Home Aktualitet Barnat e skaduara, 27 farmaci rrezikojnë licencën

Barnat e skaduara, 27 farmaci rrezikojnë licencën

1123
0

Barnat e skaduara janë në qakullim, por farmacitë janë të detyruara të bëjnë deklarimin në Qendrën e Kontrollit të Barnave deri në momentin që bëhet asgjësimi i tyre. Sipas burimeve nga QKKB-ja një barnë që nuk ka skadencë është kontrabandë ose e falsifikuar. Specialistët thonë se në asnjë rast një bar që nuk ka pullën e kontrollit apo skadencën nuk duhet përdorur për mjekim. Statistika nga Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave tregojnë se janë 7 raste që janë propozuar për heqje liçence ndaj farmacive për skadencën e barnave dhe ndaj 20 të tjerave për kushtet në të cilat mbahen barnat.
Udhëzuesi shqip
Një tjetër problem për pacientët mbetet edhe udhëzimi i përdorimit të barnave i cili jo gjithmonë është i përkthyër në gjuhën shqipe, dhe kjo bën që pacientët të mos jenë tërësisht të informuar rreth mënyrës së përdorimit dhe efekteve të medikamentit. Sipas të dhënave nga QKKB-së 70% e barnave sot ka udhëzuesin e përdorimit të barnave në shqip dhe për shkak të specifikave të barnave nuk është mundësuar plotësisht ky proces. “Për një sërë barnash ka specifika për t’u vendosur fletëudhëzuesi prandaj nuk është arritur që 100% e barnave të kenë udhëzuesin në shqip”,  ka deklaruar në media Besnik Jaka, drejtor i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave. Po sipas tij, barnat e skaduara janë në qakullim, por është në detyrimin e farmacive që të bëjnë deklarimin në QKKB deri në momentin që bëhet asgjësimi i tyre.
Kontrolli i barnave
“Qendra Kombëtare e Kontrollit të barnave është i vetmi institucion që kontrollon barnat, ndaj deklarimi duhet bërë pikërisht aty. Pohoj që barnat që janë të certifikuara janë barna të sigurta dhe cilësore. Ndikon mënyra e ruajtjes, por edhe kultura e qytetarëve në përdorimin e barit. Pacienti nuk mund të vendosë vetë si të përdorë barin, ndaj duhet një sistem i kontrolluar”, theksoi ai. Drejtori i QKKB thotë më tej se një bar që nuk ka skadencë është kontrabandë apo i falsifikuar. “Në asnjë rast një bar që nuk ka pullën e kontrollit, skadencën nuk duhet përdorur”, theksoi ai. Sipas tij, falë farmakovigjilencës bëhet e mundur që në rast se një bar nuk ka efekt apo ka efekte negative merren masa që ky bar të mos qarkullojë më.
Efektet negative
“Tashmë është plotësuar një formular për barna që kanë efekt negativ apo nuk kanë efekt. Ka detyrime ligjore për prodhuesin dhe farmacitë që të deklarojnë efektet e barnave. Nëse vërehet efekti negativ i barnave merren masa që mos qarkullojë më. Por deri tani janë vënë gjoba dhe nuk është kaluar deri në këtë masë”, saktësoi ai. Jaka tha se janë 7 raste që janë propozuar për heqje licence ndaj farmacive për skadencën e barnave dhe ndaj 20 të tjerave për kushtet në të cilat mbahen barnat.

Ministria e Shëndetësisë për barnat
Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili pranoi gjatë një takimi të dy ditëve më parë se Shqipërisë i mungon një strategji kombëtare për mbulimin e tregut me barna, rritjen e cilësisë së tyre si dhe kontrollet nga falsifikimi. Madje ai shtoi se këto do të jenë sfidat e Ministrisë së Shëndetësisë në muajt në vazhdim.  “Fillimi i punës për hartimin e një strategjie dhe përpilimin me të gjitha mjetet e mundshme teknike, të kontrollit intensive lidhur me qarkullimin e barnave të falsifikuara. OBSH ka llogaritur që rreth 10% e barnave të nivelin botëror ka rrezikun që të jenë barna të falsifikuara që qarkullojnë në treg. Duke pasur të dhëna të tilla na duhet të mprehim vigjilencën tonë, por kjo nuk mund të bëhet as me spontanitete apo më ndonjë veprim tek-tuk qoftë me vullnet të mirë, por të fragmentizuar, por me një strategji të mirëmenduar”, tha Vasili.

QSUT, mbyllen tenderat e ilaçeve, favorizohet Onkologjiku
Drejtori i QSUT-së,  Ilir Dashi deklaroi se tenderat e barnave në spitale tashmë janë mbyllur 100%. Sipas tij të gjitha procedurat kanë përfunduar dhe të gjitha spitalet në qendrën universitare, po marrin medikamentet e nevojshme sipas kërkesave të tyre. “Ky proces ka përfunduar me listën tonë prej rreth 200 artikujsh. Pra gjithçka ka përfunduar si proces tenderimi dhe pjesa e fundit është realizimi i kontratave që po bëjmë, të fundit këto ditë, bashkë me disa procese negocimi për të mbyllur komplet. Fondin e përcaktuar këtë vit, dhe planifikuar në buxhetin e vitit 2010 për barnat, ne e kemi prokuruar 100 për qind”, bëri të ditur dje në media Ilir Dashi, drejtor i QSUT–së. Por pavarësisht se tenderat këtë vit janë zhvilluar më herët se vitet e tjera, dhe janë mbyllur me sukses, spitalet do të furnizohen me sasinë e nevojshme, por jo se do të plotësohen të gjitha kërkesat e pacientëve. ” Pavionet janë të furnizuara me barnat për buxhetet e planifikuara dhe për listat e barnave të planifikuara plotësisht, këtë mund ta themi me plot gojën. Po kjo nuk do të thotë që nevojat e spitalit janë të realizuara në mënyrë maksimale sepse kjo nuk ndodh në vendet më të zhvilluara të globit”, tha Dashi. Sipas Ilir Dashit këtë vit, pjesa më madhe e fondit të barnave i është lënë medikamenteve të spitalit onkologjik, të cilat muajt e fundit në QSUT kanë qenë të pakta, një fakt ky i konstatuar edhe nga vetë pacientët.

Situata e zjarreve deri në të gjitha rrethet
Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave ka publikuar dje një përmbledhje mbi situatën e zjarreve në pyje e kullota deri në datën 31 gusht 2010. Ditën e djeshme nuk ka patur vatra zjarri aktive. Gjatë natës ka pasur dhe reshje shiu. Sipas burimeve nga Ministria e Mjedisit në zonën qëndrore dhe veriore të vendit ka pasur reshje shiu duke krijuar një situatë të qetë. Situata e prezantuar më poshtë është informacioni i orës 11 datë 31 gusht 2010.

Në rrethin e M.Madhe
Në këtë rreth nga datën 30 gusht 2010, ka pasur 2 raste zjarresh. Zjarret janë fikur nga ndërhyrja e shërbimit pyjor si dhe reshjet e shiut ne orët e vona të natës.
Në rrethin e Pukës,
Në datën 30 gusht, ka pasur 2 vatra zjarri në zonën e Lumbardhës dhe në Livadh të Hamëzit. Zjarret janë fikur plotësisht.
Në rrethin e Dibrës,
Në datën 30, rreth orës 14, ka pasur shfaqje zjarri në zonën e Lurës, në pyll komunal të komunës Lurë. Zjarri ka marrë përmasa të mëdha dhe është bërë mjaft problematik në orët e mbremjes. Kanë marrë pjesë në fikjen e zjarrit 10 punonjës të shërbimti pyjor dhe 25 banorë të zonës. Zjarri është fikur në orët e vona të natës i  ndihmuar dhe nga reshje e shiut.
Në rrethin e Vlorës,
Në datën 30 gusht, ka pasur 2 vatra zjarri në kullota në zonë e Pilurit dhe të Karaburunit. Zjarret janë fikur nga ndërhyrja e shërbimit pyjor.
Në rrethin e Shkodrës
Në këtë rreth ka pasur 2 vatra zjarri në datën 30 gusht. Zjarret janë fikur nga ndërhyrje e shërbimit pyjor, zjarrfikëseve dhe forcave të ushtrisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here