Home Politike Kuvend, Ruçi: PD nuk do zgjidhje. Berisha: Jo hetim pa fakte e...

Kuvend, Ruçi: PD nuk do zgjidhje. Berisha: Jo hetim pa fakte e prova

74
0

Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste Gramoz Ruci, në fjalën e tij tha se mazhoranca nuk ka vullnet për zgjidhjen e krizës, ndërsa kryeministri Berisha tha se pa prova dhe fakte nuk mund të hetojmë.

Berisha edhe sot nuk thotë asnjë fjalë, ai nuk është i gatshëm për të ndryshuar Shqipërinë, tha Ruçi, ndërsa shtoi se PS ka kërkuar hetim të numërimit dhe jo numërim.

Ruçi u shpreh se opozita ndërmori një hap për të zgjidhur krizën, por Berisha është njeriu që jeton me krizën, dhe përfaqëson forcën që nuk ka asnjë vullnet për ta zgjidhur ate
…opozita, ndërmori një hap, si për të zgjidhur krizën ashtu edhe për të materializuar 12 rekomandimet e PE. Opozita shqiptare, me qëllimin e mirë për të konkretizuar rezolutën e PE, ndërmori hapin për të ngritur një komision hetimor, siç thotë rezoluta, me objekt e përbërje”- tha Ruçi

Sot marim vesh, vazhdoi më tej ai që kryeministri nuk pranon rezolutën, nuk bën asnjë hetim, ndërsa shtoi se Berisha i qëndron stoik vendimit të tij, pasi nuk do të përgatisë zgjedhje të ndershme.

Nderkohe me heret kryeministri Berisha tha se opozita prej një viti e gjysëm eshte angazhuar në qëllimin më absurd që Europa ka njohur nga ndonjë opozitë, e një vendi të lirë”. Kryeministri Sali Berisha duke folur në Parlament e quajti angazhimin e Partisë Socialiste për hetimin e zgjedhjeve si një ‘Mission Imposible” dhe tha se nuk mund te kete hetim pa fakte, te pabazuar ne kushtetute a ligjet e ketij vendi.

‘Pranova pikë për pikë atë që rezoluta kërkon’, tha kryeministri, ‘i propozova gjithçka, nuk deshtë sepse kishte një fiksim, vizat e tmerronin, i prishin atij gjumin, vizat ishte tmerri dhe ferri i tij, iu referua ai liderit te opozites Edi Rama.

“Ky njeri, është i betuar si armik i vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë Ky çuditi, botën ne vitin 2007, ku i deklaronte një diplomati, se une tani po shtrihem përdhe dhe nuk ngrihem I gjallë. Ky ishte një akt i mirëfilltë histerie.”-tha Berisha

Ngritja e komisionit hetimor është një shans i mirë për mazhorancën, Berishën dhe për të gjithë. Kështu e nisi fjalën e tij, deputeti i PS-së Fatmir Xhafaj në hapje të seancës së fundit parlamentare për këtë vit.

Tentativat e të dyja palëve për gjetjen e një varianti të pranueshëm, nuk patën rezultat.

Projekti i propozuar nga Partia Socialiste është i mbështetur në rezolutën e Parlamentit Europian, tha Xhafaj, ndërsa tha se partia e tij është përpjekur të sjellë një propozim sa më afër qëndrimeve të palëve.

Seanca e fundit parlamentare për vitin 2010 i nisi punimet me 2 orë vonesë.

Ne kete seance te fundit, cështja e vetme që pritet të shqyrtohet eshtë komisioni hetimor për zgjedhjet.
Zgjidhja
Edhe pse dy partitë nuk kanë përjashtuar ende dy variantet e para , përfaqësuesit ligjorë përkatësisht Viktor Gumi dhe Ilir Rusmali për PD-në dhe Fatmir Xhafaj dhe Damian Gjiknurit nga PS kane diskutuar sot per mundësinë e një varianti të tretë. Zgjidhja sipas këtij varianti është që PS në projektvendimin që do të miratohet në Kuvend në çdo pikë të saj ku kërkohet hetimi, të saktësohet me “hetim në përputhje me Kodin Zgjedhor”. Një saktësim i tillë kënaq të dyja forcat duke qenë se demokratët në qëndrimin e tyre theksojnë se janë të gatshëm për të pranuar ngritjen e Komisionit Hetimor nëse do të zbatohet neni 178 i Kodit Zgjedhor. Demokratët kërkojnë që kutitë të hapen dhe materialet zgjedhore të dërgohen në Arkivin e Shtetit. Në arkiv, materialet të përpunohen nga punonjësit dhe pasi të “deklasifikohen” të bëhen publike. Komisioni duhet t’i dërgojë kërkesën zyrtare arkivës dhe më pas të presë përgjigjen e saj për materialet. Nga ana tjetër, fletët të digjen menjëherë sapo të hapen kutitë. “Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së”, thuhet në Kod. Negociatorët e të dy palëve kanë rënë dakord për bisedime në mëngjesin e së hënës. Vendimi për zgjidhjen apo jo të krizës do të lihet për në momentet e fundit, vetëm pak minuta para fillimit të seancës plenare. Negociatorët do të shfrytëzojnë në maksimum kohën e vënë në dispozicion për zgjidhjen e krizës dhe për miratimin më pas të projektvendimit të PS-së në seancë plenare. Një nga opsionet që qarkullon është që seanca plenare të zhvillohet pasdite rreth orës 18:00 ku deputetët në rast se arrihet marrëveshja do të ngrenë Komisionin Hetimor për hetimin e zgjedhjeve të kaluara.

Objekti i hetimit që parashikon projektvendimi i PS-së

II. Objekti i veprimtarisë së Komisionit Hetimor të Kuvendit hetimi i dyshimeve publike të bazuara, të ngritura nga partitë politike si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë (raporti i OSBE-ODHIR-it), për zbatimin e legjislacionit në lidhje me procesin zgjedhor;
i. hetimi i dyshimeve të ngritura nga partitë politike si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për proces të parregullt votimi në qendrat e votimit, kryesisht lidhur me zbatimin e ligjit nga komisionet e qendrave të votimit në mënyrën e votimit, identifikimin e shtetasve në momentin e votimit; pasqyrimi i të dhënave përkatëse të dokumentit të identifikimit në rubrikën përkatëse të listave të votimit; mundësinë e votimit më shumë se një herë nga shtetas të ndryshëm e votimit familjar; pasqyrimin e të dhënave përkatëse në procesverbalin e mbylljes së votimit dhe në librin e protokollit të mbledhjeve të k.q.v etj;
ii. hetimin e dyshimeve lidhur me përpilimin e listave të zgjedhësve sipas qendrave të votimit dhe kryesisht për verifikimin e zbatimit te ligjit lidhur me hartimin dhe publikimin e listës se zgjedhësve, ekzistencën e dublimeve në to ose lënies jashtë tyre të një numri zgjedhësish, dërgimin e listave në qendrat e votimit nga Drejtoria e Përgjithshme të Gjendjes civile dhe përputhshmërinë e tyre me sistemin elektronik të regjistrit kombëtar të Gjendjes civile etj:
iii. hetimin e dyshimeve në lidhje me shkeljet e kritereve ligjore në procedurat e ndjekura në gjenerimin e të dhënave për efekt të ndarjes së mandateve për çdo zonë zgjedhore dhe zbatimin e legjislacionit lidhur me mënyrën dhe kriteret e zbatuara në caktimin e Qendrave të Votimit në ambiente private;
iv. hetimin e dyshimeve në lidhje me shkeljet e kritereve ligjore lidhur me procedurat e aplikimit, të prodhimit dhe shpërndarjes së letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike për periudhën prej fillimit të aplikimit deri më 28 Qershor 2009;
v. hetimin e veprimtarisë të administratës së KQZ lidhur me prokurimin, funksionimin, përdorimin dhe efektivitetin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit në vendet e numërimit të votave;

vi. hetimi i dyshimeve dhe pretendimeve të ngritura nga partitë politike si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për përdorim të mjeteve publike si dhe të administratës publike të çdo niveli, në favor të subjekteve të caktuara zgjedhore, për presione të ushtruara për largim, transferim apo ulje në detyrë të punonjësve në administratën qendrore, lokale apo të çdo enti publik, për shkaqe që lidhen me fushatën zgjedhore si dhe për rastet e dhënies në kundërshtim me ligjin të lejeve të përkohshme për personat e dënuar apo duke vuajtur masën e sigurisë arrest me burg, nga administrata e burgjeve gjatë periudhës 29 maj – 28 qershor 2009;

Kushti
PD: Jo hetim për çështje që ka vendime të formës së prerë

Komisioni Hetimor do të hetojë kutitë e materialeve që nuk kanë qenë objekt hetimi nga Gjykatat.
Mazhoranca i vendos opozitës një tjetër kusht për ngritjen e Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Burime bëjnë të ditur se PD kërkon që komisioni të mos ketë kompetencë për të hetuar materialet zgjedhore të cilat kanë qenë më parë objekt hetim nga gjykatat. Edhe kjo çështje duket se është pranuar nga opozita e cila kërkon me ngulm ngritjen e Komisionit Hetimor. Nga ana e saj mazhoranca ka sqaruar se është e gatshme për hetimin e materialeve vetëm nëse do të zbatohen vendimet e gjykatave. Të djathtët propozojnë që Komisioni të nisi hetimet për të gjitha çështjet që kërkon opozita përveç atyre për të cilat ka vendime të formës së prerë dhe përfundimtare nga gjykatat e vendit ose janë juridiksion i tyre. “Ne propozojmë që, për hetimin e çështjeve për të cilat ka vendime të formës së prerë dhe përfundimtare nga Gjykatat e vendit, Ju, që këmbëngulni për hetim të pakufizuar, t’i drejtoheni Gjykatës së Strasburgut për vendimin nr. 8 dt. 22.07.2009 të Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit të Tiranës, me të cilin është hedhur poshtë kërkesa Juaj për rinumërimin e votave. Ndërsa për vendimet e Gjykatës Kushtetuese nr. 18 (2003), 26 (2006), 20 (2007) dhe 22 (2010), në të cilat kjo Gjykatë përcakton, apo më saktë, nuk lejon Komisionin Hetimor Parlamentar të hetojë çështje të juridiksionit të gjykatave, Ju mund t’i adresoheni Gjykatës Kushtetuese, e në rast se kjo e fundit dëshiron, t’i drejtohet pastaj Komisionit të Venecias për interpretimin e vendimeve të saj, thuhet në një letër që kreu i grupit parlamentar demokrat i ka dërguar homologut të tij socialist më 30 nëntor të këtij viti. Socialistët nga ana e tyre kanë hequr dorë nga çështja e fletëve të votimit, duke kërkuar hetimin e zgjedhjeve vetëm përmes materialeve zgjedhore. Në projektvendimin e paraqitur prej saj, PS përcakton qartësisht objektin e hetimit, përbërjen dhe kohëzgjatjen e komisionit.


KQZ: Më 29 dhjetor vendoset djegia e fletëve

Në një kohë kur dy forcat politike janë duke negociuar një mënyrë për zgjidhjen e krizës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka hyrë në mes si një palë e tretë duke kërcënuar prishjen e çdo kompromisi të mundshëm. KQZ ka njoftuar se më datë 29 dhjetor do të mblidhet për të marrë një vendim për fletët e votimit dhe për materialet zgjedhore. Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni në datë 29.12.2010, ditën e mërkurë, ora 11:00 zhvillohet mbledhja e KQZ-së për shqyrtimin e projektvendimit për hapjen e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore të përdorura për zgjedhjet e datës 28 qershor 2009. Në relacionin që shoqëron projektvendimin e KQZ-së thuhet se është i domosdoshëm fillimi i menjëhershëm i procesit të hapjes së kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore të përdorura në zgjedhjet e datës 28 Qershor 2009. Në procesin e punës përfshihet hapja e kutive të votimit, seleksionimi i bazës materiale, pastrimi nga etiketat dhe fletë të ndryshme të ngjitura në të gjitha kutitë, si dhe larja e tyre. Madje, KQZ ka bërë gati edhe sasinë e karburantit që do të përdoret për djegien e fletëve të votimit.

Një tjetër fokus i punës së KQZ-së është edhe seleksionimin dhe evidentimin e materialeve që mund të ripërdoren si tamponët e vulave, vizore, stilolapsa, makinë llogaritëse, si dhe seleksionimin e vulave dhe asgjësimin i pjesës plastike nga tamponi, i cili mund të përdoret për prodhimin e vulave të reja në procese të tjera zgjedhore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here