Home Shkence Vertetohet pas 100 vjetesh teoria e Ajnshtajnit

Vertetohet pas 100 vjetesh teoria e Ajnshtajnit

1152
0

relativitetiEshtë ajo që bën të bien gurët, mban të lidhur Hënën me tokën, rrotullon yjet në Galaksi dhe galaksitë në Univers. Eshtë edhe ajo që na lodh kur mbajmë thasët në ngjitje (në këtë rast nuk na duket kaq e dobët…). Që nga kohët e Njutonit, mendonim se e njihnim mirë. Pastaj erdhi Ajnshtaini, një shekull më parë, dhe gjithçka ndryshoi. Kuptoi se bota ku jetonim ishte një vazhdimësi hapësirë-kohë, ku koha është një dimension si hapësira. Dhe graviteti ndikon në mënyrë të dukshme botën tonë: duke ndenjur në breg të detit vërejmë baticën, domethënë prova se objektet qiellore ndikohen mes tyre përmes gravitetit.

Tani kemi më në fund provën e cunamit gravitacional: kur në qiell ndodh një turbullim mjaftueshëm i fortë i hapësirë kohës, thoshte Ajnshtaini, atëherë marrin nismë valët, të cilat përhapen me shpejtësinë e dritës dhe shkaktojnë deformime të matshme (pothuajse). Kemi pritur jo pak, por grupi i SHBA (në të vërtetë me 25 kombësi) i Ligos, dje ka shpallur se i ka matur. Komplimenta, atyre dhe Ajnshtainit…

Pika qendrore, në këtë moment, është të kuptohet se prej nga vijnë. Sepse pikësëpari janë një fenomen astronomik. Sipas autorëve, objektet përgjegjës ishin dy, e që u bënë një: dy vrima të zeza me peshë 30 herë më shumë se sa Dielli, që u shkrinë në një të vetme, duke tendosur në mënyrë të dukshme hapësirën përreth tyre, e më pas, hap pas hapi, deri tek ne, me shpejtësinë e dritës.

Në pamje të parë, duhet fat. Sepse vrima të zeza me këtë masë, në historinë e astronomisë nuk ishin vënë re asnjëherë. Aq më pak një sistem binar me dy vrima të zeza si këto. Pastaj ta vëzhgosh pikërisht në momentin e fundit të jetës së vet, është një gjë edhe më e rrallë. Dhe që kjo të ketë ndodhur sapo të kesh ndezur pajisjen e re zbuluese… Por fati ndihmon më të guximshmit, kjo dihet, dhe ata të Ligos janë shumë të zotë dhe kanë punuar mirë. Kanë parë valët gravitacionale, por edhe kanë demonstruar ekzistencën e objekteve qiellore të panjohura.

Zbulimi hap një astronomi të re, në një Univers të ri, sepse nuk bazohet në valë elektromagnetike, si astronomia tradicionale. Pikërisht këtu lindin vështirësitë. Valët gravitacionale kalojnë dhe nuk kthehen më, janë si macja që buzëqesh tek “Liza në botën e çudirave”. Për një konfirmim, që në shkencë rrallëherë e gjen, duhet që të gjesh macen, apo atë që mbetet, dhe që me siguri diku do të jetë fshehur. Por copa e qiellit prej ku duket se vijnë valët është shumë e madhe, dhe duhet njohur në thellësi: është si të gjesh një gjilpërë në një mullar të madh. Astronomët kanë një përvojë të gjatë me kërkime pakëz të marrë, dhe i kanë hyrë punës tashmë.

E megjithatë valët gravitacionale kishin trashëguar një energji shumë të madhe nga përqafimi vdekjeprurës i dy vrimave të zeza: 50 herë më i madh se ai i gjithë yjeve të Universit, edhe pse për vetëm një të pesëdhjetën e sekondës. Me mbërritjen e tyre në Tokë, pas një udhëtimi prej më shumë se një miliard vjetësh, kanë mjaftuar për të deformuar, edhe pse me shumë pak, dy zbuluesit e Ligos, një në Luizianë dhe tjetri në Uashington. Koha e kaluar mes dy zbulimeve është pikërisht koha që duhet për të përshkuar Amerikën me shpejtësinë e dritës.

Një astronomi e re, pra, e lindur edhe falë fatit. Shpresojmë të kemi së shpejti zbulime të tjera, që do të ndihmojnë shumë për t’i besuar në thellësi të parit. Përveç Ligos, zbulues të tjerë, në Itali, Japoni dhe Australi do të jenë shumë shpejt aktivë, dhe më pas Agjencia Hapësinore Europiane do të shkojë t’i kërkojë në hapësirë, me misionin “Lisa”. Dje ndoshta kemi qenë dëshmitarë të drejtpërdrejtë të vendimit për një Çmim Nobel, e në të njëjtën kohë, një moment historik për Astronominë dhe shkencën./La Repubblica

Giovanni Bignami

Presidentit i Institutit Kombëtar Italian të Astrofizikës

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here