Edhe gjatë ditës së sotme, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit ka vijuar kontrollin e linjave të transportit urban, për ofrimin e shërbimit në përputhje me kushtet e vendosura nga Bashkia e Tiranës.
Në një prononcim për mediat, Rudina Hoxha, drejtoresha e Përgjithshme e AMK-së bëri të ditur se janë ngritur grupe kontrolli të cilat po punojnë me dy turne në terren, për të kontrolluar 12 linjat e transportit urban. Si rezultat i kësaj, ka pasur një përmirësim sidomos në respektimin e frekuencave në stacionet e autobusëve.
Hoxha është shprehur: “Kontrolli është fokusuar në 10 kushtet e vendosura nga Bashkia e Tiranës. Janë kushte të cilat të gjitha shoqëritë e transportit që operojnë në territorin e Tiranës i kanë të mirëpërcaktuara në kontratat e tyre. Nga dita e djeshme deri në mesditën e sotme, inspektorët e AMK-së kanë vendosur 46 gjoba”.
Gjithashtu, ajo garantoi se për çdo shkelje të kushteve të vendosura janë marrë masat dhe gjobat përkatëse. “Në momentin e vendosjes së gjobës, inspektorët ua kanë komunikuar këto gjoba përfaqësuesve ligjorë të kompanive të transportit, me qëllim që t’u bëhet e ditur shkelja e vendosja e gjobës dhe njëkohësisht t’u lihen dhe afatet e caktuara, për të korrigjuar këto shkelje mbi bazën e sanksioneve të vendosura”, tha Hoxha.
Sanksionet e vendosura nga AMK-ja janë të përcaktuara me nivelet përkatëse të tyre sipas vendimit të Këshillit Bashkiak të vitit 2012. “Pas gjithë kontrolleve që po bëhen, janë lënë afatet e caktuara dhe në rast se nuk janë respektuar afatet dhe korrigjimi i këtyre shkeljeve, fillon përshkallëzimi i gjobave me të gjitha nivelet e tyre. Bashkia e Tiranës është e vendosur në këtë monitorim”, deklaroi drejtoresha e AMK-së.
Ajo tha se ky monitorim do të vijojë me këto ritme dhe rezultatet do të jenë transparente për opinionin publik. Hoxha ka thënë se gjatë ditës së djeshme dhe të sotme janë vendosur 46 gjoba dhe janë lënë detyra për të gjitha shoqëritë e transportit, për korrigjimin e gjithë shkeljeve që janë hasur pas vendosjes së këtyre gjobave.
Më pas, ajo është shprehur se gjobat u vihen shoqërive, pasi kontrata është e lidhur me shoqërinë dhe ajo është e detyruar më pas të marrë masa për të korrigjuar e riparë marrëdhënien e tyre me fatorinon dhe personelin.
AMK-ja bën të ditur se është në proces monitorimi edhe për sa i përket tregtimit të aboneve nga operatorët, pasi ka pasur ankesa nga qytetarët lidhur me abonetë e studentëve.