Kuvendi reagoi pas akuzave të Edi Ramës që Sali Berisha dhe Jozefina Topalli bllokuan mbajtjen e seancës plenare këtë të enjte. Në një njofim për shtyp thuhet se “Në Konferencën e fundit të Kryetarëve, është diskutuar dhe rënë dakord paraprakisht për mundësinë e shtyrjes së seancës së ditës së enjte për shkak të situatës së fatkeqësisë natyrore. Në këtë konferencë ishin të pranishëm përfaqësuesit e Partisë Socialiste, të cilët ndryshe nga Zoti Rama, dhanë mirëkuptimin e tyre për mundësinë e shtyrjes së seancës plenare, dhe treguan më shumë ndjeshmëri ndaj fatkeqësisë natyrore.” Në njoftim thuhet më tej se Zoti Rama nuk ka sjellë në Kuvend asnjë ofertë, asnjë dokument apo shkresë, siç e parashikojnë procedurat parlamentare, në lidhje me situatën e fatkeqësisë natyrore. Për rrjedhojë, në Kuvend nuk ka asgjë për të diskutuar me këtë kërkesë të Partisë Socialiste.