Reformimin e administratës qeveria e re do ta bëjë në bazë të një raporti rekomandimesh, i cili do të formulohet nga përgjigjet e vetë punonjësve, në lidhje me mënyrën sesi funksionon ajo tani, si zhvillohen projektet, sa efektivë janë marrëdhëniet e tyre me drejtuesit politik dhe sesi mund të përmirësohet situata.
Në vazhdën e reformës në administratë, Edi Rama thotë se kjo është mënyrë për të ngritur performancën e administratës.
“Nëse duam të ngremë nivelin e performancës të administratës patjetër që në radhë të parë duhet të ngremë nivelin e performancës së nivelit politik në raport me administratën. Dhe për ta bërë këtë duhet të kuptojmë sa më shumë nga vetë subjektet që e përbëjnë administratën”, tha Kryeministri.
Por si do të evidentohet problemet e çdo institucioni? Kryeministri mblodhi 50 punonjësit më të kualifikuar të administratës, të cilëve u kërkoi të bëjnë një raport ku të shkruajnë, problemet, ecurinë, mënyrën sesi bashkëpunojnë me drejtuesit, si zhvillohen projektet dhe sugjerime për përmirësimin e situatës.
50 raportet që do të dorëzohen më pas do të shërbejnë për drejtuesit e rinj që do të emërohen me qeverinë e re.
“Mbi bazën e këtyre, ne do të bëjmë një lexim të të gjithë raporteve do nxjerrim gjithë pikat e përbashkëta dhe ato pastaj do t’i fusim në një pyetësor që do ta shpërndajmë në të gjithë shërbimin civil. Dhe për të nxjerrë një konkluzion që do të jetë një raport rekomandimesh për lidershipin e ri. Duhet bërë një aleancë e brendshme midis drejtuesit politik dhe administratës, që të mos jenë thjesht njerëz që shkojnë atje dhe për 5 minuta shkojnë në kafe sepse s’kanë asgjë të re për të bërë”, u shpreh Rama.
Pas kësaj faze, do t’i takojë çdo punonjësi të administratës t’i përgjigjet një pyetësori diku rreth mesit të gushtit, për të evidentuar problemet që ka në nivelin e politikbërjes dhe zbatimit të tyre në çdo institucion shtetëror.