi dhe mosshkarkimi i Prokurorit të Përgjithshëm ishin dy nga arsyet që sollën largimin e ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi. Bumçi ka qenë ministri i parë i Drejtësisë në qeverinë e “Berishës” të sapo ndërtuar pas zgjedhjeve të vitit 2005. Vendi i Aldo Bumçit për pak kohë u zëvendësua nga një prej juristëve më të njohur të PD-së, Ilir Rusmali. Aktualisht Bumçi vazhdon karrierën e tij si deputet i Partisë Demokratike.

Besnik Mustafaj
Është ministri që ka dhënë argumentin më të çuditshëm për dorëheqjen e tij. “Jam i lodhur”. Me këto fjalë Besnik Mustafaj ka prezantuar para publikut dorëheqjen e tij si Ministër i Punëve të Jashtme. Ironia e dorëheqjes së tij ishte se pikërisht pas 1 muaji nga dorëheqja e tij, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, do të vizitonte Shqipërinë.

Ilir Rusmali
Është i pari rast që një ministër jep dorëheqjen vetëm sepse emri i një familjari të tij lakohet në një aferë korruptive. Ministri i Drejtësisë, Ilir Rusmali, i dorëzoi dorëheqjen Berishës pak orë pasi në media u publikua një bisedë e drejtorit të Burgjeve me vëllanë e Rusmalit, ku ky i fundit kërkonte garanci për të marrë një tender. Rusmali e mori këtë detyrë pas ish-ministrit Aldo Bumçi. Ai u zëvendësua nga Enkelejd Alibeaj.

Nard Ndoka

Një konflikt i gjatë brenda demokristianëve dhe një mbështetje në heshtje e rivalit të Ndokës, Anton Gurakuqi, nga kryeministri Berisha, bënë që Nard Ndoka t’i shtohej listës së ministrave të shkarkuar. Prej gati një gjysmë viti në Ministrinë e Shëndetësisë, Ndoka krijoi jo pak polemika me reformat e tij. Pas çarjes së PDK-së, kryeministri Berisha preferoi largimin nga kabineti të Ndokës. Ky i fundit u zëvendësua nga ministrja Anila Godo.

Kosta Barka
Rasti më i fundit ishte i largimeve nga qeveria ishte ai Kosta Barkës. Pas një konflikti në Partinë  Bashkimit të të Drejtave të Njeriut mes Barkës dhe drejtuesve të PBDNJ-së, këta fundit kërkuan shkarkimin e Barkës nga posti i ministrit të Punëve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Kërkesa e cila u pranua nga Berisha, dhe në vend të Barkës ministër u emërua Anastas Duro.

Ylli Pango
Ka mjaftuar vetëm një telefonatë nga Dajti që Ylli Pango të mos ishte më Ministër Kulture. Videoja e publikuar nga emisioni “Fiks Fare” shënoi edhe fundin e karrierës si ministër të Ylli Pangos. Duke qenë se mbahet si njeri i parimeve, dhe ky rast e shkeli në “kallo”, menjëherë pas publikimit të videos, kryeministri e shkarkoi menjëherë Pangon, duke bërë jehonë të madhe në shtyp. Vendin e ministrit Pango e zuri më pas Ardian Turku, i cili aktualisht është deputet i qytetit të Elbasanit.

Anstas Duro
Ministri i Punëve Sociale ka dhënë dorëheqjen nga kabineti qeveritar pasi partia që ai përfaqëson u “divorcua” nga koalicioni me Partinë Demokratike dhe u bashkua në koalicion me të majtët. Në vendin e tij, kryeministri Sali Berisha emëroi ministrin Viktor Gumi. I cili ndenji për disa kohë në këtë pozicion për tu zëvendësuar sërish.

Gazmend Oketa
Zgjedhjet e 28 qershorit vendosën edhe fatin e disa ministrave të kabinetit qeveritar. Koalicioni PD-LSI sakrifikoi edhe largimin e disa ministrave të PD-së. Gazmend Oketa u larguar nga posti i ministrit të Mbrojtjes për t’u zëvendësuar me ministrin aktual të mbrojtjes, Arben Imamin, i cili më parë kishte qenë shef i kabinetit të kryeministrit Sali Berisha. Oketa mbeti pa post tjetër qeveritar.

Enkelejd Alibeaj
Pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj ia liroi radhën një tjetër ministri të kësaj qeverie, ish-ministrit të Brendshëm, Bujar Nishanit. Karriera e Alibeajt nisi nga zyrat e anti-korrupsionit në kryeministri, për tu bërë më tej zëvendësi i Rusmajlit. Tashmë Enkelejd Alibeaj është deputet në Parlamentin shqiptar.

Fatos Beja
Reforma e zgjedhjeve të 28 qershorin nuk e la pa prekur ministrin e Arsimit, Fatos Bejën, i cili më parë ka mbajtur postin e nënkryetarit të Kuvendit, pranë Kryetares Jozefina Topalli. Pas dy posteve të rëndësishme, si në pushtetin ekzekutiv, ashtu edhe në atë legjislativ, Beja tashmë është deputet i thjeshtë në Parlament, dhe vendin e tij e ka zënë ish-këshilltari i kryeministrit për arsimin, Myqerem Tafaj.

Anila Godo
Vajza e veteranit të politikës, Sabri Godos, ka drejtuar në një kohë mjaft vështirë sistemin e shëndetësisë në vend. Anila Godo u vu në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, për shkak të koalicionit PD-PR. Por pas zgjedhjeve të qershorit, për shkak të kërkesave të LSI-së, e cila formoi koalicion me PD-në, Godo u zëvendësua me përfaqësuesin e LSI-së, Petrit Vasilin.

Viktor Gumi
Marrëveshja parazgjedhore mes Partisë Demokratike dhe Partisë për të Drejtat e Njeriut, e hoqi Viktor Gumin nga posti i ministrit të Punëve Sociale dhe Shanseve të Barabarta për t’ia lënë drejtimin e saj, përfaqësuesit të PBDNJ-së, Spiro Ksera. Ksera nga 28 qershori i vitit të kaluar e deri tani, vazhdon të drejtojë në qetësi dikasterin e punës.

Jemin Gjana
Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, ka qenë një tjetër figurë e PD-së që është sakrifikuar në emër të koalicionit PD-LSI, duke qenë se Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi tre ministri, po ashtu dhe aleatët e tjerë kishin kërkesat e veta. Jemin Gjana, i cili ka mbajtur për katër vjet timonin e Ministrisë së Bujqësisë, është zëvendësuar nga ish-ministri i Energjetikës, Genc Ruli.

Ardian Turku
Pas Ylli Pangos, Ardian Turku ka qenë ministri i dytë i Ministrisë së Kulturës që është hequr nga kabineti qeveritar për të zënë vendin e tij në Parlament. Kryeministri Sali Berisha zgjodhi që ta joshë Turkun me mandatin e deputetit dhe në vendin e ti të emëroi Ferdinant Xhaferrin, i cili edhe pas gafës me eshtrat e Ismail Qemalit, vazhdon të kryesojë këtë dikaster.

Lufter Xhuveli
Ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, i cili qëndronte në këtë post për hir të koalicionit të partisë së tij me PD-në, është zëvendësuar pas zgjedhjeve nga ish-ministri i Mbrojtjes, Ftamir Mediu, i cili pas tragjedisë së Gërdecit dha dorëheqjen. Pas zgjedhjeve, shefi i qeverisë vendosi që ta sillte sërish në kabinet Mediun, por këtë herë në dikastere më pak problematike dhe me më pak përgjegjësi.

Dritan Prifti
I pari ministër që është bërë “kokë turku” për mandatin e dytë të qeverisë “Berisha” është ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Këtij të fundit, ka qenë vetë partia e tij që i ka bërë dalje, dhe vendimi për shkarkimin e tij është marrë në një ditë kur Prifti nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e Kryesisë së LSI. Vendin e Priftit do të zërë ministri i Jashtëm, Ilir Meta dhe në postin e Metës, do të jetë zëvendësministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto.
Qeveria “Berisha 8”

Sali Berisha, Kryeministër, PD
Ilir Meta, zv.kryeministër, LSI
Edmond Haxhinasto, Ministër i Jashtëm, LSI
Majlinda Bregu, Ministre e Integrimit, PD
Lulzim Basha, Ministër i Brendshëm, PD
Arben Imami, Ministër i Mbrojtjes, PD
Ridvan Bode, Ministër i Financave, PD
Ilir Meta, Ministër i Ekonomisë, LSI
Bujar Nishani, Ministër i Drejtësisë, PD
Sokol Olldashi, Ministër i Punëve Publike, PD
Myqerem Tafaj, Ministër i Arsimit, PD
Petrit Vasili, Ministër i Shëndetësisë, LSI
Spiro Ksera, Ministër i Punës, PBDNJ
Genc Ruli, Ministër i Bujqësisë, PD
Ferdinant Xhaferri, Ministër i Turizmi, PD
Fatmir Mediu, Ministër i Mjedisit, PR
Genc Pollo, Ministër i Shtetit, PD

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here