Home Aktualitet Mbyllen 18 Universitete , 13 të tjerë janë pezulluar

Mbyllen 18 Universitete , 13 të tjerë janë pezulluar

562
0

ediramaramaMbyllen 18 Universitete në përfundim të kontrollit të bërë nga ana e Ministrisë së Arsimit, ndërkohë që 13 universiteteve të tjerë janë pezulluar deri në një vendim të dytë. Po 13 është numri i Universiteteve që do të vijojnë aktivitetin normal por me kusht që rë plotësojnë mangësitë.U propozua per mbyllje Akademia e arteve Shkoder dhe 6 filiale te universitetit publik neper rrethe.

Studentët që ndjekin universitetet që janë mbyllur do të shpërndahen në universitete të tjera private apo shtetërore, gjithmonë duke u bazuar te kreditet që ata kanë marrë.

Të pafundme janë edhe çudirat e nxjerra nga ky raport, ku kanë rezultuar se kanë përfunduar Arsimin e Lartë në Shqipëri 900 studentë të huaj, por asnjë prej lëndëve nuk jepet në gjuhë të huaj, apo akoma më tej e pabesueshmja shkon kur ka rezultuar se ka studentë që kanë paguar studimin me dru zjarri.

Bazuar te raporti universitetet janë ndarë në tre fasha bërë të ditur kryeministri Rama.

“E para ata që përgjithësisht i plotësojnë kriteret, por që duhet të bëjnë ndonjë rregullim. Fasha e mesme ku universitetet ndalohen për të marrë studentë në vitin e parë dhe fasha e tretë që mbyllen dhe studentët merren përsipër për t’u adresuar në universitetet private apo publike të tjerë bazuar te kreditet që kanë marrë. Nëse grupi i kontrollit të arsimit nuk ka bërë shkak, kompania akredituese nuk ka shans të bëjë shaka. Ka shumë të mbetur në klasë vetë nga testi i ligjshëm i cilësisë.”-u shpreh Rama.

Prezantimi i sotëm i Kontrollit të Ministrisë së Arsimit që ka të bëjë me zbatueshmërinë e ligjit aktual, në muajin dhjetor do të pasohet nga akreditimi i cili që ka të bëj me cilësinë. Rama ka bërë të ditur se akreditimi do të kryhet nga një kompani private angleze.

Studentët që kanë përfunduar në universitetet që do të mbyllen nuk duhet të frikësohen pasi heqja e licencave nuk ka fuqi prapaveprues. Pra ata që kanë diplomë të këtyre Universiteteve do vijojnë ta mbajnë pasi do vijojë të njihet normalisht.

Propozimi për heqje licence

PRIVATE
SHLUP “Vitrina”
SHLUJ “Universiteti Kristal”
SHLUJ “Justiniani I”
Akademia e Ndertimit, Tiranë
SHLP “Universiteti Elite”
IPAL “Shkolla e Lartë “Illyria”
Akademia e Studimeve te Aplikuara, Durrës
SHLP “Universiteti Planetar i Tiranës”
Akademia Pedagogjike, Tiranë
IALP “Shkolla e Lartë “Nëna Mbretëreshë Geraldinë”
IPAL “Kolegji profesional i sporteve, Fier”
Kolegj profesional “Argent”, Shkodër
IALP “Shkolla e Lartë Amerikane e Tiranës”
Shkolla e Lartë Private e Edukimit
Kolegjet Profesionale, private “Medicom”
IP “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës”
SHPAL “Gjon Buzuku”, Shkodër
SHLUJ “Medikadent”

PUBLIKE:
Akademia e Arteve Shkoder
Filiali Kukes UT
Filiali Sarande UT
Filiali Peshkopi UAMD
Filiali Pogradec UK
Filiali Lushnje UBT
Filiali Gjirokaster UST

Pezullim i pjesshem apo i plote i aktivitetit:

Universiteti “Aldent”
SHLP “Hëna e plotë” (Bedër)
Kolegji Profesional privat “New Generation”
SHLP “Logos”
SHLUP “Instituti Kanadez i Teknologjisë”
Kolegji Profesional “Ivoclar Vivadent &Partners”
ShLAP “Pavarësia” Vlorë
Akademia Profesionale e Biznesit
IPAL “ISSAT”
ShLUJ “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi”
SHLUJ “Justicia”
SHLUP “Wisdom University”
Universiteti privat “Albanian University” (Ish UFO)

Vijim i aktivitetit me kushte, apo rekomandime për përmirësim të kritereve:

Universiteti “Polis”
Universiteti katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”
SHLUJ “Marubi”
Universiteti “Epoka”
IPAL “Shkolla e Lartë “Nehemia”
Universiteti Europian i Tiranës
SHLUJ “Universiteti i New Yorkut, Tiranë”
SHLUJ “Luarasi”
Akademia e studimeve të aplikuara “Reald”
“Shkolla e Lartë Private Mesdhetare e Shqipërisë”
SHLP “Tirana Business University”
SHPAL “Universiteti Metropolitan Tirana”
SHLUJ “Universiteti “Marin Barleti”

Kryeministri Rama dhe ministrja Nikolla prezantuan raportin për Universitetet publike e private, ku pasqyruan situatën aktuale. Sipas këtij raporti 70.5% e institucioneve arsimore kanë probleme me kriteret ligjore bëri të ditur Nikolla ndërkohë që Rama bërë të ditur se nga muaji dhjetor do të nisë akreditimi i universiteteve nga një kompani serioze angleze. Në përfundim të fjalës së tij Rama u shpreh se ashtu siç janë zotuar kontrolli të cilësisë do i nënshtrohen të gjithë njësoj, duke pasur universitete që do shkojnë përpara sipas meritës. Ky kontroll mbyll një numër të konsiderueshëm universitetesh dhe programesh qoftë në shtet apo në privat.

Rama:Raporti, ka rezultuar se ka studentë që e kanë paguar studimin me dru zjarri
Gjatë fjalës së tij për raportin e Ministrisë së Arsimit, Kryeministri Rama u shpreh se pamja që ndeshim nuk lë vend për kënaqësi por ngjall trishtim dhe revoltë. Trishtim për mijëra familje që kanë investuar kursimet e tyre për t’i dhënë fëmijëve shkolla, por që i kanë derdhur paratë në këto skema piramidale, u shpreh Rama.

Sipas tij pavarësisht se kanë qenë të vetëdijshëm për të gjithë këtë situatë në Arsim e Lartë rezultatet e këtij kontrolli bazuar në legjislacionin në fuqi janë absolutisht rrëqethëse.

Për kryeministrin Rama është një rekord prej numri i lartë i profesioneve apo nënprefesione universitete plot 1432. “Një tjetër rekord në evropë, por mbase edhe botëror është se në 15 degë ku nota mesatare e të regjistruarve është nën 5,5.”- u shpreh Rama.

Abuzimi sipas Ramës shkon akoma edhe më tej ku janë dhënë 900 diploma për të huaj ndërkohë që nuk japer asnjë lëndë në gjuhë të huaj, apo kur ka rezultuar se ka studentë që e kanë paguar studimin me dru zjarri.

“Kemi arritur që të kemi regjistra kombëtar ku thuhet se 10 diploma i ka tërhequr shefi.”- tha Rama

Një tjetër fakt për degjenerimin e universiteteve është edhe profesionalizmi i pedagogëve që shpesh nuk kanë nivelin e duhur. Një shembull që ka dhënë Rama është se në Elbasan janë 6 persona që kanë vetëm diplomën bachelor dhe janë punësuar si pedagogë në një universitet privat.

Rama: Akreditimi i Universiteteve çon në një nivel tjetër Arsimin e Lartë
Ne shkojmë në një nivel tjetër në akreditimin e universiteteve tha shpreh Rama lidhur me akreditimin që pritet të bëhet në muajin dhjetor nga një kompani private.

“Akreditimi është diçka krejt tjetër nga kjo që ka përfunduar nga ky raport. Ky është vetë një kontroll i domosdoshëm që Ministria e Arsimit duhet të bënte çdo vit, por që nuk e ka bërë askush prej shumë vitesh. Nëse do kishin bërë kontroll do kishin kursyer qindra miliona euro nga kursimet e familjeve shqiptare. Pas kësaj faze do të bëhet edhe akreditimi nga një kompani serioze angleze në dhjetor të këtij viti.”- tha Rama.

Rama:Qeveria e mëparshme blinte qetësi që të mos përballej me papunësinë e të rinjve
Më tej Rama u shpreh se Qeveria e mëparshme blinte qetësi që të mos përballej me papunësinë e të rinjve, duke krijuar edhe iluzionin te fëmijët se po bëhen inxhinierë apo doktorë.

“Qeveria e mëparshme blinte qetësi që të mos përballej me papunësinë e të rinjve. Duke krijuar edhe iluzionin te fëmijët se po bëhen inxhinierë apo doktorë. Ne nuk kemi ardhur në qeveri që të rrime rehat, por as të blejmë qetësi me xhepat e shqiptareve duke krijuar iluzione. Copa letra që paguhen me para por që nuk kanë asnjë vlere, përveç faktit që vlejnë për një të ardhme imagjinare. Përgjegjësi e jashtëzakonshme për ne që investimi i familjeve shqiptare të shkojë dëm. E paimagjinueshme në çdo vend normal.”- u shpreh Rama.

Fjala e plotë e Kryeministrit Rama në Raportimin e ekspertëve të Arsimit të Lartë, për universitetet

Nikolla:70.5% e institucioneve arsimore, probleme me kriteret ligjore
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla gjatë prezantimit të raportit mbi kontrollin në Arsimin e Lartë publik dhe privat ka bërë të ditur se 70.5% e institucioneve arsimore kanë probleme me kriteret ligjore. Gjithashtu ajo është shprehur se askush nuk do të cenojë diplomat e marra, por se nuk do të pranohen diplomat pa kritere.

“Është hartuar plan i qartë pune për situatën. Do të shqyrtohet çdo dosje e studenteve emër për emër për t’i qëndruar afër. Ishim futur qorrazi në një situate ku të gjithë humbasin. Prindërit humbasin lekët duke i çuar studentët në shkolla ku nuk përfitojnë dije. Studentët humbin paratë e familjes pa mësuar gjë. Shoqëria humbet kapital njerëzor.”-tha më tej ministrja e arsimit në fjalën e saj.

Gjetjet kryesore të konstatuara në nivel makro nga ky inspektim kaq masiv dhe që në fakt është një pasqyrë e qartë e situatës ligjore në të cilën ndodhet sot arsimi i lartë në Republikën e Shqipërisë, janë:
Për IAL-të private:
Mbi 90% e IAL-ve private nuk kanë staf të mjaftueshëm efektiv;
Më shumë se 2/3 e IAL-ve nuk arrijnë të mbulojnë ngarkesën mësimore akademike me staf të brendshëm, sipas standardeve të kërkuara ligjore;
Mbi 90% e IAL-ve private nuk kanë akte të tyre rregullatore të brendshme për mirë funksionimin e tyre, të miratuara nga organet kolegjiale;
88% e Institucioneve të arsimit të lartë kanë parregullsi ose paplotësi të regjistrave themeltarë, të progresit akademik apo të diplomimit të studentëve;
85% e Institucioneve të arsimit të lartë nuk zbatojnë rregullat ligjore për administrimin dhe ruajtjen e dokumentacionit zyrtar të institucionit;
80% e Institucioneve të arsimit të lartë kanë parregullsi në marrëdhëniet kontraktuale me stafin akademik/studentët;
Rreth 2/3 e Institucioneve të arsimit të lartë bëjnë reklamim/marketing të pandershëm, përhapje informacioni të rremë për publikun dhe studentët;
Në më shumë se 60% të Institucioneve të arsimit të lartë jopublik nuk funksionojnë organet kolegjiale, sipas legjislacionit ne fuqi.
56% e Institucioneve të arsimit të lartë jopublik nuk ofrojnë garanci financiare për vazhdimin e studimeve, as për studentët që kanë aktualisht në sistem.
Më shumë se gjysma e institucioneve të arsimit të lartë jopublik nuk plotëson standardet minimale të infrastrukturës dhe sigurisë së studentëve.
Më shumë se gjysma e institucioneve të arsimit të lartë jopublik, që kanë ofruar të drejtën për ofrimin e programeve të ciklit të tretë, nuk kanë kapacitet akademik ose nuk plotësojnë standardet për të ofruar këto programe.

Për IAL-të publike:
Asnjë nga Institucionet Publike të Arsimit të Lartë (përveç 1 IAL-je) nuk i janë nënshtruar detyrimit ligjor për vlerësimin e cilësisë dhe akreditimin;
Me pak përjashtime, thuajse të gjitha IAL-të kanë mangësi të rëndësishme dhe parregullsi në dokumentacionin zyrtar, të personelit akademik dhe të studentëve;
Rreth 2/3 e IAL-ve nuk plotësojnë standardet e të gjitha njësive bazë në përbërje të tyre në lidhje me numrin dhe shkallën e kualifikimit të stafit akademik;
Rreth ½ e IAL-ve nuk plotësojnë standardet e të gjithë njësive kryesore në përbërje të tyre;
Me shumë se ½ e IAL nuk plotësojnë standardet minimale për treguesit staf akademik/student dhe staf efektiv/staf i ftuar;
në rreth 70% të IAL-ve organet kolegjale funksionojnë dhe/ose marrin vendime në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore, madje dhe me vetë rregulloret e tyre;
Në shumicën dërrmuese të IAL-ve autoritetet drejtuese të zgjedhura marrin kompetenca dhe vendimmarrje/miratime në kundërshtim të hapur me ligjin, aktet nënligjore dhe vetë aktet e miratuara të institucionit (statut, rregullore);
Më shumë se ½ e IAL-ve nuk respektojne parimet, kriteret dhe procedurat për rekrutimin e stafit akademik efektiv dhe të ftuar, si dhe atë adminsitrativ;
Thuasje 100% e IAL-ve nuk respektojnë kriteret përzgjedhëse për pranimet e studenteve në ciklin e dytë, Master profesional dhe rreth 70% as ato për pranimet në Master Shkencor;
Më shumë se ½ e IAL-ve nuk kanë kapacitetet e duhura akademike dhe shkallën e kualifikimit për të ofruar programet e studimit Master Shkencor dhe Doktoratë;
Rreth 2/3 e IAL-ve shkelin ose nuk respektojnë kriteret dhe procedurat e pranimit në programet e studimit të doktoratës;
Më shume se ½ e IAL-ve nuk respektojnë kriteret dhe procedurat për promovimin për grada dhe tituj akademike;
Rreth ¾ e IAL-ve nuk plotësojnë as standardet minimale të infrastrukturës, mjediseve dhe kritereve të sigurisë për stafin dhe studentët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here