Partia Socialiste ka depozituar në Prokurori dosjen në ngarkim të ministrit Genc Ruli, të cilin e akuzon për shkelje flagrante të ligjit e për xhiron marramendëse të parave që ai ka realizuar me firmën e tij në rastin e koncesionit të minierës së Bulqizës.
Depozitimi është bërë nga deputeti Sajmir Tahiri, i cili apeloi për veprim të drejtësisë në këtë rast.
“Nëse drejtësia nuk do të funksionojë as për këtë ministër, të zhytur deri në fyt në llumin e korrupsionit të këtij pushteti, që arrin të ndalojë me firmën e vet edhe vendimet e Kuvendit, atëherë jo vetëm drejtësi po as shpresë tek drejtësia s’mund të ketë më për askënd”- tha Tahiri, pas daljes nga Prokuroria.
Sipas tij, pandëshkueshmëria do të kthehet nga shqetësim serioz në rutinë nëse nuk ndëshkohet as ky rast i pakontestueshëm arrogance i pushtetit të Saliut, që vodhi votat për të vjedhur Shqipërinë duke varfëruar përditë shqiptarët.
Sipas Tahirit, ministri Ruli ka marrë disa vendime të kundraligjshme. “Veprimi i parë i kundraligjshëm i Genc Rulit është se në ditët e fundit të qëndrimit të tij në postin e ministrit të ekonomisë ai ka ndryshuar marrëveshjen koncesionare me një kompani private pa e kaluar fare për miratim në Kuvendin e Shqipërisë, siç e kërkon në mënyrë taksative ligji shqiptar.
Justifikimi i Genc Rulit se marrëveshja nuk i ka kaluar kuvendit sepse Kuvendi ishte i mbyllur, përveçse është absurd, përbën edhe provën më të qartë të shkeljes së ligjit. Në këtë rast kemi të bëjmë me një pranim publik të fajit dhe përgjegjësisë ligjore nga Genc Ruli.
Pozita ligjore e Genc Rulit në lidhje me kontratën koncesionare rëndohet edhe më tej nga fakti se zoti Ruli, i ka falur kësaj kompanie edhe një gjobë prej 1.6 milion eurosh, duke e lidhur shlyerjen e saj me rimbursimin e TVSH. Në këtë rast Genc Ruli ka kryer një tjetër shkelje të rëndë të ligjit duke tejkaluar kompetencat e tij dhe duke hyrë në kompetencat e Ministrisë së Financave”
Vetë Ruli i ka pranuar publikisht këto zgjedhje, shtoi më tej Tahirir, i cili ftoi Prokurorinë të ndërmarrë hapat e nevojshme për ta marrë Genc Rulin të pandehur dhe për të hetuar deri në fund arsyet që e kanë shtyrë të shkelë ligjin, sipas tij, në mënyrë kaq flagrante e të përsëritur.