Një anije tregtare me flamur të Tanzanisë është ndaluar nga Anti-kontrabanda në Portin e Vlorës mbrëmjen e djeshme dhe tashmë është ankoruar në portin e Durrësit .
Anija “ERA 1” me flamur të Tanzanisë dhe ekuipazh ukrainas kishte kërkuar 3 ditë më parë lejë për t’u strehuar në Portin e Vlorës, deri në qetësimin e detit, ndërsa mesditën e së premtes është larguar pa njoftuar kapitenerinë, duke thyer rregulla ndërkombëtare detare, të cilat detyrojnë anijet të njoftojnë ose të kërkojnë leje nga autoriteti detar i portit pritës për çdo lëvizje.
Largimi i paralajmëruar ka ngritur dyshime mbi ngarkesën në anije dhe ligjshmërinë e saj. Një anije e Rojës Bregdetare e ka shoqëruar “ERA 1” drejt Portit të Durrësit, ku kapiteni dhe anëtarët e tjerë të ekuipazhit po bëjnë deklarimet përkatëse për autoritetet doganore dhe policore.
Verifikimi i deklarimeve dhe i dokumentacionit përkatës do të shoqërohet edhe me kontrollin e ngarkesës që ndodhet në bordin e anijes, ku në bazë të rezultateve do të vendoset edhe për veprimet e mëtejshme.
Paraprakisht deklarohet se anija e nisur nga Greqia në drejtim të Malit të Zi ka një ngarkesë prej 48 tonësh cigare kontrabandë.