Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar bllokimin e dy pikave kufitare me Serbinë në Merdare dhe Dhe të Bardhë, më datën 14 janar.
Gjatë një deklarate për mediat, VV ka njoftuar se më 18 dhjetor 2011 Këshilli i Përgjithshëm i lëvizjes ka vendosur që t’i japë afat Qeverisë së Kosovës që të fillojë së zbatuari vendimin e Kuvendit tërësisht duke filluar nga 1 janari i këtij viti.
“Ky afat tashmë ka kaluar. Sot jemi më 5 janar, thotë kumtesa, dhe Qeveria e Kosovës vazhdon të zbatojë në terren marrëveshje që e zhbëjnë republikën dhe e nënshtrojnë Kosovën ndaj Serbisë”- thanë përfaqësues të saj.
Sipas VV ky bllokim është në mbrojtje të vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. “Pra është në mbrojtje të Kuvendit. Moszbatimi i vendimit të Kuvendit nga Qeveria e shkatërron për së brendshmi Republikën, për shkak se e sipërvendos Qeverinë mbi Kuvendin, ekzekutivin mbi legjislativin. E sipërvendos përfaqësimin partiak e interesin partikular të reflektuar në këtë Qeveri mbi vullnetin popullor. E në Republikë, pushteti nuk sundon mbi popullin, por populli sundon e qeveria qeveris dhe ekzekuton. Republika është interesi i përgjithshëm”- thuhet në deklaratë.