Milani ka marrë 3 pikë në Torino, duke mposhtur 1-0 Juventusin, në një sfidë decizive për titullin kampion. Kuqezinjtë kanë kaluar një nga pengesat më të vështira në kampionat dhe e kanë bërë këtë duke dominuar takimin përballë rivalëve të vjetër. Në “Olimpiko” nuk ka qenë as Ibrahimoviç dhe as Kasano njeriu deciziv, por Ivan Xhenaro Gatuzo, autor i një goli me shumë peshë në fatet e sezonit kuqezi. Ndërkohë, Juventusi ka marrë humbjen e tretë radhazi në kampionat, një ecuri që rrallëherë është parë për këtë skuadër dhe që rikthen hijet e sezonit shkatërrues 2009-2010. Disfata e sotme brenda në Torino duket se do t’i japë fund aventurës së Xhixhi Del Nerit në stolin kuqezi, pasi drejtuesit e klubit e kishin vënë në provë ish-teknikun e Sampdorias. Nuk janë vetëm rezultatet ato që i bëjnë të tremben tifozët dhe krerët e Juves, por kjo skuadër në fushë është thuajse inekzistente dhe nuk krijon asgjë. Madje, edhe yjet e saj kërkojnë në çdo moment një faull që të kenë mundësi t’i afrohen zonës, duke qenë se asgjë nuk funksionon. Blerjet e verës së shkuar, por edhe ato të janarit, janë konfirmuar si një dështim i plotë, duke bërë që edhe ky sezon të jetë një makth për ekipin më të madh të Italisë.
Ndeshja
Takimi nisi me një ritëm të kënaqshëm nga të dyja skuadrat, që kërkonin patjetër fitoren. Rastin e parë të mirë e ka Ibrahimoviç, që pas një krosi të Flamini, gjendet i vetëm me Bufon dhe e dërgon topin lart. Në minutën e 15-të është Kasano i rrezikshëm pas një stopimi me gjoks, por Barzalji ndërhyn në çastet e fundit duke i hequr topin. Barezi ka sërish një rast të mirë në minutën e 22-të, pas një topi të marrë nga Boateng, por godet në mënyrë të gabuar, duke humbur një mundësi të artë. Minuta e 28-të sjell goditjen e Felipe Melos ndaj Boateng, që më pas do t’i kushtojë ganezit zëvendësimin në pushimin midis pjesëve. Pjesa e parë është mbyllur pa gola, por me një Milan superior karshi bardhezinjve. Në fraksionin e dytë, ritmi ka vazhduar të jetë i lartë, por sërish Milani ka patur fjalën e parë, ndërkohë që Juventusi e ka patur të vështirë të ndërtojë diçka në sulm. Pas 23 minutash me aksione sporadike nga të dy krahët, Milani gjen golin. Ibrahimoviç ul bukur për Robinjon, topi i shkon Gatuzos dhe mesfushori mposht Bufon me një të majtë precize nga kufijtë e zonës. Goli i parë pas tre vjetësh për shkatërruesin e Milanit, që feston si i çmendur. Edhe pas golit, Juve ka qenë e pafuqishme për të reaguar. Momenti i vetëm i rrezikshëm është krijuar pas një rikuperimit të topit nga Kielini, por krosi i tij është i gabuar. Në fund, një rivënie e tij e gjatë krijoi një rrëmujë në zonë, por vetëm kaq, pasi Milani arriti të ruante fitoren.