Morena Taraku ka fituar kurorën e bukurisë në Kosovë, dhe atje është shndërruar në një personazh të dashur.
Së fundmi ajo po bëhet e njohur edhe nga publiku i Shqipërisë, që shpesh e shohin bukuroshen teksa reklamon platformën ‘Digitalb’.
Morena ka bukuri mesdhetare dhe një buzëqeshje që tërheq vëmendjen e gjithkujt. Gazetarja e ardhshme është përqendruar tek studimet, sepse dëshiron të jetë pjesë e botës së televizionit. Por në këtë periudhë Morena po përqendrohet shumë edhe tek pushimet… Ku dhe me kë do t’i kalojë ditët e nxehta kosovarja sexy? Zbulojeni në këtë intervistë.
Morena, me çfarë po merresh këto kohë?
Në këtë periudhë po shijoj kënaqësitë që të dhuron stina e verës.
Të kemi parë të angazhuar si imazh të ‘Ipko’… Çdo të thotë kjo për ty?
Është një punë e përditshmërisë sime.
Cila është lidhja tuaj me sportin, duke qenë se në reklamë prezanton një ekskluzivitet që lidhet me sportin?
Dikur jam marrë me karate. Tani lidhja ime me sportin është tjetër gjë.
Ndërkohë që nga koha që ti je shpallur ‘miss’, Kosovës i mungon një e tillë… Ndjehesh e privilegjuar për këtë?
Ndjehem e privilegjuar sepse ky është edhe një çmim, i cili e madhëron bukurinë e femrës shqiptare.
Ç’mendon për spektaklet e bukurisë?
Mendoj që në këto spektakle dalin në pah bukuritë femërore.
Mendon se bukuria është gjithçka në jetë?
Bukurinë ta fal Zoti, kështu që mendoj se është e rëndësishme.
Sa të ka ndihmuar bukuria në rrugën drejt suksesit?
S’më ka dhënë asgjë më shumë përpos vetëbesimit. Janë të tjera gjëra që bëjnë të mundur suksesin, komunikimi, sjellja, edukata, të qenit njeri, disiplina profesionale dhe sinqeriteti.
Të pëlqen televizioni? Dëshiron të angazhohesh me kohë të plotë në të?
Televizioni më pëlqen sepse po mbaroj Fakultetin e Gazetarisë, dhe patjetër që një ditë do jem e angazhuar në të.
A i ke vuajtur paragjykimet e të qenit ‘miss’, sepse shumë thonë që ‘miss’-et nuk janë të zgjuara?
Nuk vuaj aspak nga paragjykimet, sepse nuk kam kohë as t’i dëgjoj. Kam angazhime dhe jam shume mirë e inkuadruar në jetën që kam. Mençuria nuk matet nga fjalët e njerëzve, ato janë paragjykime të kota.
Sa të ka përkrahur familja në rrugën që ke zgjedhur?
Jam rritur me këtë përvojë në familje, ndaj përkrahja nuk më mungon as sot e s’më ka munguar as në fillim… Është përditshmëri familjare.
Nga sa pjesëtarë përbëhet familja juaj?
Nga babai, vëllai dhe unë. Është një treshe shumë e dashur për mua.
Sa të ka dobësuar humbja e njerëzve të dashur në jetë?
Nuk më ka dobësuar, përkundrazi më ka forcuar. Çdo humbje është bërë shtyllë për mua.
Sa e ndjen mungesën e nënës?
Çdo ditë e më shumë se në ditën kur e humba.
Çfarë të pëlqen më shumë tek një mashkull?
Asgjë më shumë se sinqeriteti. Tek çdo njeri më pëlqen kjo.
Kur ke puthur për herë të parë?
Puthjen e parë ja kam dhuruar mamit dhe e ruaj me xhelozi (qesh).
Çfarë ke menduar për verën, ku do t’i kalosh pushimet dhe me kë?
Kam bërë dy herë pushime deri tani. Këto ditë udhëtoj për pushime të tjera me babin. Herën e fundit isha në New York.