Home Shendetesi Osteoporoza, një sëmundje e heshtur. Shkaqet dhe trajtimi

Osteoporoza, një sëmundje e heshtur. Shkaqet dhe trajtimi

2490
0

Dr.Artan Bano, kirurg ortoped në Spitalin Hygeia Tiranë, flet për shkaqet e osteoporozës dhe se si trajtohet; gjithashtu si të zvogëloni faktorët e riskut për zhvillimin e osteoporoses, si edhe sugjerime për diagnozën dhe trajtimin

Doktor Bano, çfarë është osteoporoza dhe si shfaqet ajo?
Osteoporoza është një gjendje në të cilën kockat dobësohen dhe mund të thyhen më lehtë. Kockat janë inde të gjalla dhe me kalimin e kohës nuk kanë mundësi që të rigjenerohen, kështu që fillojnë të dobësohen. Kjo ndodh tek të gjithë, por kur kockat fillojnë të dobësohen shumë shpejt, kjo gjendje quhet osteoporozë.

Zakonisht nuk shfaqet me shenja klinike, dhe për arsyen se në shumicën e rasteve zbulohet pas një frakture që ndodh nga një aksident i vogël ose një rrezimi në tokë. Frakturat më të shpeshta ndodhin ne kyçin e dorës, në artikulacionin koksofemoral (ngofje) dhe në vertebrat e shtyllës kurrizore.
Në këtë të fundit, trupat e vertebrave humbasin lartësine dhe pacienti fillon të kërruset dhe të shkurtohet gjatësia e trupit.

Te cilët njerëz shfaqet më shpesh osteoporoza?
Shfaqet shumë shpesh te gratë, kryesisht pas menopauzës, por mund të shfaqet dhe te burrat. Njerëz që mund të shfaqin osteoporozë janë ata që kanë faktorë rreziku të lartë. Ndër faktorët kryesorë të rrezikut përmenden:
• Gjinia femër, sidomos pas një menopauze të hershme (para moshës 45 vjeç)
• Mosha (rreziku rritet pas moshës 50 vjeç)
• Insufiçienca e hormoneve (kryesisht të estrogjenit) pas heqjes kirurgjikale të ovareve ose te mitrës
• Anamnezë familjare osteoporoze (disa pacientë me patologji të lindura si p.sh osteogenesis inperfecta janë në rrezik të lartë për të vuajtur nga osteoporoza)
• Fiziku i imët
• Mungesa në ushqyerje (marrje jo adekuate e kalciumit apo e vitaminës D)
• Ushtrimi fizik i pamjaftueshëm, jeta sedentare apo qëndrimi i gjatë shtrirë
• Përdorimi i tepërt i duhanit, mishit, alkoolit dhe kafesë
• Përdorimi i zgjatur i disa medikamenteve si p.sh kortizoni (më shumë se 3 muaj)

Si kryhet diagnoza e osteoporozës?
osteoporoza

Diagnoza e osteoporozës mund të bëhet shumë thjesht me metodën e matjes së densitetit kockor (DEXA), një metodë kjo diagnostikuese, e cila përdor një tip special të rrezeve X për matjen e masës kockore të trupit.

Kjo metodë përdor rrezet X, ndërkohë që doza që merr pacienti/ja është shumë e vogël. Krahasohet me më pak se 1/10 e dozës që merr dikush gjatë një radiografie toraksi dhe është më e vogël se doza ditore e rrezatimit që merr gjithsecili nga ambienti rrethues. Matjes së densitetit kockor duhet t’i nënshtrohen:
• Gratë nga mosha 65 vjeç e lart
• Gratë nën moshën 65 vjeç me faktorë rreziku për shfaqje frakturash
• Gratë gjatë menopauzës, të cilat kanë faktorë rreziku për shfaqje frakturash, si p.sh. fizik i imët, anamnezë frakturash të mëparshme
• Burrat e moshës 70 vjeç e lart
• Burrat nën 70 vjeç por me faktorë rreziku për shfaqje frakturash
• Pacientë me patologji që shoqërohen me masë kockore të ulët ose me pakësim të masës kockore si p.sh patologji kronike infektive të zorrës së trashë (koliti), sëmundje reumatizmale, diabeti, hipertiroidizmi
• Pacientë që marrin medikamente të cilat mund të ulin masën kockore, si p.sh kortizoni
• Pacientë të cilët marrin trajtim për masë kockore të ulët dhe kanë nevojë për vlerësim të rezultateve të trajtimit të tyre
Matja e densitetit kockor është një metodë rezultative për diagnostikimin dhe vlerësimin e shkallës së rëndesës së osteoporozës. Megjithatë, saktësia e saj mund të preket në rastet e pacientëve me fraktura në shtyllën kurrizore ose nga prezenca e ndryshimeve degjenerative hipertrofike të vertebrave.

A ka njerëz që nuk duhet t’i nënshtrohen matjes së densitetit kockor?
Ata janë:
• Gratë shtatzane
• Pacientë të cilët u janë nënshtruar së fundmi ekzaminimeve të tjera diagnostike ku është perdorur lëndë kontrasti,  si p.sh barium apo gastrografi
• Pacientë të cilët kanë kryer më parë, në të njëjtën ditë, shintigrafi të kockave

Zakonisht ekzaminimi  bëhet në zonën lumbare të shtyllës kurrizore dhe në një ose në të dy artikulacionet koksofemorale. Nëse nevojitet, mund të bëhet dhe në pjesë të tjera të trupit apo në të gjithë trupin. Është e rëndësishme të mbahet mend që: ekzaminimi të kryhet çdo herë me të njëjtën aparaturë (nëse është e mundur në të njëjtën klinikë) dhe në të njëjtën periudhë kohore.

Si interpretohet matja e densitetit kockor?
Matja e densitetit kockor mund të rezultojë:
NORMALE: Rreziku për frakturë kompresive është i vogël.
OSTEOPENI: Kocka është më pak e fortë në këtë gjendje, por rreziku për frakturë kompresive vazhdon të jetë i ulët. Gjithsesi ju duhet të mendoni se si të ulni apo përmiresoni faktorët e rrezikut.

OSTEOPOROZË: Ekziston rrezik për frakturë dhe ju keni nevojë për trajtim mjekësor.
Nëse osteoporoza diagnostikohet pas një frakture kompresive të kolonës vertebrale, koksofemorale apo të kyçit të dorës, atëherë do të trajtohet fillimisht fraktura dhe më pas osteoporoza. Për trajtimin e frakturës, ju mund të keni nevojë për një ortoped. Disa tipe frakturash mund të kenë nevojë për reponim dhe fiksim.

Si trajtohet osteoporoza?
Trajtimi i osteoporozës është kompleks dhe i vështirë. Çdo pacient është i veçantë, dhe si i tillë duhet trajtuar. Kjo kërkon që të studiohen mirë nga ana e mjekut specialist karakteristikat e pacientit, shkaku i osteoporozës, rezultati i trajtimit. Kujdes: medikamentet që përdoren për trajtimin e osteoporozës mund të shkaktojnë në pacientë të veçantë komplikacione serioze.

Roli i Kalciumit, i Vitaminës D dhe diellit është shumë i rëndësishëm. Nevojat ditore të pacientëve nën terapi medikamentoze të osteoporozës janë 1,000-1,200 mg Kalcium dhe 800 IU Vitaminë D. Kjo e fundit prodhohet kur trupi ekspozohet nën rrezet e diellit. Ndër medikamentet mund të përmenden shumë dhe secili prej tyre ka një përdorim të caktuar.

Rekomandohet të ndërpritet duhani, alkooli i tepërt. Rekomandohet gjithashtu gjimnastika si psh. ecja dhe vrapi i lehtë.
Mjekimi i një gjendjeje osteoporotike  të avancuar i ngjan një shtëpie të djegur që në fund i hidhet një kovë ujë. Mbani mend: Parandalimi është terapia më e mirë!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here