Edhe Ibrahimoviç u pezullua titulli kampion në Itali është në duart e Milanit. Kuqezinjtë kanë gjashtë ndeshje për të ruajtur një avantazh të rëndësishëm përballë Napolit dhe Interit, të cilat do të përballen me njëra-tjetrën javën e parafundit të kampionatit. Për më tepër, duket se kalendari për Milanin, në krahasim me Napolin dhe Interin, është më i lehtë. “Sportmediaset” ka bërë një speciale me rrugën që duhet të ndjekin tre pretendentet deri në fundi e kampionatit
Milan, 68 pikë
Për të qenë të sigurtë në fitimin e titullit, kuqezinjtë duhet të arrijnë në kuotën e 83 pikëve. Gjë që do të thotë se kuqezinjtë duhet të fitojnë pesë në gjashtë ndeshjet e mbetura. Megjithatë, për titullin mund të mjaftojnë edhe 81 pikë. Për këtë, djemve të Alegrit do t’u duheshin katër fitore dhe një barazim për t’u shpallur kampion. Tre nga katër fitore mund të vijnë që në tre ndeshjet e ardhshme, kur Milani do të luajë me Sampdorian dhe Bolonjën në shtëpi dhe me Breshian jashtë. Nga këto tre ndeshje, ajo më e lehta mund të jetë me Bolonjën, e cila tashmë ka shpëtuar dhe duket se ka nisur që të mendojë për pushimet. Sfidat me Sampdorian dhe Breshian do të jenë disi më delikate, duke parë që ato janë në luftë të plotë për t’i shpëtuar rënies një kategori më poshtë. Sampdoria vjen pas një serie rezultatesh negative dhe për këtë kërkon pikë, ndërsa Breshia është në një formë shumë të mirë fizike dhe sidomos në ndeshjet e shtëpisë është e frikshme. Milani, nga ana tjetër është në një gjëndje shumë të mirë dhe kjo shihet. Në Firence, ashtu siç ndodhi edhe në derbi, kuqezinjtë kanë vrapuar shumë, çka tregon për gjendjen e tyre të mirë fizike. Jo vetëm kaq, por gjendja fizike, duke nisur nga Sedorf dhe Pato, ka ardhur në rritje. Tre ndeshje para sfidës delikate me Romën, Milani ka të gjitha mundësitë që të hedhë një hap të rëndësishëm drejt titullit. Kjo, duke qenë se Roma është kundërshtari më i rrezikshëm në rrugën drejt titullit. Për më tepër që romanistët janë do të luftojnë deri në fund që sezonin e ardhshëm të marrin pjesë në Ligën e Kampioneve. Për këtë arsye, nuk do t’u “dhurojë” asgjë milanistëve. Nëse do të kalonte me sukses edhe transfertën e Romës, atëherë titulli për Milanin do të ishte thjesht një formalitet, pasi një javë më pas do të priste në shtëpi Kaljarin. Vështira pra, që transferua e fundit në shtëpinë e Udinezes, të kishte ndikim në luftën për titull.
Napoli, 65 pikë
Formacioni i Maxarit, që ka në anën e vet një entuziazëm të pabesueshëm të popullit të Napolit dhe faktorin psikologjik e të mos humburit asgjë, është ndoshta ekipi që ka kalendarin më të vështirë nga tre ekipet pretendente për titullin kampion. Nga gjashtë ndeshjet e fundit, vetëm ajo Napoli-Xhenoa duket se është më e lehta dhe nuk mund të paraqesë vështirësi. Pastaj, të gjitha ndeshjet paraqesin një vështirësi dhe rrezikshmëri shumë të lartë: do të ndeshet me Juventusin dhe Udinezen, që janë në një luftë të ashpër për t’u kualifikuar në Ligën e Kampioneve, me Leçen, e cila po përpiqet që mos të bjerë një kategori më poshtë, ka sfidën direkte më Interin në shtëpi, si dhe transfertën delikate në Palermo. Pra, të grumbullojë 18 pikë deri në fund të kampionat, për Napolin nuk është aq e thjeshtë. Por, ashtu si edhe për Milanin, forma fizike e Napolit është e shkëlqyer. Në Bolonja, ku temperaturat ishin shumë të larta dhe bezdizëse, lojtarët e Napolit kanë vrapuar gjatë gjithë ndeshjes, pas shfaqur shqetësime. Laveci dhe Hamshik janë në një rritje të ndeshje, si nga ana fizike, ashtu edhe në lojë, ndërsa pushimi i së dielës mund të ndikojë në rigjenerimin e Kavanit. Napoli, megjithatë, do t’i luajë të gjitha shanset, ose pothuajse, në dy ndeshjet e ardhshme, me Udinezen dhe Palermon: nëse nuk do të humbasë terren nga kuqezinjtë, atëherë shanset për fitimin e titullit do të jenë të mëdha.
Inter, 63 pikë
Në fund është Inter, me -5 pikë ndaj Milanit(6 nëse do të merren parasysh dy përballjet direkte të humbura), që nuk ka alternativa: për të shpresuar për titullin, duhet t’i fitojë të gjitha ndeshjet. Gjë që nuk duket e pamundur, duke parë kalendarin, që, përveç transfertës me Napolin, nuk paraqet ndeshje shumë delikate. Megjithatë, Interi duhet të bëjë kujdes: rrugës së vet do të ketë vetëm një ekip të pamotivuar: Fiorentinën. Në ndeshjet e tjera, do të përballet me transfertat e Parmës dhe Çezenës, të cilat janë në luftë të plotë për të qëndruar në Serinë A, do të presë Lacion, që do të luftojë deri në fund për kualifikimin e Ligës së Kampioneve dhe në fund, do të presë Katanian, që ndoshta ndeshjen e fundit nuk do ta ketë siguruar qëndrimin në Serinë A. Për më tepër, Interi duhet të shpresojë edhe në gabimet e Milanit. Kjo, pasi edhe nëse i fiton të gjitha ndeshjet dhe kuqezinjtë nuk bëjnë hapa false, atëherë titulli është i pamundur.
Ibrahimoviç skualifikohet tre ndeshje, Berluskoni mendon ta shesë
Sulmuesi suedez, Zllatan Ibrahimoviç, është skualifikuar nga gjykata sportive me tre ndeshje. Shkak për këtë gjë janë bërë fyerjet ndaj arbitrit anësor në ndeshjen Fiorentina-Milan, e cila u fitua nga kuqezinjtë. Vet Ibrahimoviç është shprehur pas ndeshjes se nuk kishte asgjë me arbitrin, por e kishte me veten. Gjithsesi, kjo nuk e ka ndaluar gjykatën sportive që ta skualifikojë suedezin. Menjëherë pas këtij vendimi, drejtuesit e Milanit janë shprehur se do ta apelojnë vendimin. Në rast se vendimi nuk rishikohet, Ibrahimoviç do të mungojë në ndeshjet kundër Sampdorias, Breshias dhe Bolonjës. Suedezi vinte pikërisht pas një skualifikimi me dy ndeshje, pasi goditi me grusht mbrojtësin e Barit, Marko Rosi. Ndërkohë, mediat italiane dje kanë nisur spekulimet duke shkruajtur se Berluskonit duket se i ka ardhur në majë të hundës me sjelljet e Ibrës, dhe po mendon shitjen e tij, që të rekuperojë paratë e humbura me të.
Beckenbauer: Shkarkimi i Van Gaal, i paevitueshëm
Franz Beckenbauer, presidenti i nderit i Bayern Munchen, shprehet se shkarkimi i trajnerit Louis Van Gaal ishte “i paevitueshëm” dhe se erdhi “shumë vonë”. “Shkarkimi i Van Gaal ishte i paevitueshëm. Drejtuesit e Bayern menduan se do të funksiononte duke e mbajtur deri në fund të sezonit, por kjo nuk ndodhi. Duke qenë se kishin vendosur ta largonin, drejtuesit do bënin më mirë ta kishin larguar menjëherë”, lexohet në një shkrim të Beckenbauer të publikuar në gazetën ‘Bild’. Legjenda e futbollit gjerman thekson se zakonisht lojtarët nuk dëgjojnë një trajner që do të largohet në fund të sezonit dhe kjo gjë po ndodhte tek bavarezët. Beckenbauer rikujtoi edhe një herë meritat e trajnerit hollandez në vitin e parë të drejtimit të Bayern Munchen: “Fitoi kampionatin, kupën dhe na dërgoi në finalen e Ligës së Kampioneve. Gjithashtu ndihmoi në rritjen e Holger Badstuber dhe Thomas Muller.” “Personalisht, më vjen shumë keq që u largua edhe pse vetë do ta kisha larguar më parë”, përfundoi Beckenbauer.
Inter, fillon operacioni Tevez
Carlos Tevez dhe Manchester City kanë arritur në një marrëveshje që do të bëjë të mundur transferimin e sulmuesit argjentinas tek Interi në sezonin e ardhshëm. Pra, do të jetë Tevez dhe jo Alexis Sanchez përforcimi i parë për sulmin zikaltër. Presidentit të Interit, Massimo Moratti, do t’i duhet të shpenzojë rreth 30 milionë euro për sulmuesin e ekipit anglez, Manchester City.
Por, nuk mund të përjashtohet edhe një ulje e kësaj shifre nëpërmjet ofrimit të Maicon nga ana e zikaltërve edhe pse sezonin e shkuar mbrojtësi brazilian refuzoi transferimin në Premiership.
Djali i Zidane, objektiv i Manchester United
Paraqitja e mirë e Enzo Zidane, djalit të ish futbollistit francez Zinedine Zidane, në radhët e filialeve të Real Madrid ka zgjuar interesin e shumë ekipeve të njohura europiane.Interesit të Juventusit, sipas Corriere dello Sport, i shtohet ai i Manchester United sipas mediave angleze. Gjithashtu, për Enzo Zidane janë vënë në lëvizje edhe federatat e futbollit të Spanjës dhe Francës të cilat po “luftojnë” që ta fusin në ekipet e tyre U-16.Deri tani, djali i ish-mesfushorit të Real Madrid nuk ka vendosur se kë shtet do të përfaqësojë në të ardhmen.
Ançeloti: Do ta drejtoja Romën në 7 qershor, por nuk e di vitin
Toti, “asist” Ançelotit: Të pres te Roma
Françesko Toti ka thirrur Karlo Ançelotin te Roma. Kapiteni i verdhekuqve ka deklaruar: “Ai e ka thënë gjithmonë, herët ose vonë do të drejtojë Romën: shpresoj të jem akoma këtu kur ai të vijë”. Toti ka folur edhe për kombëtaren e Italisë: “Për momentin po shijoj momentin e mirë që jam duke kaluar, Italia nuk është më pjesë e planeve të mia: po mendoj për Udinezen dhe Lacion, që janë rivalet tona për vendin e katërt”. Kapiteni më pas ka bërë një koment edhe në lidhje me pronarin e ardhshëm të klubit verdhekuq, që e ka mbushur me komplimenta: “Di Benedeto ka të drejtë kur thotë se jam një magjistar? Është një fjalë e madhe dhe e bukur njëkohësisht, por kundër Udinezes magjinë e ka bërë gjithë skuadra”. Për sa i takon penalltisë kundër Udinezes: “Goditjen parabël kisha vendosur ta bëja më parë, e dija se Handanoviç nuk e priste një gjë të tillë”.
Deklarata e Ançelotit
“Nëse do ta drejtoj Romën në të ardhmen? Tani objektivi është të qëndroj te Chelsi dhe vitin e ardhshëm do të drejtoj përsëri këtu, por, ndërkohë për të ardhmen po: në 7 qershor, por nuk dihet se në çfarë viti do të ndodhë, që unë të marr drejtimin e Romës”. I intervistuar nga “Mediaset Premium”, Karlo Ançeloti ka bërë të kuptohet që e ardhmja e tij, të paktën përsa i përket sezonit 2011-2012, nuk do të jetë e veshur me ngjyra verdhekuqe. Përsa i përket mundësisë që ai të thërritet nga Interi, Karlo Ançeloti është shumë i vendosur në përgjigjen e dhënë: “Nëse do të më kërkonte Interi do të thoja menjëherë jo: kam një histori shumë të qartë dhe është e vështirë që të shkoj kundër saj”. Por, qëndrimi i italianit Ançeloti në bankinën e Chelsit varet shumë edhe nga ecuria e anglezëve në Champions Ligë? “Nuk mendoj, përgjigjet ai, që klubi do të marrë një vendim për të ardhmen time në bazë të faktit se do të fitoj ose jo Champions Ligën. Shoqëria mua më njeh shumë mirë, njeh shumë mirë sjelljen time dhe do të mjaftojë për ta bazuar vendimin e tyre në këtë drejtim. Deri në atë kohë, do të më mbështesin në 100%, nuk ka asnjë problem. Fernando Torres? Nuk është në një moment të mirë dhe për të tashmë është mbështetja e të gjithëve, të gjithë janë në krah të tij”.
Stiven Xherard mbyll sezonin para kohe!
Kapiteni i Liverpulit, Stiven Xherrard, nuk do të luajë për pjesën e mbetur të sezonit, sepse është i dëmtuar, duke i dhënë një goditje të madhe shanseve të Liverpulit për të zënë një vend në kupat e Europës. Trajneri i Liverpulit, Keni Dalglish, ka thënë dje se, lojtari i tij ka pasur një dëmtim në stërvitje pas operacionit të bërë muajin që shkoi. “Ende nuk e dimë se çfarë problemi ka, është shprehur Dalglish. Ne do të presim për të marrë një përgjigje të saktë nga specialistët, por ai nuk do të luajë më këtë sezon”. Në fillim të javës edhe qendërmbrojtësi Daniel Ager, humbi sezonin për shkak të një dëmtimi në gju, kurse mbrojtësit e djathtë, Glen Xhonson dhe Martin Kelli, nuk do të luajnë për një muaj, sepse kanë probleme muskulare. Liverpuli është eliminuar nga Liga Europa dhe Kupa e Anglisë dhe e vetmja rrugë drejt Europës mbetet Premier Liga. Liverpuli megjithatë ka vetëm shtatë ndeshje për të luajtur dhe është pesë pikë pas Totenhemit të vendit të pestë, që mban vendin e vetëm për në Europa Ligë. Totenhemi ka edhe një ndeshje më pak se Liverpuli. Ndeshja e fundit e luajtur nga Xherrard për Liverpulin ishte në fitoren 3-1 kundër Manchester Junaitid më 6 mars. “Ne duhet të mësohemi me këtë fakt dhe të vazhdojmë rrugën, duke u kujdesur për lojtarët e dëmtuar, por më të rëndësishëm janë ata që luajnë”, ka thënë Dalglish.
Ferguson: Gjyqtari, që ndëshkoi Runin, ishte nën presion
Trajneri i Manchester Junaitid, Sir Aleks Ferguson, është shprehur për mediat angleze se arbitri i ndeshjes, në të cilën Runi tha disa fjalë të turpshme në televizion live, ka qenë nën presion të madh për të marrë një qëndrim ndaj lojtarit. Arbitri Li Mezon nuk bëri asgjë edhe pse Runi tha fjalë ofensive në televizion, pasi po festonte golin e tij të tretë kundër Uest Hemit në fitoren 4-2, por më vonë tha se do ta kishte nxjerrë me karton të kuq, po ta kishte parë incidentin. Ky pranim nga ana e tij bëri që FA-ja ta dënonte me dy ndeshje; atë kundër Fulhemit në kampionat dhe gjysmëfinalen kundër Manchester Sitit në Kupën e Anglisë në “Uembli”. “Mendoj, se arbitri është vënë nën presion, sepse është e paimagjinueshme që arbitri t’i nxjerrë karton të kuq një lojtari sepse feston tregolëshin e tij”, ka thënë dje Ferguson, që nuk i ka mirë marrëdhëniet me FA-në. “Por, ai tani e ka vënë veten në qendër të vëmendjes dhe nëse nuk nxjerr me karton të kuq një lojtar që shan, atëherë i bie të ketë standarde të dyfishta. Eshtë një pozicion shumë i vështirë për të dhe ndjej keqardhje. Nuk e di si do të shkojë karriera e tij tani. Por mendoj se e kanë vënë nën presion”.
Terri i lodhur nga arbitrimet: Jemi të vetëm kundër të gjithëve
Tashmë nuk ka më asnjë dyshim: një fakt në Champions Ligë, Chelsi është një prej skuadrave më të pafat në këtë planet. Blutë, në këto vitet e fundit shpesh herë janë dënuar ashpër nga gabime arbitrale që kanë qenë kundër tyre. Nga goli fantazëm i shënuar nga Luis Garsia që i ka mohuar Chelsit finalen në favor të Liverpulit, te rasti më i rëndë dhe i famshëm i lidhur me ndeshjen Chelsi-Barcelona dhe gabimet e vazhdueshme të norvegjezit Ovrebo që kanë eliminuar në atë kohë në mënyrë të padrejtë skuadrën e drejtuar nga holandezi Gus Hidink, por edhe këtë vit, në ndeshjen e parë të çerekfinaleve kundër Manchester Junaitid, gjërat nuk kanë shkuar shumë mirë. Skuadrës së drejtuar nga italiani Karlo Ançeloti i është mohuar në fakt një penallti e pastër në minutat e fundit të ndeshjes, një episod që kapiteni i Bluve Xhon Terri, e ka komentuar në këtë mënyrë: “Shokëve të mi i kam thënë që jemi të vetëm kundër të gjithëve. Është shumë evidente gjithçka, mjafton të shikosh se çfarë ka ndodhur në këto vitet e fundit. Ne mund të shkojmë vetëm në fushën e lojës, duke dhënë maksimumin, duke ditur që asnjë njeri nuk do të na dhurojë kurrë asgjë”. Terri ka konfirmuar edhe besimin maksimal te Karlo Ançeloti: “Jemi plotësisht 100% në krah të tij, me sa di unë do të vazhdoj të qëndrojë me ne”. Një konfirmim që ka mbërritur edhe nga vetë italiani.