Gjykata dha masën e sigurisë “Arrest me burg për 30 ditë” për Nazime Vishën në lidhje me akuzën për vrasjen e 45 vjeçarit Fiqir Muça 3 ditë më parë. Kjo masë u dha pasi duhet vërtetuar nëse autorja 18 vjeçare ka qenë apo jo në kushtet e vetëmbrojtjes, siç deklaroi vetë Nazimja. Seanca gjyqësore nisi rreth orës 10:30 të ditës së sotme, e udhëhequr nga gjykatësi Neritan Cena.
PROKURORI: MUCA E PERDHUNOI, ME PAS NAZIMJA SHKOI ME DESHIRE
Prokurori Blerim Tominaj vërtetoi rrëmbimin e Nazimes nga 45 vjeçari Muça më 23 maj, dhe kjo ka ndodhur sipas tij, pasi Fiqiriu nuk e ka pranuar dot fejesën e 18 vjeçares me një djalë nga Vaqarri. Pavarësisht kësaj, prokurori e cilësoi të rrezikshme këtë vepër penale dhe ndaj sipas tij, duhet dhënë masa arrest me burg.
Sipas prokurorit Tominaj, 45 vjeçari fillimisht ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me Nazimen, ndërsa më tej vajza ka vazhduar me dëshirën e saj.
Nga ana tjetër, avokatia e 18 vjeçares kërkoi gjykimin në gjendje të lirë, pasi sipas saj vajza do të bashkëpunojë me Prokurorinë, ndërsa shtoi se prokurori duhet të zbardhë historinë 4 vjeçare.
18 VJECARJA: E KAM VRARE PA DASHJE NE KUSHTE TE VETEMBROJTJES
Ndërkaq, vetë e akuzuara deklaroi se e ka kryer krimin për vetëmbrojtje, nën presion nga frika se 45 vjeçari mund ta trafikonte në Kosovë.
XHAXHAI I NAZIMES: S’KA PASUR MARREDHENIE ME DESHIRE
Menjëherë pas përfundimit të seancës gjyqësore, gazetari i A1 Report siguroi një intervistë me xhaxhin e Nazime Vishës, i cili deklaroi se është i kënaqur me vendimin e dhënë sot nga gjykata, dhe se shpreson që drejtësia do të vendoset.
Ai kërkoi që të zbardhen mesazhet të nxjerra këto ditë në disa media mes Nazimes dhe Fiqiriut, pasi sipas tij nuk janë të vërteta. “S’ka pasur asnjë marrëdhënie nga ana e Nazimes me dëshirë”, u shpreh xhaxhai i të akuzuarës për mikrofonin e A1 Report.
18 vjeçarja dyshohet se vrau 3 ditë më parë, përdhunuesin e saj, i cili mendohet se abuzonte me të prej 4 vitesh, ndërsa edhe e kishte rrëmbyer të akuzuarën duke e mbajtur në pyll.
Ndërkaq, mes dy familjeve Muça dhe Visha janë hedhur akuza, ku njëra palë thotë se vajza ka shkuar me dëshirë me Fiqiriun, baba të 5 fëmijëve, ndërsa familja Visha pretendon se është një kurth i tyre për t’i implikuar vajzën në një gënjeshtër të madhe.