Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, të cilit i kanë mbetur edhe pak ditë qëndrimi në Tiranë, i dërgon një mesazh të fortë klasës politike shqiptare kur thotë: “Mos harroni se kush ka qenë krah jush 100 vitet e fundit”. Në një intervistë të gjatë për Skënder Minxhozin në të përjavshmen “Java”, Arvizu flet hapur për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, armët kimike të Sirisë, duke mos harruar të bëjë një profeci interesante. “Shqipëria po ndryshon, ajo do të hyjë në Europë e do të ketë tensione sporadike edhe me SHBA-të. Duhet të mësohemi me këtë realitet të ri”, – thekson ai. Ja si i përshkruan Arvizu javët e fundit të qëndrimit në Shqipëri, ku iu desh të drejtonte negociatat me qeverinë shqiptare për çështjen e lëndëve kimike të Sirisë.
“Në javët e fundit të qëndrimit, kisha shpresuar një lamtumirë të qetë dhe një largim të hijshëm. Por ja që doli kjo çështja. Ishte përparësia numër një për qeverinë e SHBA-ve. Ndoshta është thjesht fat, siç thashë, ndonjëherë është si lojë me letra, të bien në dorë disa letra të caktuara dhe duhet të luash me to sa më mirë të mundesh”, – thotë Arvizu.
Ambasadori komenton edhe zhvillimet e seancës parlamentare dy javë më parë, ku deputetët e opozitës kërkonin sqarime për çështjen e lëndëve kimike të Sirisë, madje veçon edhe një episod të asaj dite. “Ishte një deputet i caktuar i PD-së që ulet pranë zotit Berisha në radhën e tretë, faqja e ‘Facebook’-ut e të cilit kishte një kopje të retushuar, më duket të ‘The Daily Mirror’. Faqja e gazetës kishte një foto të disa fëmijëve të vrarë me gaz nga Asadi, një foto faktike të masakrës. Faqja e retushuar kishte të njëjtën foto, por fjalët thoshin, ‘radhën e kanë fëmijët shqiptarë’ apo diçka e tillë. Një gjë e tillë është jashtëzakonisht provokuese. Është diçka e paskrupullt. Është e pavend. Thjesht e gabuar, dhe kjo Ambasadë dhe Uashingtoni u skandalizuam”, u shpreh Arvizu.