Raporti i Konkurrueshmërisë Globale 2017-2018 vjen në një kohë kur ekonomia globale ka filluar të tregojë shenja të rimëkëmbjes dhe megjithatë politikëbërësit dhe liderët globalë janë të shqetësuar për perspektivat dhe rritjen ekonomike në të ardhmen. Qeveritë, bizneset dhe individët po përjetojnë nivele të larta pasigurie si teknologjia dhe situatat gjeopolitike. Në të njëjtën kohë, perceptimi se përqasja aktuale ekonomike nuk u shërben njerëzve dhe shoqërive po fiton terren, duke bërë thirrje për të reja modele ekonomik duke patur në qendër mirëqënien sociale.
Liderat botërorë po përballen me vështirësi të mëdha kur është fjala për politikën ekonomike. Shpërndarja e pabarabartë e përfitimeve të rritjes ekonomik, dallimet midis gjeneratave, rritja e pabarazisë në të ardhura në ekonomitë e përparuara dhe degradimi në rritje i mjedisit kanë rritur ndjenjën se politikat ekonomike të viteve të kaluara nuk i kanë shërbyer mirë qytetarëve dhe shoqërisë. Të shoqëruar me ritme rritjeje që mbeten nën nivelet historike, këto pengesa vënë në pikëpyetje shumë modele dhe politika aktuale të rritjes ekonomike. Zhvillimet e mëdha teknologjike dhe problematikat e reja që dalin në rendin global ekonomik dhe politik shtojnë pasiguri të mëtejshme rreth llojeve të këtyre politikave.Si rezultat, rritja ekonomike duhet të përqendrohet më shumë në mirëqenien sociale. Një zhvillim i tillë ekonomik ku në qendër është mirëqënia sociale, është shumëdimensional nga natyra – ajo është e bazuar gjerësisht në zhvillimin e qëndrueshëm ndaj mjedisit dhe në krijimin e mundesive të barabarta për të gjithë dhe jo në drejtim të dëmtimit të gjeneratave të ardhshme. Në këtë kontekst të ri, konkurrenca mbetet një kontribut i rëndësishëm me qëllim progresin ekonomik me në qendër shoqërinë, duke krijuar burimet e nevojshme për një mirëqenie më të mirë, duke përfshirë arsimim më të mirë, shëndetësi dhe siguri, dhe të ardhura më të larta për frymë.
Indeksi i Konkurrencës Globale (GCI) shfaq performancën e afro 140 vendeve. Ai vlerëson faktorët dhe institucionet e identifikuara nga hulumtimi empirik dhe teorik, si përcaktimin e përmirësimeve në produktivitet i cili është përcaktuesi kryesor i rritjes afatgjatë dhe një faktor thelbësor në rritjen ekonomike dhe prosperitetit. Raporti i Konkurrencës Globale, pra, kërkon të ndihmojë vendimmarrësit të kuptojnë natyrën komplekse dhe të shumëllojshëm të sfidës së zhvillimit; për të hartuar politika më të mira, të bazuara në bashkëpunimin publik-privat. Përmirësimi i faktorëve të konkurrencës, siç është identifikuar në 12 shtyllat e GCI, kërkon veprim të koordinuar të shtetit, komunitetit të biznesit dhe shoqërisë civile. Të gjithë aktorët e shoqërisë duhet të angazhohen për të bërë përparim në të gjithë faktorët e konkurrencës njëkohësisht, gjë që është e nevojshme për të arritur rezultate afatgjata. Këtë vit, GCI tregon tri sfida kryesore që janë relevante për zhvillimin ekonomik, bashkëpunimin publik-privat dhe ndërmarrjen e politikave: së pari, dobësitë financiare paraqesin një kërcënim për konkurrencën dhe aftësinë e ekonomisë për të financuar inovacionin dhe adoptimin teknologjik; Së dyti, ekonomitë në zhvillim po përparojnë në drejtim të inovacionit, por më shumë mund të bëhet për të përfituar prej tyre; Së treti, fleksibiliteti i tregut të punës dhe mbrojtja e punonjësve janë të nevojshme për konkurrencën dhe prosperitetin e përbashkët në Revolucionin e Katërt Industrial.
Kërkesa për mè tepër rritje ekonomike dhe më cilësore
Megjithë përmirësim gradual të ekonomisë, politikëbërësit në shumë vende janë të shqetësuar për perspektivat në zhvillimin afatgjatë ekonomik. Kjo është pjesërisht për shkak se përmirësimi i tanishëm ekonomik duket të jetë ciklik, i ndikuar nga normat e interesit jashtëzakonisht të ulëta dhe jo nga faktorët themelorë të rritjes strukturore. Përmirësimet e produktivitetit duket se mbeten të ngadalta dhe nuk priten të kthehen në nivelet e përjetuara në dekadat e fundit. Strategjitë mbizotëruese të rritjes dhe modelet e zhvillimit ekonomik gjithnjë e më shumë po vihen në pikëpyetje. Në ekonomitë e përparuara, çështjet e shpërndarjes janë në plan të parë, herë pas here me pasoja politike. Në tregjet në zhvillim, ekziston një koncept i përhapur që rritja ekonomike është e rëndësishme për zhvillimin dhe mirëqenien sociale. Rritja krijon burimet e nevojshme për arsimim më të mirë, shëndetësi, siguri dhe për të ardhura më të larta. Edhe pse rritja nuk garanton zhvillimin njerëzor, nuk ka shembuj të vendeve që përmirësojnë mirëqenien e popullatës së tyre pa rritje. Megjithatë, rritja ekonomike nuk duhet të jetë një fund në vetvete. Ajo duhet të kontribuojë në mirëqenien njerëzore, të rrënjoset në legjitimitetin politik dhe të përcaktohet dhe të matet në bazë të nocionit shumëdimensional të progresit ekonomik që përfshin vlera të tilla si:
- një shpërndarje të gjerë të përfitimeve ekonomike
- qëndrueshmëria mjedisore, dhe
- barazisë midis gjeneratave për të rinjtë dhe brezat e ardhshëm
Shpërndarja e rritjes ekonomike është e komplikuar nga tensione dhe transformime të ndryshme që karakterizojnë botën bashkëkohore. Katër prej faktorëve që dalin në pah dhe mund të formojnë diskursin ekonomik në vitin e ardhshëm janë: ndryshimet strukturore në zhvillimin e rritjes ekonomike, kufizimi i ndryshimeve të shpejta teknologjike, nevoja për përfshirje më të madhe ekonomike dhe paqartësi rreth evolucionit të ardhshëm të globalizimit.
Udhëheqësit strukturorë dhe sfidat e matjes
Po ashtu, tregjet e avancuara dhe ato në zhvillim duket se kanë përjetuar një ngadalësim të produktivitetit, pavarësisht progresit të rëndësishëm teknologjik. Disa argumentojnë se teknologjitë e sotme nuk kanë potencial të njëjtë të rritjes së produktivitetit si shpikjet e së kaluarës; Shpjegime të tjera përfshijnë efektet afatgjata në mungesë të forcës së punës së kualifikuar, veçanërisht në mesin e punëtorëve të rinj; investime joadekuate për shkak të niveleve të larta të borxhit dhe normave të interesit pranë zeros; keqpërdorimii kapitalit; dhe politikëbërja duke u mbështetur në politikën monetare jashtëzakonisht akomoduese dhe duke u shmangur nga reformat që nxisin produktivitetin. Një shpjegim shtesë pas ngadalësimit të produktivitetit është se matja tradicionale e PBB-së dështon
për të llogaritur pjesën më të madhe të vlerës së krijuar në vitet e fundit nga mallrat dhe shërbimet të ofruara pa kosto direkte për konsumatorin. Për shembull, motorët e kërkimit në internet ose informacioni në internet ose vlera e krijuar përmes kanaleve të mediave sociale nuk kanë çmim në vlerën që krijojnë për konsumatorin, por në vlerën e reklamave që gjenerojnë për kompanitë që i kryejnë këto shërbime. Rritja e qëndrueshme do të kërkojë reforma për të zhvilluar kapitalin njerëzor dhe fizik dhe për të nxitur teknologjitë e reja. Një kontribues i mundshëm në zvogëlimin e produktivitetit agregat ka qenë rishpërndarja e burimeve drejt sektorëve më pak produktivë. Për të ndryshuar këtë prirje, politikëbërësit do të duhet të heqin pengesat që ndalojnë rregullimet strukturore.
Sfidat e inovacionit
Teknologjitë në zhvillim kanë potencial të madh që të jenë burim i rritjes, por evolucioni i tyre i ardhshëm është i pasigurt. Një sfidë kryesore është se si të përdoret në një mënyrë që të përfitojë shoqëria në tërësi, duke pasur parasysh se ato mund të riorganizojnë shpërndarjen kombëtare dhe globale të të ardhurave dhe mundësive dhe të çojnë në transformime të rëndësishme strukturore. Efektet e teknologjive të ardhshme janë të panjohura, por pritet humbja e vendeve të punës pasi teknologjia do të transformojë prodhimin dhe shërbimet në vitet e ardhshme, duke ngritur pyetje rreth shpejtësisë së krijimit të vendeve të reja të punës dhe të ardhmes së ekonomisë. Në të njëjtën kohë, përparimet teknologjike po krijojnë vlerë të konsiderueshme për konsumatorët, më shumë se sa është reflektuar aktualisht në statistikat kombëtare. Si rezultat, teknologjia po e bën mjedisin politik dhe ekonomik më asimetrik dhe tëpasigurtë.
Pabarazitë
Ka tashmë shenja të qarta se teknologjia po kontribon në polarizimin e tregut të punës, me një rënie të numrit të vendeve të punës me aftësi të mesme dhe rritjes së vendeve të punës në nivel të ulët dhe të lartë të aftësive. Në shumë vende, aspektet e shpërndarjes janë shfaqur si një nga sfidat më të ngutshme për hartimin e politikave për konkurrencë dhe rritje. Globalisht, pabarazia është zvogëluar gjatë dekadave të fundit, sepse rritja e ekonomive shumë të varfra dhe shumë të populluara të Azisë ka qenë dukshëm më e madhe se normat e rritjes së ekonomive të përparuara, duke sjellë atë që ekonomistët e kanë quajtur “konvergjenca e madhe” . Sidoqoftë, brenda vendeve, pabarazia është rritur mesatarisht. Në shumë ekonomi të përparuar, pabarazia e të ardhurave është zgjeruar ose zmadhuar në një nivel të lartë në dy dekadat e fundit – shpesh me mospërputhje të mëdha rajonale, për shembull midis zonave rurale dhe urbane. Trendi është më i përzier për ekonomitë në zhvillim, edhe pse nivelet absolute të pabarazisë mbeten shumë më të larta sesa në vendet e përparuara. Kombinimi i ekonomive në stanjacion dhe rritja e pabarazisë në të ardhura ka çuar në pakënaqësi të konsiderueshme politike dhe tension në të gjithë botën. Në disa vende kjo ka filluar të minojë funksionimin normal të institucioneve dhe proceseve politike, duke komplikuar formulimin dhe zbatimin e politikave. Në ekonomitë e zhvilluara, frustrimi është përqendruar tek personat me pasuri të lartë, si dhe nga punëtorët e huaj në një botë të globalizuar. Kjo ka përgatitur terrenin për lëvizjet populiste dhe politikave të majta dhe të djathtë, të cilët kanë propozuar kthimin në politika më izoluese.
Presionet e tregëtisë
Flukset e tregtisë dhe investimeve kanë qenë nxitës të rëndësishëm të rritjes ekonomike në të kaluarën, por marrëdhënia midis globalizimit dhe rritjes mbetet e papërfunduar. Politikat që ringjallën rritjen ekonomike do të kërkojnë një kuptim më të mirë të ndërveprimeve midis liberalizimit të tregtisë, liberalizimit të faktorëve, ndryshimeve teknologjike dhe kornizave të politikës së brendshme përgjatë dimensioneve të përparimit ekonomik si punësimi, të ardhurat, pabarazia, shëndetësia dhe arsimimi. Kjo është e rëndësishme sepse rritja në tregtinë ndërkombëtare nuk është rikuperuar në nivelet e para krizës, pasi ranë afërsisht 15% në vitin 2009, ajo aktualisht po rritet më ngadalë se PBB global. Investimet globale kanë ngecur që nga kriza. Pasiguria në lidhje me evolucionin e ardhshëm të rendit ekonomik global ka të ngjarë të vazhdojë të peshojë në tregtinë ndërkombëtare dhe flukset e investimeve. Shumë vende kanë përjetuar një reagim të ashpër kundër liberalizimit të mëtejshëm si rezultat i shqetësimeve rreth ndikimit negativ të globalizimit në standardet e jetesës, veçanërisht në ekonomitë e zhvilluara, duke pohuar se kjo ndikon negativisht në vlerat themelore socio-politike siç janë identiteti kombëtar dhe sovraniteti. Format e reja të proteksionizmit po shfaqen, me një rritje në përdorimin e ligjeve, rregulloreve, standardeve, kontrollit kufitar dhe formave të tjera të mbrojtjes jo-tarifore.
Gjetjet kryesore të Indeksit të Konkurrueshmërisë Globale
Analiza e Indeksit të Konkurrencës Globale (GCI) tregon tri sfida dhe leksione kryesore që janë relevante për zhvillimin ekonomik, bashkëpunimin publiko-privat dhe veprimin e politikave. Së pari, 10 vjet pas krizës, sektori financiar mbetet i ndjeshëm. Treguesit e GCI të shëndetit bankar nuk janë rikuperuar në nivelet e para krizës, faktorë rreziku të tjerë janë shfaqur, si rritja e borxhit privat në ekonomitë në zhvillim dhe rritja e tregjeve jo të rregulluara të kapitalit – ku qeveritë kanë më pak hapsira se 10 vjet më parë për të përballuar një krizë tjetër. Ruajtja e një sektori financiar të shëndoshë jo vetëm që është e rëndësishme për të parandaluar recesionet me efekte të thella dhe afatgjata mbi produktivitetin dhe rritjen, por edhe për të mbështetur inovacionin. Në fakt, sigurimi i fondeve dhe instrumenteve adekuate për të mbështetur idetë më produktive dhe inovative është thelbësore për të përfituar nga Revolucioni i katërt industrial (4IR). Së dyti, më shumë vende janë në gjendje të rrisin inovacionet, por ata duhet të bëjnë më shumë për të përfituar nga to. Tregje të mëdha në zhvillim, si Kina, India dhe Indonezia, po bëhen qendra për inovacion, duke konkuruar me ekonomitë e zhvilluara. Së treti, si fleksibiliteti i tregut të punës dhe mbrojtja e punëtorëve janë të nevojshme për të siguruar prosperitet të përbashkët në epokën 4 të revolucionit industrial.
Ndërsa globalizimi dhe progresi i shpejtë teknologjik vazhdon të testojë aftësinë e tregjeve të punës për të rialokuar punëtorët nëpërmjet profesioneve, GCI tregon tre tendenca paralele. Së pari, masat e fleksibilitetit të tregut të punës po konvergojnë mes ekonomive të përparuara dhe ato në zhvillim; së dyti, më shumë hapje dhe integrim ekonomik është shoqëruar me rritjen e fleksibilitetit të tregut të punës; dhe së treti, fleksibiliteti më i madh i tregut të punës mund të bashkëjetojë me mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe reduktimin e pabarazisë. Këto çështje nënvizojnë sfidën e përgjithshme për ekonomitë e përparuara dhe ato në zhvillim: të rialokojnë faktorët e prodhimit për të qenë fleksibël dhe duke iu përgjigjur trendeve teknologjike.
Ndikimi ekonomik i zhvillimeve në inovacion mbetet e vështirë për tu matur. Inovacioni duhet të ndikojë në konkurrencë dhe të rrisë produktivitetin, por ende nuk duket të ketë një ndikim të tillë. Ka dy arsye bindëse për këtë. Njëra është se do të duhet kohë për sistemet që të përshtaten me një rend të ri në mënyrë që ata të mund të përfitojnë plotësisht nga zhvillimet teknologjike: në mënyrë analoge, u deshën disa dekada për të kuptuar përfitimet e produktivitetit nga elektrifikimi nëpërmjet inovacioneve plotësuese si riorganizimi i linjave prodhuese. Arsyeja tjetër është se shumë nga përfitimet e shërbimeve digjitale, duke përfshirë motorët e kërkimit në internet, email-et, hartat digjitale dhe mediat sociale – nuk kanë një çmim tregu, kështu që ato nuk janë përfshirë në PBB apo të pasqyrohen në vlerësimet e produktivitetit, edhe pse ato po japin vlerë të konsiderueshme shoqërisë.
Përsa i përket renditjes së Shqipërisë ajo ka patur përmirësim të ndjeshëm në krahasim me vitet e mëparshme.