Home Sport Milan me shume raste por golat i shenon Juventus

Milan me shume raste por golat i shenon Juventus

570
0

llorenteJuventusi fiton “Oskarin” e mbrëmjes së “San Siros”. Ai i aktorit më të mirë protagonist i shkon Fernando Jorentes, që përveçse ka pamjen e tillë, ka edhe dhuntinë që të gjendet gjithnjë në vendin e duhur në momentin duhur, dhe Karlos Tevez që shkërmoq kështu një Milan të bukur vetëm për 45’. Dhe në përfundim të takimit, të 34 pikët e diferencës në renditje mes dy ekipeve shfaqen dukshëm edhe në fushën e “San Siros”. Ekipi i Antonio Kontes rrit largësinë me Romën dhe i afrohet edhe më shumë fundit të garës.

Me vrull
Bardhezinjtë shfaqen menjëherë të rrezikshëm, bëjnë presing dhe topin e qarkullojnë duke bërë pasime të ulëta. Në të 3’, Lishsteiner gjuan fort me të djathtën, por topi preket nga Abiati e më pas godet shtyllën. Kuqezinjtë përgjigjen pas vetëm 2’ me anë të Tarabatit që gjuan nga jashtë zone, por që ta presë goditjen e tij, për kapitenin Xhixhi Bufon është një lojë fëmijësh. Në të 9’ Pacini pason me kokë për Kakanë, por braziliani nga limiti i zonës së rreptësisë e çon topin lart. Në të 12’ Tarabat shfaqet nga e djathta, çon topin në zonë, ku në fund Pacini me kokë e gjuan topin lart. Janë tri sinjale të forta që tregojnë se uria për fitore nuk është vetëm një zakon i “Zonjës së Vjetër”. Por edhe miqtë nuk qëndrojnë duarkryq. Në të 16’, Jorente shërben për Tevezin, e majta e “Apashit” është e bukur, por shumë qendrore për të befasuar Abiatin. Në të 18’, Juvja i afrohet avantazhit me anë të Lishsteinerit, pas një serie gabimesh të mbrojtjes kuqezi, por portieri i Milanit bën një mrekulli duke pritur me këmbë. Nuk ka kohë për të marrë frymë. Kundërsulm i “Djallit”, Tarabt shtyn topin te Pacini, i cili nga afër tenton ta fusë në rrjetë, por Bufon i thotë “jo”. Ai që nga kjo ndeshje dëshironte spektaklin, kënaqet. Nga njëra anë është një Milan i keq dhe agresiv, nga ana tjetër një Juve që bën të vlejë forca fizike në mbrojtje.

Gabimet që kushtojnë
Kuqezinjtë vënë në siklet Juven me aksione të shpejta. Në të 26’, “Djalli” humb një mundësi të mirë për të kaluar në avantazh. Kaka del vetëm për vetëm me Bufonin, por në rastin e parë hipnotizohet nga kapiteni bardhezi që pret topin dhe në gjuajtjen e dytë, kur e kishte më të lehtë golin, gjen në vijën fatale Bonuçin që largon. Në të 32’ është Poli që shpërdoron një mundësi nga kufiri i zonës së rreptësisë. Bufon vihet në punë nga Montolivo, i cili në të 40’ neutralizon një të majtë shqetësuese të Pacinit. Por festivali i golave të munguar nuk ka fund. Në të 43’, Bufon grushton një gjuajtje në kthesë të Kakasë, Poli arrin të kontrollojë topin, por gjuan lart. Por “Zonja e Vjetër” nuk të fal në gabimin më të vogël që rivali bën. Rami nuk arrin të prekë vertikalizimin e Pirlos, as edhe Abiati. Topi shkon te Lihshtsteiner, i cili nga fundi e çon topin përpara portës kuqezi dhe aty Jorente, deri në ato momente i pakapshëm, të shënojë gol e ka fare të thjeshtë. Ky është ligji i ashpër i futbollit. Milani një ekip i bukur, por shpërdorues, ndëshkohet nga Juvja e saktë, cinike dhe e pamëshirshme.
Punë Apashi – Edhe imazhi i pjesës së dytë nuk ndryshon. I pari që kërcënon është Tevezi, që rrezikon pas vetëm 4’ lojë. Përgjigjja e “Djallit” është e menjëhershme. Tarabt çon topin në mes për Pacinin, por ky i fundit nuk arrin që ta godasë. Poli tenton menjëherë më pas, goditje me kokë që del jashtë dhe përplasje me Kaseresin. Lojtari bardhezi ia hedh me një fashim të bollshëm në plagë, kurse lojtari kuqezi duhet që t’ia lërë vendin Saponaras. Por ky ndryshim përkon me faktin që kuqezinjtë i lë benzina. Juvja ribëhet kompakte dhe shfaq të gjitha anët më të mira. Një nga ato është magjia e Tevezit që në të 68’ trondit “San Siron”. “Apashi gjuan nga distanca dhe topi kap traversën e pastaj futet në rrjetë. Sedorfi, që e humb toruan nga goli befasues i argjentinasit, provon që të shkundë ekipin e tij. Nxjerr nga loja Montolivon dhe në vend të tij fut Hondën, ikën gjithashtu Tarabt dhe futet Robinjo. Por nuk ka më hapësira për fantazinë dhe për iluzionet kuqezi. Mjafton e tepron shtylla e Pogbasë 3’ nga fundi. “Djalli”, i lodhur dhe pa ide, dorëzohet. Edhe Robinjo në të 93’ çon topin në traversë. Kurse Juvja fluturon.
Sedorf“Dy raste, dy gola, kjo e bën Juven e madhe”

Klarens Sedorf nuk është i zhgënjyer nga paraqitja, por nga rezultati pa dyshim. Gjithsesi, trajneri holandez i Milanit e di se skuadra e tij po ecën në rrugën e duhur, por nga ana tjetër vlerëson edhe forcën dhe cinizmin e kundërshtarit. “Asnjëri nuk do që të humbë, por në futboll nëse nuk e dërgon topin në rrjetë është e vështirë të festosh. Më vjen keq që nuk gjetëm të paktën një gol në pjesën e parë, pasi ndeshja mund të kishte shkuar ndryshe, por gjithsesi duhet të vazhdojmë në këtë prizëm dhe të përmirësohemi përpara portës. Vumë kurajën në fushë, por sërish nuk mjaftoi dhe na vjen keq. Pas një paraqitjeje si kjo e kam të pamundur që të mos i bëj komplimentet e mia Juventusit. Patën dy raste dhe shënuan dy gola. Kjo i bën ata një ekip të madh, një ekip cinik, vrasës në momentet që ndërtojnë për gol dhe e meritojnë të jenë kampionë. Tevez, gol ‘alla Sedorf’? Mund të them po. Shënoi një gol fantastik dhe e bukura e futbollit është edhe kur vlerëson kundërshtarin, kur një gol i tiji, në këtë rast i Tevezit, krahasohet edhe me të mitë”, – shprehet i qeshur Sedorfi.
Konte“Komplimente Milanit, por Tevez dhe Jorente ishin super”

Antonio Konte është plotësisht i kënaqur për suksesin ndaj Milanit në takimin e luajtur në “San Siro”. “Ne kundër kishim një ekip të madh, që bëri një ndeshje shumë të mirë, duke na imponuar ritme të larta. Në pjesën e parë mund të ndodhte gjithçka. Ndërkohë që në të dytën për ne u bë një sfidë më e qetë. Dua që të komplimentoj Sedorfin. Kisha frikë se mund të humbisnim ndonjë pikë, por faktikisht ne fituam. Në pjesën e parë nuk funksionin siç duhet punët në mbrojtje. Ata pas Pirlos gjenin shpesh Pacinin. Mirëpo më pas ne bëmë disa modifikime dhe punët shkuan më mirë”.
Tevez dhe Jorente – Tekniku i “Zonjës së Vjetër” vlerëson paraqitjen e bërë nga “Apashi”. “Sa më shumë bëhet sfida e vështirë, aq më tepër ka dëshirë të luajë. Kur shikon situata problematike, ai nxitet akoma më shumë. Edhe Jorente gjithashtu bëri një ndeshje të jashtëzakonshme. Jam shumë i lumtur, sepse në shtatë ditë, çiftet e sulmuesve të hedhur në fushë kanë bërë paraqitje mjaft të mira. Unë kam nevojë për gjithë ekipin dhe po marr përgjigje të rëndësishme”.

Pogba – “Ka luajtur shumë, ashtu si edhe Bonuçi. Ai ka marrë pjesë edhe në Botërorin U 20. Është e pashmangshme që në moshën 20-vjeçare të mos kesh një rënie të lehtë psiko-fizike, sepse nuk është e lehtë që të mbash ritmin e Juventusit. Ai punën e tij po e bën mirë, por mund të jetë akoma më mirë. Nga ana ime do të ketë përkëdhelje, por edhe tërheqje veshi”.

NOTAT
MILANI

ABIATI 6.5 – Në rastet e golave nuk ka asnjë faj, ndërsa në pjesën e parë bën mrekullinë përballë Lihshtajnerit, duke i mohuar golin.
ABATE 5.5 – Në golin e Jorentes mban përgjegjësi, pasi spanjolli i humb markimit të tij. Në pjesën e dytë dorëzohet totalisht, ashtu sikurse i gjithë Milani.
RAMI 5.5 – Ofron siguri në duelet një kundër një dhe në lojën në ajër, por në rastin e golit të dytë të Tevezit faji ishte i tiji. Francezi kishte urdhrin që të shndërrohej në hijen e sulmuesit të Juventusit, por ndërkohë e la të lirë atë që të godiste me preçizion.

BONERA 6 – Më i miri nga kuqezinjtë, aq sa në 44 minutat e para të lojës mbulon edhe disa gabime të Ramisë, por vetëm deri në golin e Jorentes.
EMANUELSON 5.5 – Në momentin e golit të parë as që e sheh Lihshtajnerin që i kalon prapa krahëve dhe i lejon këtij të fundit që të ofrojë pasimin vendimtar. Por, akoma më keq, dje nuk ofroi thuajse asnjë krosim të saktë në zonë dhe publiku e “falënderoi” me vërshëllima.

DE JONG 6.5 – Perfekt për punën e pisët që i ishte kërkuar nga Sedorfi. Anulon një gjigand si Pogbaja dhe ndalon shumë nga tentativat sulmuese bardhezi, duke u lejuar të tijve që të kalonin në kundërsulme të frikshme, sidomos në pjesën e parë. Përkrah Montolivos dhe përpara mbrojtjes duken dyshja e duhur.

MONTOLIVO 6.5 – Luftarak edhe më shumë sesa çfarë mund të pritet prej tij. Në pjesën e parë shkëlqen, ashtu si i gjithë Milani, por në të dytën shuhet, duke qenë se shpenzoi mjaft energji.
TARABT 6 – 30 minutat e para të lojës për të ishin mahnitëse; deh me driblime këdo që i del përpara, shërben shokët, por nuk arrin të shënojë. 16 minuta nga fundi zëvendësohet nga Robinjo (nota 5.5), me brazilianin që godet traversën në sekondat finale.

POLI 6 – Elektrizues në zonën kundërshtare, një mesfushor i kamufluar si sulmues që po e bën gjithmonë e më shumë është protagonist te Milani. Por, edhe ai ashtu si të gjithë shokët e tij, është i pafat në gjetjen e golit, ndonëse natën e djeshme e gdhiu në spital, pas goditjes së fortë në kokë, që mori nga Kaseresi. Saponara e zëvendëson në minutën e 53- të (nota 5), por numri 8 as që duket në fushën e lojës.

KAKÀ 6 – Ashtu si Tarabti, edhe Kaka shuhet shpejt, por në 40 minutat e para kishte rastet më të arta për të shënuar. Nëse do të kishte realizuar të paktën një gol, nota e tij do kalonte 8, por për këtë duhet të “mallkojë” Bufonin dhe Bonuçin.

PACINI 6.5 – Me maskën e tij tenton të vërë në presion Juven. Lëviz shumë, nuk jep pika referimi siç bën Baloteli, por në fund, edhe pse jo pa shumë probleme, Barzalji dhe Bonuçi arrin ta limitojnë.

Trajneri SEDORF 6.5 – Me 16 goditje në kuadrat në 40 minutat e para, Milani i tij po tregon se në sulm ofron intensitet dhe shpejtësi. Por, për të mos pësuar gol në tentativën e parë të Juventusit, i nevojitet pak më shumë balancim mes reparteve, ndonëse me të në stol, ky Milan shpërdoron shumë, por dëfren.
JUVENTUSI

BUFON 6.5 – Tri pritje vendimtare në pjesën e parë, ndonëse jo të pamundur për një gjigand si ai. Kundër Milanit, Bufon u rikthye “Supermeni” i së kaluarës.
BARZALJI 6 – Kudo që kthente kokën në 43 minutat e para shihte vetëm fanella kuqezi, që dukeshin sikur e snobonin prezencën e tij në fushë. Por me eksperiencë arrin që të bëhet pjesë e lojës, duke garantuar siguri totale në pjesën e dytë.
BONUÇI 6.5 – Kur tenton të sulmojë kundërshtarin gjendet gjithmonë në vështirësi, sepse thuajse kushdo e driblon. Por, largimi i topit në vijën fatale, pas gjuajtjes së Kakasë, vlen sa një gol për të.
KASERES 6
– Konte e “tund” sa majtas-djathtas në mbrojtje, një xhol i situatës. Por uruguaiani, edhe pse mes drithërimave, di t’i shpëtojë ndeshjet e tij, duke konfirmuar gjithashtu se është një shkëmb. Bëri për spital Polin pas përplasjes kokë më kokë, por ai qëndroi në fushë deri në fund.
LIHSHTAJNER 7 – Abiati i mohon një gol të sigurt, por ai vazhdon të shtyjë drejt sulmit, mes finteve dhe shpejtësisë, deri në pasimin deciziv të golit për Jorenten, i gjashti sivjet për shokët e skuadrës, si asnjë mbrojtës tjetër në Serinë A.

POGBA 4.5 – Barut i lagur. Por, edhe pse De Jong e ndjek kudo, kurrë nuk ishte parë një Pogba që të gabonte pasime elementare. Gjysma e notës vlen vetëm për shtyllën që goditi në fundin e takimit.

PIRLO 5 – Faulli ndaj Saponarës ishte në limitet e së kuqes, në pjesën e parë humbet 2-3 topa që mund të ishin shndërruar në gola për Milanin. Pankina për të njëherë në dy takime është një nevojshmëri tani.

MARKIZIO 6 – Më i miri mes kolegëve të mesfushës, por jo diçka për t’u vlerësuar me tone elektrizuese.
AZAMOAH 6 – Duelin me Abaten e fiton në pjesën e dytë, kur milanisti demoralizohet dhe ndien lodhjen, por ka luajtur me gjysmë këmbë, ndaj duhet vlerësuar.
TEVEZ 8 – Futbollist total. I dhuron dritë ekipit edhe në natën më të zezë të Juventusit. Liron Lihshtajnerin në zonë për golin e Jorentes, lëshon një silurë që fut në kasafortë tri pikët dhe e gdhin si kryegolashënues. Çfarë mund t’i kërkosh më shumë…
JORENTE 7 – Vjen goli i 11-të në kampionat. Nuk është shumë brilant, fshihet, grindet, rrëzohet në zonë, por ç’është më e rëndësishmja, ku i kërkohet ta shtyjë topin në rrjetë, nuk gabon kurrë dhe kjo është madhështia e spanjollit.
Trajneri KONTE 6.5 – Edhe pse dje kaloi me pak fat në “San Siro”, ai konfirmon çdo ditë që kalon se ka ndërtuar një makinë thuajse perfekte, që me pak shpenzime dhe përmirësime mund të jetë e nivelit botëror. E kërkoi me çdo kusht Tevezin dhe Jorenten dhe dy sulmuesit e tij po e dërgojnë të sigurt drejt titullit të tretë radhazi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here