Terror në qytetin e Vlorës mbrëmjen e kësaj të marte, një person vritet në banesën e tij, ndërsa më pas u hodh në erë një automjet, pranë vendit të krimit.
Fation Sinani, 40-vjeç, është ekzekutuar me pistoletë tip “Beretta” në banesën e tij, në rrugën “Ali Demi”.
Krimi ka ndodhur rreth orës 22:10 kur dy persona të armatosur dhe me maska, kanë trokitur në apartamentin e 40-vjeçarit. Sapo ky i fundit ka hapur derën, ata kanë qëlluar katër herë në drejtim të tij.
Sinani ka humbur jetën në vend, ndërsa autorët janë larguar me nxitim me një automjet tip “Benz” me targa gjermane, të cilin e kanë braktisur rreth 500 m larg vendit të ngjarjes.
Menjëherë pas vrasjes, rreth 150 m larg vendit të krimit, është hedhur në erë një automjet tip “Ford Focus” duke shkaktuar panik te banorët përreth. Në ato momente, zona ka qenë e rrethuar nga policia, çka ka bërë që blutë të ndahen në dy grupe. Nuk dihet ende nëse dy ngjarjet kanë lidhje me njëra- tjetrën.
Dëshmia: Autorët trokitën në derën e shtëpisë
Viktima është qëlluar në derën e banesës së tij. Sipas dëshmisë së njërit prej të afërmve të viktimës, autorët kanë trokitur në shtëpinë e Fatjon Sinanit dhe në momentin që ai ka hapur derën, e kanë është qëlluar katër herë.
Forca të shumta policie kanë mbërritur në vendin e ngjarjes ku kanë bërë të mundur gjetjen e armës së krimit dhe automjetin tip “Benz” me targa gjermane, i braktisur nga autorët rreth 500 m larg vendit të krimit.
Autorët dyshohet të kenë qenë të maskuar, pasi policia ka gjetur edhe një kapuç pak metra larg vendit të ngjarjes.
Kapet një nga autorët e dyshuar
Policia e Vlorës bën të ditur se ka arrestuar një prej autorëve të vrasjes së 40-vjeçarit Fation Sinani. Autori i dyshuar është Neritan Qeribani, rreth 42 vjeç, me të cilin po punohet për zbardhjen e ngjarjes.
Grupi hetimor i ngritur menjëherë pas ngjarjes po punon për identifikimin e autorëve të tjerë dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Viktima me origjinë nga Tropoja
Viktima e atenatit në banesën e tij në lagjen “Ali Demi” në Vlorë, Fation Sinani, 40-vjeç, ishte me origjinë nga Tropoja.
Ai jetonte në Vlorë prej pesë vitesh, ndërsa njihej si person pa probleme. 40-vjeçari nuk rezulton person i njohur nga policia, pasi sipas burimeve pranë uniformave blu, për të nuk ka asnjë precedent penal.
Fation Sinani punonte në ndërtim.
Njoftimi i Policisë së Vlorës për vrasjen:
Rreth orës 22:10, në lagjen “Partizani” Vlorë pranë rrugës drejt Spitalit Rajonal, është vrarë me armë zjarri në banesën e tij shtetasi F.S., rreth 40 vjeç, i cili për pasojë ka gjetur vdekjen në vend.
Grupi hetimor ka shkuar menjëherë në vendngjarje duke kryer veprimet në lidhje me krimin e ndodhur.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të policisë, në ndjekie të autorëve është bërë e mundur kapja dhe shoqërimi i njërit prej autorëve në dalje të lagjes “Partizani”, shtetasi:
· N.Q., rreth 42 vjeç, me të cilin po punohet për zbardhjen e ngjarjes.
Janë ngritur pika kontrolli në akset kryesore të qytetit me qëllim kapjen e autorit tjetër i cili ka mundur të largohet me shpejtësi duke përfituar nga errësira, pasi dyshohet se krimi është kryer në bashkëpunim.
Në vendngjarje, Policia ka sekuestruar armën e krimit- Pistoletë të llojit “Beretë”.
Ende nuk dihen motivet e ndodhjes së kësaj ngjarjeje por po punohet për zbulimin dhe sqarimin e tyre.
Vazhdojnë hetimet për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Pas vrasjes, hidhet në erë automjeti
Pak minuta pas krimit në Vlorë ku mbeti i vrarë me armë zjarri pistoletë 40-vjeçari Fatjon Sinani, ka ndodhur shpërthimi i një automjeti fare pranë banesës së tij, duke përhapur panik te banorët përreth.
Ngjarja ka ndodhur në një kohë kur zona ishte e rrethuar me forca të shumta policie. Automjeti i shpërthyer është tip “Ford Focus” AA987 KP, në pronësi të E.I., 42 vjeç. Nga kjo ngjarje nuk ka të lënduar, përveç dëmeve materiale.
Eksplozivi i ishte vendosur automjetit në pjesën e përparme, duke i shkaktuar dëmtime të mëdha.
Ende nuk dihet nëse shpërthimi ka lidhje me krimin që i mori jetën Sinanit në banesën e tij.
Policia jep detaje nga shpërthimi i automjetit:
Rreth orës 22:58, në lagjen “15 Tetori”, autorë të paidentifikuar ende i kanë vënë lëndë plasëse (shpërthyese) automjetit tip Ford Autoveturë me targë AA 987 KP.
Automjeti ka qenë i parkuar në një rrugë dytësore pranë Bashkisë së qytetit, në pronësi të shtetasit E.I., 42 vjeç.
Si pasojë e shpërthimit mjeti është dëmtuar në pjesën e përparme.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje duke kryer hetimet e mëtejshme në lidhje me sqarimin e rrethanave të këtij rasti.
Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.