Gjykata e Tiranës lë në arrest shtëpie 26-vjeçaren Marselinda Kërtoci, pronaren e agjencisë “Pasha Holiday” e cila shpalli falimentimin në kohën kur kishte nisur për pushime rreth 190 turistë shqiptarë në Sharm el Sheik të Egjiptit.
Gjatë seancës së vlerësimit të masës së sigurisë, Marselinda u shpreh se nuk pranon akuzën e mashtrimit teksa sqaron se faji nuk është sipas saj i kompanisë “Pasha Holiday” por i operatorit në Egjipt.
Prokurori i çështjes, Armando Gurakuqi, kërkoi masën e sigurisë arrest me burg për 30 ditë ndaj Kërtocit, ndërsa gjykata vendosi një masë më të lehtë, arrest shtëpie.
Shqiptarja.com raportoi skandalin e braktisjes në Egjipt të 190 turistëve shqiptarë të cilët edhe pse kishin paguar të gjithë paketën në shoqërinë turistike “Pasha Holiday”, mbetën në aeroport pasi pagesat për kthimin në Tiranë duhet t’i kryenin vetë, ndërsa “Pasha Holiday” shpalli falimentimin.