Gjykata e Tiranës vendosi sot liri me kusht për Ylli Pinarin, ish-drejtorin e MEIKO-s i dënuar me 10 vite burg për shpërthimin në Gërdec.
Mësohet se, gjykatësi shqyrtoi sot kërkesën e zotit Pinari për lirimin me kusht, i cili pretendon se duhet të kujdeset për të ëmën e moshuar. Një tjetër pretendim është ngritur edhe për problemet e tij shëndetësore.
Pritet zbardhja e vendimit dhe ekzekutimi i tij si dhe formalitetet e fundit që Pinari të lërë burgun e ‘Ali Demit’.
Ylli Pinari, në shkurt të këtij viti u dënua në formën e prerë nga Gjykata e Apelit me 10 vjet burg, por falë përfitimit të uljes së 1/3 se dënimit dhe ditëve të qëndrimit në paraburgim, ish-drejtorit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 2 vjet e 6 muaj burg.
Në tragjedinë e Gërdecit humbën jetën 26 persona dhe u plagosen dhjetëra të tjerë. Prapa hekurave nga të akuzuarit mbetet vetëm Dritan Minxholli.