Gazeta “Panorama” shkruan sot se “Prokuroria e Përgjithshme do të hapë “zarfin” e mbërritur nga Ministria e Mbrojtjes me padinë ndaj Arben Imamit, pas kthimit të kryeprokurorit Adriatik Llalla nga një vizitë jashtë shtetit. Materiali shkresor me mbi 200 faqe ka mbërritur rreth orës 16:00 të datës 9 dhjetor 2013 në Prokurorinë e Përgjithshme.
Ky institucion ka firmosur marrjen e materialeve të padisë në dorëzim, ndërsa materiali është lënë i pahapur ditën e djeshme. Burimet nga Prokuroria thanë se për shkak të rëndësisë së çështjes, por edhe bazuar në kompetencën ligjore, është vendosur që padia të hapet dhe të shqyrtohet pas kthimit të kryeprokurorit Adriatik Llalla në Tiranë.
Prokurori i Përgjithshëm aktualisht ndodhet në një vizitë jashtë Shqipërisë, në një konferencë të përbashkët me homologë nga e gjithë bota. Kryeprokurori Llalla ndodhet në këtë vizitë jashtë vendit që nga fillimi i javës, ndërsa pritet të kthehet ditën e enjte. Sipas procedurës, dosja me kallëzimin penal të Ministrisë së Mbrojtjes ndaj Arben Imamit do të shqyrtohet nga Prokuroria e Përgjithshme.
Kjo e fundit ka kompetencën e hetimit për çështjet që kanë të bëjnë me personat që gëzojnë imunitet parlamentar. Sipas Prokurorisë, materiali i depozituar nga Ministria e Mbrojtjes është mbi 200 faqe dhe veç ish-ministrit Arben Imami, ka si të akuzuar edhe katër persona të tjerë.
Zyra Qendrore e Njësisë Task- Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Përgjithshme pritet të marrë në shqyrtim materialet e hartuara nga auditi i Ministrisë së Mbrojtjes. Procedura parashikon që Prokuroria të verifikojë nëse ka elemente të veprës penale dhe më pas të fillojë hetimin.