Historinë e ka shkruar tashmë, por “oreksi vjen duke ngrënë”. Është fjala për Kukësin, ekipi që i ngjan përrallës së Hirushes, që duke nisur nga Kategoria e Dytë para dy vitesh, arrin majat e futbollit shqiptar, ndërsa sot kërkon të barazojë rekordin e Flamurtarit në Europë, të kalojë dy ture dhe gdhendë me të arta emrin në almanakun e futbollit shqiptar. Kukësi do të luajë sot në orën 21:00 në Sarajevë ndeshjen e kthimit me Sarajevon, teksa takimi i parë ka përfunduar me fitoren 3-2 të nënkampionëve shqiptarë. Do të mjaftonte një barazim, ose humbja 3-4, pa llogaritur një fitore të mundshme, në mënyrë që Kukësi të kalonte edhe turin e dytë. Nuk është favorit, por kjo pak rëndësi ka; presidenti Gjici u ka bërë thirrje të tijve të luajnë pa frikë.
TRAJNERI
Përpara nisjes dje drejt Sarajevës, “GSH” ka kontaktuar me trajnerin e Kukësit, Armando Cungu, i cili thekson edhe një herë tjetër qetësinë që duhet të ruajnë lojtarët. “Vetëm një gjë u kërkoj lojtarëve të mi: qetësi dhe vetëm qetësi. E dimë që nuk jemi favoritë, s’mund të jemi ne favoritë në Europë, kur ekipe të tjera kanë vite që luajnë. Por duhet të përfitojmë nga kjo, falë edhe rezultatit të mirë në ndeshjen e parë. Natyrisht që do të përpiqemi të mbrojmë fitoren, por kjo nuk do të thotë që gjatë gjithës kohës do të presim kundërshtarin. Do të kundërsulmojmë dhe, nëse do të shënonim të paktën një gol, them se vetëm fati i keq mund të na eliminonte. E dimë që do ketë presion edhe nga tifozët, por i kam porositur lojtarët që të mos provokohen dhe të kenë të ngulitur vetëm ndeshjen dhe qëllimin final: kualifikimin”, – është shprehur numri një i pankinës së Kukësit, Armando Cungu.
SHANSET
Edhe pse Kukësi ka fituar takimin e parë, nuk janë shqiptarët favoritë për të kaluar turin e dytë. Nëse në turin e parë me Flora Talinin, shanset ishin të barabarta për kualifikim në ndeshjen e kthimit, me Sarajevon është ndryshe. Ekspertët parashikojnë një fitore me mbi 2 gola diferencë dhe kualifikim të Sarajevos. Koeficientët e fitores favorizojnë dukshëm vendësit, pasi varion nga 1.35 deri në 1.40. Barazimi kuotohet 4.10 ose 4.20, ndërsa fitorja e Kukësit është shumë e madhe, 7.00 deri në 7.20. Koeficientët e kualifikimit janë përkatësisht 1.55 për Sarajevon dhe 2.55 për Kukësin. Por në futboll jo gjithnjë kualifikohet favoriti dhe këtë Kukësi e tregoi në turin e parë, por edhe Skënderbeu në turin e dytë të Ligës së Kampioneve dëshmoi se edhe përballë një ekipi shumë më të mirë financiarisht mund të fitohet. Mbetet për t’u parë se si Kukësi do ta administrojë fitoren e ndeshjes së parë.