Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë ka kritikuar ashpër punën e dy ministrive: Ministrinë e Bujqësisë drejtuar nga Genc Ruli dhe Ministrinë e Mjedisit drejtuar nga Fatmir Mediu.
Kreu i qeverisë tha se Ministria e Bujqësisë nuk po fokusohet tek projektet e qeverisë për kultivimin e drurëve frutore. “Një politikë më shumë agresive është e domosdoshëm në mbarë vendin për të nxitur kultivimin e tyre. Të bëhet përkujdesje për boronicën, e cila është tërësisht e braktisur. Nuk ekziston as edhe përpjekja më e vogël. Male kemi, boronica nuk kemi. Sepse ministria i lë jetime këto dhe institutin bujqësor, duhet bërë një ndryshim shumë i shpejtë”, u shpreh Berisha duke etiketuar Rulin për performancë të dobët.
Kreu i Këshillit të Ministrave më tej tha se “rritja e prodhimi bujqësor është me një rëndësi të jashtëzakonshme për të balancuar bilancin tregtar të vendit”. “50% të popullsisë e kemi në zonat rurale dhe duhet të bëjmë çdo gjë që të nxisim të inkurajojmë që të krijojmë të ardhura. Ministria e Bujqësisë duhet të mbajë parasysh se jemi vendi me sipërfaqe më të vogël të tokës bujqësore për frymë në Evropë. Atëherë duhet të bëjmë gjithçka që ta shtojmë këtë, duke marrë nga kodrat, shpatet, luginat që nuk janë bujqësore”.
Kryeministri ka vazhduar më tej me kritika ndaj ministrit të Mjedisit lidhur me shfrytëzimin e liqeneve dhe rezervuarëve për kultivimin e peshkut. “Peshkëzimi ka mbetur jetim. Shqipëria ka 640 rezervuare artificiale, po kaq liqene. Detyrimisht peshkëzimi i tyre z. Mediu do përfshihet në skemën e subvencionit. Të stimulojmë fermat e asatit, të peshkut të ujërave të ëmbla”, tha Berisha. Më tej ai debatoi me Mediun.
Berisha: Përveç liqenit të Ohrit ne nuk kemi një praktikë të qëndrueshme në ujrat e tjera.
Mediu: Ka në Prespë.
Berisha: Shumë mirë që paskemi dhe atje…
Mediu: Dhe në Shkodër.
Berisha: Duhet të kemi në të gjithë vendet! Nuk duhet të injorojmë as dhe një rezervuar të vogël. Të nxiten ferma të tjera.
Në fund dhe meqenëse ishte mbledhja e fundit, Berisha nuk la pa bërë batutën e përhershme. I interesuar lidhur me reagimin qytetar ndaj planeve të qeverisë për prishjen e Piramidës, Kryeministri u shpreh se u krijua shoqata e “Mbështetësve të Enverit”.